“Sugjerimi im për Bashën, dorëhiqu këtë javë dhe rri në PD”  

Nga Ylli Manjani

Këtë javë..

****

Gjykoj se Lulzim Basha duhet të zgjedhë të qëndrojë në Partinë Demokratike dhe jo të largohet prej saj.

Ai duhet të dorëhiqet dhe të kontribuojë si anëtar i thjeshtë dhe si deputet i saj.

Nëse do të jetë në politikë, do t’i duhet të marrë pak kohë, të mendojë dhe reflektojë thellë. Të merret me veten, me problemet pa shumë alternativa që ka dhe të mësojë të ndërtojë marrëdhënie njerëzore politike.

Ai duhet të gjejë përgjigjen e vërtetë të pyetjes: përse partia i beson më shumë një 77-vjeçari në pension sesa atij?! Do ta ndihmojë gjetja e kësaj përgjigje. Sigurisht nëse nuk mendon vërtetë se është punë “llumi”, “Bermude”, “rakie”, ”blofi” etj… Çështja është përse demokratët dhe jo vetëm u kthyen tek fillimi, te Liria e Demokracia?! Përse nuk ishte Luli në krye të Lirisë e Demokracisë?!

Ndërkohë, demokratëve, në shenjë respekti ndaj tyre dhe ndaj vetes, duhet t’u ofrojë të vetëm një gjë që i ka mbetur: DORËHEQJEN.

Nuk mund të bashkëjetojë dot më me ta si kryetar i tyre. Ata kanë vendosur të vetëmblidhen. Nuk i kishte ndodhur më parë asnjë kryetari të asnjë partie kjo gjë. Të gjithë kanë ikur si bashkëpunues e jo si palë në konflikt me partinë e tyre. Kjo tregon se Luli nuk është më kryetar i tyre.

Por ai mund të vijojë të jetë si ata dhe deputet i tyre. Jeta është e gjatë dhe politika rrokulliset shpejt. Kush reflekton dhe gjen sintoninë me njerëzit është politikan i mirë, pavarësisht gabimeve.

Duhet sintoni me partinë dhe Shqipërinë që të të respektojnë edhe ambasadorët e të huajt.

Askush jashtë nuk të njeh nëse nuk të do vendi yt, njerëzit e tu!

Ndaj them se ai duhet të rrijë në PD duke u dorëhequr. Bashkëpunimi me demokratët është zgjidhja e tij, jo përballja. Me përballje humb vetëm Luli!

Dhe më në fund, kush ja do të mirën Lulit bën mirë ta këshillojë të mbetet anëtar e deputet i PD. Kush e shtyn të përballet ende me kotësinë nuk ja do të mirën, por do ta heqë qafe njëherë e përgjithmonë nga politika.

Por është Luli ai që vendos dhe duhet ta bëjë deri në fund të kësaj jave.

Unë i sugjeroj ende me shumë dashamirësi, siç kam bërë gjithmonë, këtë zgjidhje: dorëhiqu këtë javë dhe rri në PD. Hapi rrugë ringritjes së saj duke u bërë pjesë dhe jo palë me partinë që investoi tek ti.

Është javë vendimtare e karrierës tënde politike.

Nuk ta shpëton dot askush këtë karrierë, përveç vetes.

Çdo rrugë tjetër është largim nga politika. Edhe largimi është alternativë padyshim, por do ishte largim me turp!

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *