Vjedhja e të dhënave për pagat dhe targat/ A është Bajram Muça dhe institucionet e mikrofinancës, ‘dora’ pas skandalit të ‘exelit’  

Skandali i pagave, shumë më i thellë se kaq! Ikonomi dhe Sota dyshohen edhe për skemë mashtrimi kredish. Të dhënat u janë shitur rusëve dhe institucioneve të mikrofinancave.

Plasja e skandalit për daljen e të dhënave personale si të pagave të mbi 650 mijë shtetasve shqiptarë, po ashtu edhe ato të targave të automjeteve, është në fakt vetëm maja e ajsbergut që rrezikon deri krijimin e destabilizimit financiar të shtetit shqiptar.

Ky skandal që plasi në fund të vitit që sapo lamë pas, e që u mundua të mbulohej më kot si nga qeveria ashtu dhe nga drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, ka në thelb në fakt një megakorrupsion por që organizimin dhe përgatitjen e ka pasur me gjasë nga jashtë Shqipërisë.

“Priza.al” ka mësuar nga burime tepër konfidenciale se këto ditë në agjencitë ligjzbatuese të vendit, ka pasur një interesim dhe një presion pozitiv për gjetjen shkaktarëve dhe eliminimin e pasojave, deri nga diplomatë të huaj në vendin tonë.

Arsyeja është e thjeshtë: dalja e të dhënave sensitive dhe personale, mbi të gjitha edhe e agjentëve dhe e nëpunësve të agjencive ligjzbatuese dhe atyre të inteligjencës, cenon jo vetëm sigurinë kombëtare, por edhe dhjetëra projekte që Shqipëria i përfiton si një vend anëtar i NATO-s në lidhje me sigurinë dhe inteligjencën.

Burime nga Prokuroria e Tiranës, i thanë “Priza.al” se: “Edhe pse këto të dhëna në dukje janë vjedhur për qëllime banale apo financiare, me kërkesë të disa institucioneve financiare dhe mikrofinanciare, për të ushtruar presion te klientët e tyre, pas kësaj skeme duket se janë individë dhe institucione shumë të fuqishme financiare nga jashtë vendit, që për synim kanë pasur të tjera objektiva”.

Ndërkohë një tjetër burim konfidencial, por këtë herë nga një prej agjencive të inteligjencës në vend, i ka pohuar “Priza.al” se: “Për një skandal të tillë agjencitë e inteligjencës në vend ishin njoftuar prej partnerëve të huaj Perëndimor, sipas të cilave institucione të caktuara ne vend jo vetëm që po pastronin para me origjina të dyshimta, por po krijonin terrenin e përshtatshëm që forma të reja ngatërrimi, përfshirje dhe mashtrimi me financime të përfshinin një numër mjaft të madh shtetasish shqiptarë, duke krijuar një skemë ngatërrimi financiar me përmasa edhe më të mëdha se ato të vitit 1997”.

Duket nisur nga kjo situatë, Prokuroria e Tiranës veproi shpejt dhe arriti të paktën në identifikimin dhe zbardhjen e skemave dhe të personave, që kanë kryer operacionet e para të vjedhjes dhe shpërndarjes së të dhanve personale.

Por burimet konfidenciale nga agjencitë e inteligjencës i thanë më tej “Priza.al” se: “Prej kohësh ishin ndjekur informacionet dhe indiciet e ardhura dhe rrugët që çonin individë të caktuar të institucioneve financiare dhe mikrofinanciare, në grumbullimin dhe blerjen e të dhënave sensitive dhe personale nga institucione shtetërore, me qëllim krijimin e një rrjeti të gjerë kredidhëniesh formale ose false, për të justifikuar futjen e parave të shumta nga jashtë me origjinë të dyshimtë, deri tek ato që vinin nga banka ruse”.

Për muaj me radhë, “Priza.al” ka dhënë fakte dhe informacione ekskluzive se si institucionet e mikrofinancës në vend ose të njohura si IFJB, jo vetëm që ishin jashtë gjithë kontrollit shtetëror, por edhe kishin ngritur prej vitesh një skemë mashtrimi me kredi dhe mikrokredi, të cilat kishin “kredhur” dhe “groposur” me mijëra individë dhe familje shqiptare herë të mashtruara e herë të painformuara.

“Priza.al” me fakte, prova, dëshmi, audio dhe video, ka denoncuar institucione të caktuara si “Fondi Besa”, “Iute Credit”, “NOA” dhe shumë të tjera, që jo vetëm mashtronin shqiptarët me mikrokredi, por më pas ushtronin presion edhe në mbledhjen e parave dhe zhvatjen e pronave të patundshme.

Kush janë 4 të arrestuarit dhe kujt i shërbenin

Arrestimi i 4 personave në lidhje me skandalin e publikimit të pagave të qytetarëve po çon në zbulime të tjera. Mediat sot kanë raportuar se Prokuroria e Tiranës ka dyshime se, këto të dhëna mund të jenë përdorur për ngritjen e një skeme mashtrimi kredish.

Dy persona të arrestuar Endri Ikonomi, pronari i “PRO 3VT” sh.p.k, institucion financiar mikrokredie dhe Klodian Sota, pronar i “SMART COLLECTION” sh.p.k., kompani “Mbledhje detyrimesh/kredish të këqija për bankat e nivelit të dytë dhe të trete…”, mendohet se kanë qarkulluar listën e pagave të qytetarëve midis njëri-tjetrit, për të gjetur personat me kredi problematike në bankat e nivelit të dytë dhe institucione të tjera financiare jobankare.

Sota i orientonte kredimarrësit te Ikonomi, për t’u zgjidhur problemet me kreditë. Më pas Ikonomi, mendohet se u ofronte kredi të reja me kushtet e njëjta të kredive të mëparshme. Klientët nuk favorizoheshin për shlyerjen e tyre.

Dy të parët ishin specialistë IT-je, Eni Qirjako dhe Andi Agaraj, ndërsa Klodian Sota dhe Endi Ikonomi, i nxirrnin këto të dhëna nga AKSHI dhe më pas i shisnin.

Dy prej tyre akuzohen se shpërdoruan detyrën dhe dy të tjerët se ushtruan korrupsion duke blerë të dhënat personale të 650 mijë qytetarëve për vetëm 20-30 mijë lekë të reja. Nga hetimet rezulton se Eni Qirjako në 6 episode, ia ka kaluar përmes e-mailit zyrtar pagat e shqiptarëve Agarait, ndërsa ky i fundit ia shiti për 20 mije lekë Sotës dhe Ikonomit.

Kush janë rusët që interesohen për të dhënat personale të shqiptarëve

Një nga të arrestuarit e policisë për skandalin e rrjedhjes së të dhënave, Endri Ikonomi, rezulton të punojë për kompaninë e një miliarderi rus në Shqipëri, e quajtur “Credit 2 All” (Digital Finance International SHPK), që sipas të dhënave të QKB-së, është e specializuar në konsulencë financiare dhe në produktet elektronike në këtë fushë.

Në foto miliarderi rus

Biznesmeni 57-vjeçar rus Oleg Viktorovich Boyko, raportohet të ketë një pasuri prej 1.3 miliardë dollarësh, sipas “Forbes” dhe përshkruhet në faqen e tij të internetit si, një nga 100 biznesmenët më të pasur rus, investitor ndërkombëtar prej 30 vitesh në industrinë bankare dhe shërbimet digjitale financiare dhe drejtues i Finstar Financial Group.

Megjithatë një raport inteligjence i Senatit të SHBA-ve, e citon oligarkun rus, Oleg Boyko, si person me lidhje shqetësuese me qeverinë ruse, inteligjencën dhe shërbimet e sigurisë së Rusisë dhe në lidhje me krimin e organizuar.

Nisur nga kjo dhe nga ajo që kanë deklaruar në rrugë konfidenciale zyrtarë të agjencive inteligjente shqiptare, mund të themi se me të drejtë e gjtihë kjo skemë ka pasur një prapavijë më të madhe dhe më të thellë se sa thjesht “vjedhje” apo “shpërndarje” të dhënash sensitive, që mbase ka për qëllim edhe destabilizimin financiar të një vendi të vogël dhe me ekonomi të brishtë si Shqipëria.

Tani është momenti që SPAK dhe institucionet ligjzbatuese jo vetëm që të nisin hetime serioze ndaj këtyre skemave dhe të gjithë IFJB-ve në vend, por edhe qytetarët duhet të interesohen pranë Bankës së Shqipërisë, për të mësuar nëse janë apo jo pa dijeninë e tyre, pjesë e ndonjë skeme kreditimi të rrem!

/Priza.al/

Ky artikull është ekskluziv i “Priza.al”, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Priza.al” dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *