The Economist: Putin shtyp këdo që ka lidhje me opozitën!/ Tregimi se si po frikësohen dhe burgosen kundërshtarët e tij

Në fillim të këtij viti, dhjetëra mijëra rusë dolën në rrugë si pjesë e demonstratave më të mëdha të ndodhura brenda një dekade. Protestuesit marshuan në 130 qytete në të gjithë 11 zonat kohore të Rusisë. Shumica dërrmuese e tyre ishin në të 20-tat dhe në fillim të 30-tave, një brez që përfshinë rusët që ishin fëmijë kur presidenti Vladimir Putin erdhi në pushtet. Dikur shumë prej tyre e mbështesnin, tani më pak se një e treta e 18-24-vjeçarëve duan që Putin të qëndrojë në detyrë edhe më gjatë.

Protestat u frymëzuan nga udhëheqësi i opozitës në vend, Alexei Navalny. Ai i mbijetoi helmimit me Novichok nga agjentët e sigurimit shtetëror në gusht të 2020-së, ku u largua jashtë vendit për shërim. Ai u kthye më 17 janar pasi u shërua në Gjermani dhe u arrestua në Aeroportin e Moskës. Derisa ai ishte në paraburgim, ekipi i tij publikoi një video për një pallat luksoz që dyshohet se i përkiste Putinit. Nga pas hekurave, Navalny bëri ftesë që njerëzit të dalin në rrugë. Vetëm disa javë më vonë, ai u dërgua në burg ku është duke mbajtur dënimin.

Protestuesit marshuan kundër korrupsionit financiar dhe moral, dhunës shtetërore dhe uzurpimit të pushtetit nga Putini.

“Në Rusinë e Putinit, ne nuk kemi të ardhme”, tha një 20-vjeçar në Shën Petersburg.

Përgjigja e shtetit shënoi një fazë të re të zymtë të represionit në Rusi. Pas protestave u arrestuan më shumë se 11 mijë njerëz.

Organizata e Navalnyit që vepron kundër korrupsionit u shpall si grup ekstremist. Disa nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë u larguan nga vendi.

Gjatë gjithë kësaj kohe, Sarah Collinson, një gazetare e The Economist punoi në Rusi, duke regjistruar jetën e përditshme të aktivistëve të opozitës në mes të shtypjes nga pushteti. Ajo kaloi pesë muaj duke filmuar në tre qytete dhe takoi shumë rusë që kundërshtonin Putinin. Bindja e njerëzve për të thënë mendimet e tyre para një kamere ishte e vështirë, mirëpo tre vajza dolën vullnetare. Ato u përballën me ngacmime, frikësime dhe madje edhe burgosje brenda një spitali COVID-19.

Violetta Grudina dikur drejtonte selinë e Navalnyt në Murmansk, një qytet në veriperëndim të Rusisë. Pas mbylljes së zyrës, ajo vendosi të kandidojë si e pavarur në zgjedhjet lokale të mbajtura në shtator. Ndërsa përgatitej për ditën e votimit, ajo u përball me pengesa të frikshme. Selia e saj u vandalizua dhe menaxheri i fushatës së saj u arrestua me akuza të sajuara për trafik droge.

Për vetë Grudinan, pandemia COVID-19 dha pretekstin për një formë të keqe për frikësim. Edhe pse krejtësisht e shëndosh, ajo u mbajt në një spital për pacientët e sëmurë me COVID-19, gjoja për ta parandaluar përhapjen e sëmundjes.

Ky veprim jo vetëm që e pengoi atë të bënte fushatë, por edhe të regjistrohej si kandidate në Komisionin Zgjedhor. Vetëm pasi ajo filloi një grevë urie tetë ditore, ajo u lirua dhe më në fund mundi të dorëzonte dokumentacionin e saj për të kandiduar në zgjedhje. E shpallur ekstremiste, ajo u ndalua të konkurronte. Më pas vazhduan marrjet në pyetje dhe ndalimet.

Më 9 nëntor, Liliya Chanysheva një politikane e re e cila ashtu si Grudina drejtoi një nga selitë rajonale të Navalnyt, u arrestua me akuza të zbatuara në mënyrë retrospektive për “ekstremizëm”. Ajo mund të përballet me burg prej një dekade.

Lusya Stein i përket Pussy Riot, një grup kolektiv i cili mori famë botërore pas një proteste në vitin 2012. Grupi performoi një këngë anti-Putin në Katedralen e Krishtit Shpëtimtar të Moskës dhe tre anëtarë shkuan në burg për këtë veprim. Stein nuk bëri diçka të madhe. Ajo u arrestua për publikimin e mesazheve në Twitter në lidhje me protestat të mbajtura në janar, duke e akuzuar për nxitje të thyerjes së rregullave të karantinës kundër COVID-19.

Në qershor, ajo dhe disa anëtarë të tjerë të Pussy Riot u arrestuan me akuza të rreme. Pasuan pesëmbëdhjetë ditë paraburgim. Edhe kur u lirua, Stein sërish është provokuar.

“Autoritetet [ruse] kanë vendosur të shtypin këdo që ka mbetur këtu dhe që ka ndonjë lidhje me opozitën e me aktivizimin e të drejtave të njeriut”, shprehet Stein.

Presioni u bë i padurueshëm edhe për të tjerët në Pussy Riot. Nga fundi i korrikut, të paktën tre nga gjashtë anëtarët e saj ishin larguar nga Rusia.

Gjyqet penale sot në Rusi pothuajse pa ndonjë ndryshim arrijnë të njëjtin përfundim: 99.64 për qind e tyre përfunduan me dënim.

Historia e Irina Fatyanovas ka ngjashmëri me atë të Grudinas. Dyshja ishin në mesin e mbështetësve të Navalnyt që vendosën të konkurrojnë në zgjedhjet lokale si kandidatë të pavarur. Fatyanova vendosi ta bënte këtë pasi puna e saj në selinë e Navalny në Shën Petersburg kishte marr fund.

Vullnetarët që punonin me Fatyanovan u arrestuan. Kur njëri u sulmua fizikisht, policia e injoroi sulmuesin dhe në vend të kësaj u përpoq ta akuzonte viktimën për vendosje të paligjshme të një karrige në një rrugë publike.

Megjithatë, Fatyanova arriti të mbledhë 4 mijë nënshkrimet e nevojshme për të dorëzuar dokumentet e saj si kandidate. Pavarësisht kësaj, asaj iu ndalua të kandidojë në zgjedhje për shkak të përfshirjes së saj të supozuar në aktivitete ekstremiste, i njëjti pretekst i përdorur për të shpërbërë organizatën e Navalnyt.

Padrejtësia e përdorur mbi aktivistët e opozitës tregon se shteti rus i sheh ata si një kërcënim. Pavarësisht ngacmimeve dhe burgosjeve, Navalny dhe lëvizja e tij lanë gjurmë gjatë zgjedhjeve për Dumën ruse. Natyrisht, partia e Putinit fitoi shumicën e vendeve, mirëpo votimi nuk ishte aspak i drejtë.

Disidentët si Fatyanova, Stein dhe Grudina ende arrijnë të dëgjohen përmes medieve sociale dhe platformave të tjera.

Siç raportohet, fuqia e Kremlinit është mbështetur në tre shtylla. Ekonomia është përmirësuar që kur Putin mori detyrën. Ai ka një monopol mbi informacionin. Dhe nëse gjithçka tjetër dështon, ai mund t’i “plasarit” kokat.

/Burimi: The Economist/ Përshtati: Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *