Spanja detyron mbajtjen e maskave edhe në mjedise të hapura, studimi: Omicron tepër shqetësues

Spanja ka vendosur të bëjë të detyrueshme maskat mbrojtëse edhe në ambiente të hapura, për shkak të numrit në rritje të infektimeve me koronavirus shkaktuar më së shumti nga varianti Omicron.

Kryeministri, Pedro Sanchez lajmëroi masat e reja pas një video-konference me liderë rajonalë.

Spanja kishte vendosur detyrimin e mbajtjes së maskës në mjedise të hapura edhe më herët gjatë pandemisë dhe shumë spanjollë i kanë mbajtur ato në mënyrë vullnetare.

Sanchez tha se Spanja do të luftojë kundër përhapjes së Omicron duke nxitur marrjen e dozave përforcuese tek qytetarët. Katalonia ndërkohë po ndërmerr një qasje më të ashpër se pjesa e tjetër e shtetit.

Rajoni, i cili përfshin Barcelonën, njoftoi mbylljen e bareve, klubeve dhe diskotekave këtë javë, si dhe një izolim nga ora një deri në gjashtë të mëngjesit. Masat do të hyjnë në fuqi të premten e 24 dhjetorit dhe fillimisht do të zgjasin 15 ditë. Megjithatë, për shkak të shkallës së vaksinimit prej më shumë se 80 për qind, shumë prej të infektuarve shfaqin simptoma të lehta dhe spitalet nuk janë mbingarkuar.

Ndërkaq sipas një studimi të publikuar në Mbretërinë e Bashkuar dhe Afrikën e Jugut vala e Omicron duket të jetë më e butë, por shqetësimi mbetet. Provat tregojnë se shumë të infektuar me këtë variant kanë më pak nevojë për trajtim spitalor sesa me variantet e tjera.

 

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *