BSH: Raporti i kredive me probleme ra sërish në nëntor, preku nivelin 6.2%

Raporti i kredive me probleme po vijon rënien e qëndrueshme edhe në muajt e fundit të vitit. Mbështetur në informacionin e Bankës së Shqipërisë për Monitor, raporti i kredive me probleme në fund të nëntorit ra më tej në 6.2%, nga 6.35% që kishte qenë në fund të muajit tetor.

Raporti i kredive me probleme të sektorit bankar ka rënë me 2 pikë përqindje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe tashmë është në nivelet që shënonte para krizës së vitit 2008.

Në analizat e fundit, Banka e Shqipërisë vlerëson se “Ekspozimi i sektorit bankar ndaj rreziqeve konvencionale të veprimtarisë vlerësohet i kontrolluar. Kundrejt tyre, rezistenca e sektorit bankar vlerësohet e fortë pasi situata e likuiditetit është e mirë, veprimtaria bankare gjeneroi fitim në vlera të kënaqshme dhe sektori paraqitet i mirëkapitalizuar.”

Statistikat tregojnë se raporti i kredive me probleme po shfaq rënie të qëndrueshme gjatë vitit 2021, pavarësisht shqetësimeve të lidhura me efektet zgjatura në kohë që mund të jepte pandemia. Për shkak të masave të lidhura me ristrukturimet që ishin në fuqi gjatë vitit 2020 dhe gjatë tremujorit të parë të këtij viti, ekzistonte shqetësimi se rritja e kredive të këqija mund të ndodhte kryesisht pas mesit të këtij viti. Por, në fakt, përmirësimet në ekonominë reale gjatë vitit 2021 dhe vijimësia e huadhënies kanë dhënë një efekt të dukshëm pozitiv në ecurinë e raportit të kredive me probleme.

Në fund të muajit tetor, portofoli total i kredisë për ekonominë arriti në 652 miliardë lekë, me një rritje prej 15 miliardë lekësh krahasuar me shtatorin. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parw, rritja e portofolit të kredisë ka arritur nivelin 10% Rritja pozitive e portofolit, veç kredidhënies së re, po ndikohet edhe nga faktorë të tjerë, si pakësimi i fshirjes së kredive të humbura, ristrukturimet e aplikuara pas pandemisë, që sollën një amortizim më të ngadaltë të portofolit, por edhe nga rritja e peshës së kredisë afatgjatë në portofolin total të huasë.

Megjithatë, në projeksionet për vitin e ardhshëm, Banka e Shqipërisë vlerëson se “ruajtja e cilësisë së portofolit të kredive duhet të mbahet në vëmendje, në drejtim të administrimit të portofoleve ekzistuese me probleme, por, edhe të goditjeve të mundshme që lidhen me pandeminë, qoftë si efekte të raundit të dytë të goditjeve, qoftë të problemeve që mund të dalin nga administrimi në vijim i kësaj situate”.

/Burimi: MONITOR/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *