“Kërko ndjesë publike”, Meta në krahë të Grida Dumës. Ultimatum Ramës

Jo vetëm LSI-ja, por edhe presidenti Ilir Meta ka dënuar dhunën verbale ndaj Grida Dumës. Mjaft i drejtëpërdrejtë, kreu i shtetit i drejtohet Ramës se këto sulme janë të papranueshme.

Në të njëjtën kohë, Meta apelon ndaj Ramës që të kërkojë ndjesë publike, dhe të tërheqë mbrapsht sulmin ndaj Grida Dumës. Dje në një dalje televizive, Rama etiketoi çdo kandidat të opozitës, ndërsa për Grida Dumën kishte rezervuar një koment ngacmues. Ai kishte zgjedhur një foto të saj, ndërsa mbante një fjalim. Duma ishte kapur në momentin kur kishte gojën hapur, ndërkohë që mbante mikrofonin para. Fotoja në fjalë kishte komentin; “Gridare, gridare, gridare ohoho”.

Në lojën e fjalëve, mes emrit të saj dhe kuptimit të fjalëve në gjuhën italiane Rama tha: “Bërtit, bërtit ohoho!”. Kryeministri Rama tha dje se PD po kërkon të rikthehet në qeveri me të njëjtat fytyra. Ai i cilësoi kundërshtarët si të çekuilibruar, ndërsa kreun PD e cilësoi si një person i cili, sipas tij, është në gjumë. Një kundërpërgjigje e hapur vjen nga presidenti Meta.

Statusi i Metës

E dënoj me ashpërsi dhunën verbale dhe linçimin publik, të papranueshëm për traditën shqiptare dhe çdo shoqëri demokratike, të bërë ndaj zonjës, njëherazi nënë e një fëmije të mitur, Grida Duma. Asnjë ndarje politike nuk mund t’i japë të drejtë revanshit të rrugaçërisë, për më tepër kur këto sulme të papranueshme për moralin njerëzor dhe etikën institucionale, konsumohen nga personat e veshur me autoritetin e shtetit. Duke besuar në reagimin e fuqishëm të shoqatave që angazhohen për mbrojtjen e të drejtave të grave, i bëj thirrje Kryeministrit ende në detyrë, të kërkojë ndjesë publike dhe të tërheqë mbrapsht sulmin dhe fjalorin ordiner të përdorur ndaj zonjës Duma.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *