INVESTIGIM XIII/ Skandali i ‘Fondit Besa’. Institucion mikrokredie që lëvron mbi 200.000 euro kredi

Shqipëria është pa diskutim vendi i paradokseve dhe çudirave të padëgjuara edhe pse njerëzit i harrojnë shpejt ato. Kjo gjë na ka ndodhur edhe ne në “Priza.al” që prej më shumë se dy javësh po merremi me një investigim mbi “Fondin Besa”.

Edhe pse mund të konsiderohet pa frikë si njëri prej skandaleve financiare në sistemin bankar që prej krizës së piramidave të vitit 1997, duket se kjo nuk i bënë përshtypje as qeverisë dhe as organeve të drejtësisë.

Disa herë në shtypin shqiptar në 15 vitet e fundit në “Fondin Besa”, një institucion financiar për mikrofinancime, kanë shpërthyer skandale të mëdha.

Por zhurma në media dhe opinionin publik është davaritur shpejt nga hedhja e parave lum, që kanë mbuluar dhe gjurmët, në një kohë që përgjegjësinë e kanë marrë disa ish-punonjës të Fondit të pafajshëm.

Duket se të ngazëllyer nga kjo, si dhe duke pasur parasysh se çudia më e madhe në Shqipëri “zgjat vetëm 3 ditë”, aksionerët dhe drejtuesit e “Fondit Besa” e kanë bërë edhe më të madh aktivitetin e pastrimit të parave.

E themi këtë pasi nga materialet që disponojmë dhe po bëjmë publike, në 4-5 vitet e fundit “Fondi Besa” ka zhvilluar me intensitet një skemë mashtrimi me kreditë e tij, duke përfshirë si viktima mijëra klientë në të gjithë vendin.

E themi këtë me bindje dhe me fakte pasi në bazë të dëshmive me emra dhe me foto që “Priza.al” ka siguruar nga disa dhjetëra klientë pa dëshirë të “Fondit Besa” del qartë në skenë loja me nxjerrjen dhe pastaj me zhdukjen e qindra miliona lekëve.

Loja e “Fondit Besa”

Organet e drejtësisë nuk kanë reaguar deri tani por vetëm Banka e Shqipërisë, është munduar që të vihet disi në lëvizje për t’u njohur më shumë me këtë skandal të ri, se sa për të marrë masa.

Të paktën deri tani sipas informacioneve të burimeve nga brenda “Fondit Besa” asnjë audit, kontroll, apo marrje në pyetje nuk është organizuar ndaj drejtuesve më të lartë të fondit.

Por faktet që në gjithë këto ditë ne i kemi bërë publike, tregojnë qartë se “Fondi Besa” jo vetëm që është përfshirë në një aktivitet të dyshimtë kreditimi (pa dëshirën e atyre që figurojnë si klientë), por në këtë aktivitet janë të përfshirë emra të drejtuesve më të lartë të Fondit, si dhe drejtues nga banka tregtare të nivelit të dytë në vend.

Është detyre e Bankës së Shqipërisë, që të paktën kur përmendet emri si disa bankave të nivelit të dytë, siç janë “BKT”-ja apo “Credins Bank”, bashkë me AMF-në, të nisin një verifikim ose të bëjnë qoftë një deklarim për transparencë të publikut mbi çështjen.

Por asgjë nuk ka ndodhur nga këto, madje në adresën e “Priza.al” nuk ka ardhur qoftë as edhe një përgënjeshtrim si nga “Fondi Besa” ashtu edhe nga Banka e Shqipërisë apo AMF-ja.

Të vetmet që kanë ardhur këto ditë kanë qenë dhjetëra dëshmi viktimash të “Fondit Besa” dhe qindra mesazhe kërcënimi dhe shantazhi që të mbyllim këtë çështje që “mund të na kushtojë edhe shtrenjtë”.

“Fondi” jepje edhe kredi mbi 100 milionë lekë

Në shkrimin e djeshëm, “Priza.al” solli faktet e ardhura prej viktimave të “Fondit Besa” se si disa noterë në Tiranë, por edhe në disa rrethe, bënin plotësimin e dokumenteve dhe përpilimin e shkresave të kolateralëve, pa dijeninë absolute të klientëve që ishin në fakt viktima të një skeme mashtrimi.

Noteret Majlinda Demollari dhe Edlira Malaj, ishin vetëm dy prej atyre që merrnin nga drejtuesit e “Fondit Besa” të dhënat personale të individëve dhe më pas i bënin ata si firmëtarë jo vetëm në kredimarrje, por edhe në dorëzani apo kolaterale pronash të patundshme.

Por një fakt edhe më tronditës që burimet nga brenda “Fondit Besa” i dhanë “Priza.al” është ai se si nga degët “Tirana 1” dhe “Tirana 6” të Fondit, gjatë 3-4 viteve të fundit 2017-2020, kishin dalë edhe “kredi” në shifra kolosale prej 100-200 milionë lekësh (të vjetra) apo edhe 100 -300 mijë dollarë.

Kjo gjë bie ndesh me ligjet që rregullojnë tregun e institucioneve jo banka të mikrokredive dhe që mbikëqyret nga Banka e Shqipërisë. Ne nuk mund të themi nëse vet BSH-ja ka qenë në dijeni për këtë veprim nga ana e Fondit, por e sigurt është se individë të caktuar brenda BSh-së, janë në dijeni të këtij fakti.

Ndërkohë burimet i kanë thënë “Priza.al” se, “gjatë vitit 2018 një prej sekserëve të skemës së kapjes së klientëve, Anelita Lila, kishte mundur të nxirrte edhe kredi në shuma të mëdha prej 100 milionë lekësh në kash, direkt nga arka e degës ‘Tirana 1’.

Për këtë veprim ishin në dijeni edhe përgjegjësja e degës Nr. 1 të Tiranës, Lindita Ndroqi, si dhe drejtori degës Laert Prifti, të cilët e kishin firmosur kalimin e pagesës dhe më herët edhe dokumentacionin”.

Por Anelita Lila, nuk është e vetmja që ka kaluar nga sportelet e arkave të degëve të “Fondit Besa” kredi qindra milionëshe, pasi edhe sekserë të tjerë, por edhe persona VIP dhe biznesmenë, kanë bërë transaksione të tilla.

Si rregull këto shuma duhet të kalonin nga sportelet e bankave të nivelit të dytë, por duket se “Fondi Besa” ka pasur “dorë të lirë” nga të gjitha institucionet mbikëqyrëse.

Këtë e tregon edhe mbyllja e shpejte e çështjeve të më hershme nga drejtësia dhe sfumimi i fakteve që kanë botuar më herët mediat e tjera…

Vijon…. /Priza.al/

Ky artikull është ekskluziv i “Priza.al”, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Priza.al” dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *