INVESTIGIM XIV/ Dëshmia ‘bombë’ e punonjëses: Ja si pastrohen miliona në ‘Fondin Besa’  

Kujtuat se nuk kishim më se çfarë të tregonim…? Mendoni se problemi i mashtrimeve të “Fondi Besa” u mbyll me kaq? Aspak! “Priza.al” sjell sot një tjetër dëshmi të fortë mbi skemën e mashtrimit të zhvilluar ndër vite nga “Fondi Besa”.

Tashmë nuk janë vetëm klientët e Fondit që po sjellin dëshmitë e tyre se si pa dëshirë janë ngatërruar në skemën e kredive. Sot po sjellim dëshminë tronditëse të një punonjëseje nga brenda “Fondit Besa”, e cila na ka zbardhur se si ka qenë e organizuar skema për mashtrimin e mijëra qytetarëve dhe pastrimin e miliona eurove fonde.

Pasi ka kontaktuar me redaksinë tonë në adresën zyrtare, punonjësja e “Fondit Besa” i ka rrëfyer “Priza.al” gjithë skemën e ngritur mes drejtuesve të fondit dhe sekserëve që kanë organizuar në 5 vitet e fundit gjithë operacionin e mashtrimit masiv me kreditë fiktive dhe me pastrimin e shumave që kapin dhjetëra miliona euro.

“Unë që po ju shkruaj, dua të ngelem anonim! Kam mbi 10 vjet te ‘Fondi Besa’ dhe aktualisht jam oficere kredie. Marr shkas nga shkrimet tuaja që na duket si telenovela në pamje të parë, por që kështu është e vërteta për fat të keq. Po po! Po të punosh te ‘Fondi Besa’, që në momentin që bën aplikim për të filluar punë, duhet të deklarosh që ke njohje të gjera dhe se mund të gjesh sa më shumë klientë.

Banda e vajzave të Fondacionit "Besa", si mashtruan me kreditë, përfituan 3.7 mln Euro - YouTube

Si nis punë në “Fondin Besa”

Sipas dëshmisë së ardhur në “Priza.al” nga një prej oficereve të kredisë në një prej degëve të “Fondit Besa”, pranë këtij institucioni nuk është shumë e rëndësishme shkollimi i punonjësit, se sa njohjet që ai ka dhe allishverishet që mund të bëj.

“Të punosh te Fondi nuk është e domosdoshme nëse ke mbaruar ose jo Fakultetin Ekonomik. Aty, ka shumë njerëz që punojnë pa pasur shkollën përkatëse”- thotë oficerja e kredisë.

Ajo vijon më tej duke treguar se, “Aktualisht unë kam një portofol kredie shumë të mirë qoftë në numër, qoftë në vlerë. Asnjëherë nuk më ka pyetur njeri sa e vështirë është të gjesh klientë potencial tek ne.

Megjithëse e kam portofolin e kredisë të mirë, përsëri kam një plan shumë ambicioz. Por nëse nuk e realizon planin të tërhiqet vëmendja në forma të ndryshme konspirative, që i dinë vetëm të ‘Fondi Besa’.

Duke pasur një portofol të madh në situatat që kemi kaluar, kemi klientë të cilët nuk kanë mundësi pagese në një muaj të caktuar. Por fondi s’do t’ia dijë fare. Vetë ke këmbëngulur për ta dhënë kredinë, ‘unë s’dua t’ja dijë, kredia do paguar paguar’- thotë Drejtoresha.

Pra nëse ti nuk bën si thotë drejtoresha e degës dhe drejtori rajonal, në këtë moment, ti ke hapur një ‘luftë të ftohtë’ me ta.

Në kushtet kur pagesat janë mujore dhe unë skam mundësi ku të gjej paratë nga presioni që duhet të paguaj, flas me shoqet një nga një se si më duhet të bej një kredi në emër të tyre, pasi e kam klientin qe nuk më ka bërë pagesën.

Kështu veprohet në shumicën e rasteve, jo vetëm në degën time, por në të gjithë vendin ku ka zyra të ‘Fondit Besa’.

Hidhet kredia në sistem nëpër të gjitha shkallët që duhet, në bazë të shumës dhe manualit që kemi. Kur në një pikë kërkohet informacion, japin arsyet pse dua ta jap këtë kredi. Miratohet, printohet, noterizohet dhe më pas kalon përsëri disa shkallë, deri sa arrin te financa ku disbursohet. Më pas shkoj me personin në bankë dhe i tërheq, ose te posta, pasi pagesat e postës nuk nxjerrin emrin se kush e bën pagesën.

Në këto kushte veprojmë ne oficeret e kredisë që jemi të pambrojtur nga askush, se Fondi të vetmin produkt që ka është kredidhënia. Rezultati në fund të muajit del shkëlqyer. Dega lavdërohet por pa pyetur se si është arritur në produktin final. Por ne kur na vjen fundi muajit nuk dimë ku të shkojmë më përpara dhe çfarë të bëjmë”.

Staff Training March 5-6, 2019 – Fondi BESA SH.A.

Si veprohej me kreditë e mëdha

Edhe pse ligji nuk ja lejon, “Fondi Besa” që është një institucion mikrokredie, ka dhënë gjatë gjithë këtyre kohëve kredi të mëdha në dhjetëra miliona lekë, të cilat duhet t’i japin bankat e nivelit të dytë.

Këtë e konfirmon edhe dëshmia e dhënë për “Priza.al” nga oficerja e kredisë së “Fondit Besa”.

Sipas saj, “ndryshe ndodh me kreditë e mëdha. Ato zakonisht i japin disa degë ose kush e ka mirë me drejtorin e degës. Drejtori i degës këto kredi ja jep ti plotësojë kujt i serviloset më shumë sepse, ai ose ajo është më e mira për të.

Në momentin që një kredi e madhe nuk ka mundësi pagese të këstit, nuk shqetësohet askush, sepse me një kërkesë nga klienti, bëhen manovrime nga më të ndryshmet, gjë që e bën komiteti MLE, me asistentët e tyre.

Janë këta të fundit që pyesin a ka paguar filani apo fisteku, ndërsa për kreditë e vogla në nivel dege, nuk do t’ja di njeri, sepse jemi ne ata që i kemi prezantuar.

Sa për pagesat në fund të muajit, ose këstet, për 10 vjet që kam unë në këtë punë, e njëjta histori është. Ne oficerët e kredive po nuk pari lekë klienti që të paguajë këstin, duhet t’i gjejmë ne dhe pagesa duhet shlyer në rregull.

Kur bie e shtunë ose e diel fundi i muajit, na duhet fatura ta çojmë në financë, se është me datë valute të muajit pasardhës. Kur u hap arka te rruga e ambasadave shpëtuam sepse ata i bënin listat se cili nuk paguante, dike i mbyllur dhe nëse nuk kishim para ja merrnim dikujt tjetër dhe muajin tjetër.

Por unë duhet të gjeja klient që të bëja kredi për të plotësuar borxhin që e kisha marrë te një tjetër oficer koleg i një tjetër dege. Kjo detyrojë fillimisht oficerët dhe përgjegjësit, por më pas edhe shefat e degëve që të krijonin strukturat e sekserëve.

Tek arka te rruga e ambasadave vinin nga të gjitha degët e rretheve me lista klientësh, sepse aq shumë ishin.

No photo description available.

Kur nuk paguhej kredia oficerit i mbahej paga

“Fondi Besa”, jo vetëm mashtrimet me klientët, por ka pasur tepër të aplikueshme edhe ndëshkimet për punonjësit, të cilët nuk arinin të realizonin objektivat e caktuara nga shefat.

“Nëse na dilte ndonjë klient pa paguar nga gënjeshtra që ai thoshte, sikur e kishte bërë pagesën, drejtoresha e degës na ulëriste mesa fuqi kishte. Në këtë moment, ajo lidhej dhe me drejtorin e madh dhe bënin një kërkesë që paga ime të kalonte te klienti për shlyerje kësti. Por kur ishte këst mujor i lartë, u mbahej paga edhe disa oficerëve”,- dëshmon për “Priza.al” oficerja e kredisë së “Fondit Besa”.

Ajo vijon më tej duke thënë se: “në këto kushte, përsëri muajin pasardhës duhet të bëja kredi që të jepja pagën për oficerët që më kishin ndihmuar me pagat e tyre për mbushjen e boshllëkut të borxhit nga mospagesa e kësteve prej klientëve.

Dega dilte shkëlqyer dhe përsëri në kurriz të oficerëve si puna ime, që kemi rritur listën e miqve tanë që duhet t’u bëjmë pagesën e tyre, që mos të kishin probleme te Banka e Shqipërisë që ne i themi shkurt ‘boa’.

Këto sqarime që ju dhashë më lart ishin edhe gjatë kohës së tërmetit dhe më pas edhe me pandeminë, pasi aktualisht shumicën e kredive i kemi të ngrira ose  të ngurtësuara.

Janë oficerët e kredisë ata që lënë pagat dhe bonusin kush e përfiton, si peng dhe jo të gjithë oficerët e marrin në kohë, për shkak të mospagesës së kredive në kohën e duhur nga klientët. Ky është ‘Fondi Besa’ që po na pinë gjakun çdo ditë.

Nuk ikim dot se kemi lënë aq shumë para nga pagat tona te Fondi si peng, sa tani mund të kishim blerë një shtëpi.

Mjafton që një audit nga shteti ose nga BSH-ja të hapë kontrollin e veprimeve të fund muajit, si te arka e Fondit dhe te posta deri në fund të vitit 2019 dhe do të zbulohen skandale të mëdha”.

Vijon… /Priza.al/

Ky artikull është ekskluziv i “Priza.al”, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Priza.al” dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *