“Botërori më i bukur”/ Shakohoxha: Argjentina e meritoi 100%, francezët gjejnë justifikime

Finalja e madhe e Botërorit të Katarit është ende në qendër të vëmendjes dhe festa për tifozët e Argjentinës dhe Lionel Messit sapo ka filluar.

Për të folur për këtë ngjarje të madhe sportive, në Edicionin Informativ të orës 19:00 në Abc, ka qenë i ftuar Dritan Shakohoxha, i cili e cilësoi këtë Botëror si më të bukurin të organizuar ndonjëherë.

Shakohoxha tha se nuk ka patur finale më të bukur më parë dhe e vetmja që i përafrohet është finalja e Stambollit mes Milanit dhe Liverpulit. Ai theksoi gjithashtu se trofeu ishte tërësisht i merituar nga Argjentina dhe tashmë morën fund dyshimet për më të mirin, Messi apo Maradona.

“E meritoi 100% Argjentina. E meritoi Messi me skuadrën e Argjentinës. Ishte një skuadër e plotë e bashkuar me një objektiv. Kokëulur si ata çiklistët që ulin kokën drejt finishit pa parë majtas dhe djathtas, drejt një objektivi. Unë jam te grupi i njerëzve që kanë menduar se ky Botëror është i Messit, nuk mund të largohej me atë dyshimin Maradona apo Messi, ky dyshim u shënua përfundimisht”, tha Shakohoxha.

Shakohoxha komentoi gjithashtu edhe festën pas finales së madhe, me italianët e Napolit që kanë gjetur te Messi një idhull të ri pas Maradonës. Sipas tij, italianët duan të marrin pak nga gjithë vëmëndja që u largua prej tyre që kur nuk mundën të kualifikoheshin në këtë Botëror.

“Ishte një festë, e zmadhojnë pak mediat italiane. Festa më e madhe ishte në Barcelonë në Madrid, por italianët duan të hipin tek autobusi i fituesit. Italianët duan që të jenë edhe ata pjesë e kësaj finaleje. Mjafton që e kanë bërë ata kupën”, u shpreh ai.

Finalja e madhe tregoi gjithashtu se Messi dhe Mbappe do t’i japin shumë futbollit për sa kohë të luajnë bashkë në një klub, por edhe në nivel kombëtaresh kur fati t’i përballë sërish.

Megjithatë, për Shakohoxhën rivaliteti që do të na mbajë mbërthyer vitet e ardhshme do të jetë Mbappe-Haaland, edhe pse jo aq e magjishme sa Messi-Ronaldo.

“E ardhmja e afërt duket sikur do të jetë Mbappe-Haaland. Sado bukuri të ketë kjo ndeshje, kurrë nuk do të jetë aq e bukur sa ishte ajo mes djaloshit të varfër nga Madeira siç ishte Cristiano Ronaldo, dhe një djaloshi të varfër dhe të dobët fizikisht nga Rosario, Lionel Messi. Haaland dhe Mbappe do shënojnë më shumë gola se ata, sigurisht do thyejnë edhe rekorde. Dyshoj që do jetë aq e bukur sa ajo e Messit me Ronaldon”, vijoi Shakohoxha.

Ai komentoi edhe mediat franceze, që kanë kërkuar që goli i barazimit të Messit të anulohet, pasi lojtarët kanë hyrë në fushë për të festuar para se topi të hyntë në rrjetë. Për Shakohoxhën këto janë vetëm mënyra për të ngushëlluar veten.

“Këto janë përpjekje për të ngushëlluar veten. Franca bëri një super Botëror, luajti gjysmëfinalen me Marokun për nja 50 minuta u zhduk siç u zhduk edhe me Argjentinën dhe nuk e fitoi, e humbi. Më shumë se e humbi Franca, e fitoi Argjentina Messi. Diçka të jashtëzakonshme ka në këtë. Ky është Botërori më i bukur, më i pastër i fituar nga Argjentina. Francezët do gjejnë ndonjë justifikim. Para shumë vitesh thonim humbje dijnitoze. Humbja është humbje, shko në shtëpi mendo për ndeshjen tjetër. E vetmja gjë që do mbahet mend nga kjo finale pas ca vitesh është Messi që ngre Kupën. Kështu janë finalet, mbahet mend fituesi dhe harrohet humbësi”, përfundoi Shakohoxha.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *