Pasi i shemben tunelet, Gjokës i ‘ngrin’ dhe ‘Rruga e Arbrit’/ Kaos me automjetet, firma 0 mjete në punë për pastrimin e akullit    

Moti i keq po bën punën e tij, por duket sikur Rrok Gjoka dhe kompania e tij “Gjoka Konstruksion”, kanë hequr prej kohësh dorë nga mirëmbajtja e veprave që ende nuk kanë përfunduar dhe dorëzuar.

Të gjitha rrugët që ka nën administrim dhe në ndërtim kompania “Gjoka” janë kthyer në kurthe vdekjeprurëse për shoferët e guximshëm që orvaten t’i përshkojnë duke bërë një aventurë të vërtetë.

E fundit por jo nga rëndësia, “Rruga e Arbrit” me gjithë problemet në cilësi dhe siguri që ka, ditët e fundit ka ngrirë nga bora e madhe që ka rënë aty.

Por kompania “Gjoka” duket se nuk ka ndërmend që të bëjë më asnjë përpjekje për sigurinë dhe mbajtjen hapur të saj, madje prej ditësh aty janë ndërprerë që të gjitha punimet.

E vetmja që patrullon në këtë rrugë dhe u kërkon shoferëve që të bëjnë kujdes ose të evitojnë kalimin, është Policia Rrugore, që për të shmangur sa më shumë aksidentet fatale, del e patrullon në disa segmente.

Në rrugën që po mbulohet nga bora dhe ngricat nuk punon asnjë borëpastruese apo mjet i kompanisë “Gjoka”, ndaj çdo automjet që kalon aty luan me kokën e njerëzve dhe me fatin.

Moti i keq bllokon rrugën

Moti i keq ka mbyllur përkohësisht Rrugën e Arbrit. Policia e Dibrës njofton se për shkak të resjeve të dëborës në Rrugën e Arbrit, në Bypass, qarkullimi i automjeteve është ndaluar përkohësisht pasi i gjithë aksi po pastrohet nga borëpastueset.

“Për shkak të reshjeve të dëborës në Rrugën e Arbrit, në Bypass, qarkullimi i automjeteve është ndaluar përkohësisht pasi i gjithë aksi po pastrohet nga borëpastueset. Shërbimet e Policisë Rrugore ndodhen në të dyja kahet e lëvizjes dhe nuk do të lejojnë asnjë drejtues mjeti të qarkullojë pa vendosur goma dimërore zinxhirë dhe deri sa rruga të pastrohet plotësisht nga kontraktorët. Policia e Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të tregojnë kujdes të shtuar në drejtimin e mjetit, si dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme në këtë aks. Në rast nevoje për ndihmë, telefononi në numrin 112 ose dërgoni njoftim në Komisariatin Dixhital”,- thuhet në njoftimin e policisë.

Në Bulqizë e Dibër reshjet e dëborës kanë rënë pa ndërprerje gjatë gjithë natës së mbrëmshme dhe vijojnë ende. Trashësia e dëborës në qytetin e Peshkopisë shkon në 10 cm, ndërsa në zona të thella kalon mbi 70 cm.

Të bllokuara janë rrugët që lidhin qytetin e Peshkopisë me Njësit Administrative Lurë, Selishtë, fshatrat e Kalasë së Dodës, Sllovës, Luznisë dhe një pjesë e fshatrave të Tominit dhe Melanit.

Në Bulqizë ka rreth 10 cm dëborë në qytet, ndërsa në zona të thella ka 70 cm. Të bllokuara  janë fshatrat e Njësive administrative  Krastë, Ostren, Trebisht dhe disa fshatra të Njësive Zerqan e Fushë Bulqizë. Të dyja Bashkitë kanë pastruar rrugët e brendshme të qytetit, por ende nuk kanë nisur të hapin rrugët e Njësive Administrative.

Aksi Peshkopi – Burrel – Tiranë është i kalueshëm pa probleme pasi gjatë gjithë natës kanë punuar 6 mjete borëpastruese.

Aksi ura e Çerenecit-Klenjë-Librazhd  kalimi bëhet me vështirësi me zinxhirë nga Klenja deri në Steblevë pasi trashësia e borës shkon në 80 cm.

Aksi Peshkopi – Qafë Draj – Kukës kalimi bëhet me vështirësi me zinxhirë

Nga situata e vështirë me reshjet e dëborës ka pasur probleme me energjinë elektrike, në disa Njësi Administrative, si Lura, Selishta, një pjesë e Kalasë së Dodës dhe Sllovës, Krastës, Ostrenit, Trebishtit dhe fshatrat e Tërnovës.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *