Hajdutët bëjnë ‘bingo’ në Sarandë! Grabisin 200 mijë Euro në kasafortën e supermarketit… në ikje edhe DVR e kamerave të sigurisë  

Me maska, doreza, në qetësi dhe me një superinformacion të siguruar me gjasë nga ndonjë burim nga brenda, disa hajdutëve në qytetin e Sarandës nuk mund t’u shkonte më mirë se kaq…

Ata kanë arritur të grabisin nga kasaforta e një supermarketi në Sarandë një shumë prej 200 mijë eurosh, por nuk mund të iknin pa marrë edhe DVR-në e kamerave të sigurisë, duke lënë me “gisht në gojë” tashmë edhe hetuesit e policisë që të parën gjë që bëjnë në një skenë krimi është të ngrenë sytë nga tavanet ku instalohen kamerat.

Por duket se hajdutët kanë qenë disa “hapa para” dhe e kanë programuar mirë “goditjen” e tyre, duke përfituar edhe nga mendjelehtësia e pronarit që kishte lënë brenda kasafortës një shumë të tillë.

Kasaforta e grabitur është e një supermarketi në lagjen nr.4 të qytetit të Sarandës. Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme, ku raportohet se disa persona të paidentifikuar kanë hyrë nga pjesa e pasme e biznesit dhe kanë arritur që të hapin kasafortën duke marrë paratë që kishte brenda.

Nga pronarët e biznesit pretendohet se grabitësit kanë marrë rreth 200 mijë euro, por ende shuma nuk është konfirmuar. Sipas tyre, ata kryejnë depozitime në bankë një herë në tre ditë, ndaj edhe ka qenë kjo shumë e madhe në kasafortë.

Ndërkohë që grabitësit para se të largoheshin nga biznesi, kanë marrë edhe DVR e kamerave të sigurisë brenda marketit, duke u siguruar kështu që nuk kanë lënë asnjë shenjë pas.

Policia e gjendur ngushtë, po heton ngjarjen duke marrë pamjet e kamerave të sigurisë të objekteve që janë rreth e rrotull biznesit të grabitur, për të siguruar kështu një pamje të autorëve.

Por duke ditur se për shuma edhe më të vogla se sa kjo grabitësit në vend kanë vënë më shumë jetën në rrezik, kjo e djeshmja, mund të konsiderohet vërtet si “bingo” për hajdutët që me gjasë janë profesionistë (nëse nuk kanë lënë gjurmë brenda supermarketit).

/Priza.al/

 

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *