Zvicra ndalon reklamimin e duhanit dhe cigareve elektronike

Qeveria zviceriane ka njoftuar se së shpejti do të hyjë në fuqi rregulli për ndalimin e reklamave për produktet dhe nënproduktet e duhanit që priren të përdoren nga të rinjtë. Kabineti tha se do të forcojë kufizimet e tij tashmë të planifikuara për të ndaluar reklamat në vendet dhe mediat ku të rinjtë mund ta shohin atë.

Ligjet e reja do të hyjnë në fuqi nga mesi i vitit 2026 dhe do të forcojnë kufizimet në paketimin dhe reklamimin e duhanit dhe cigareve elektronike që do të hyjnë në fuqi nga viti i ardhshëm. Masa, e cila do të prekë median e shkruar, reklamat në internet dhe festivalet, është projektuar për të reduktuar konsumin e duhanit dhe vdekjet e lidhura me to, shkruajnë mediat e huaja.

Qeveria njoftoi se pirja e duhanit mbetet relativisht e përhapur në Zvicër me 9,500 njerëz që vdesin para kohe çdo vit si rezultat i konsumit të duhanit, duke e përshkruar atë si një nga problemet më të mëdha të shëndetit publik të vendit.

“Përdorimi i duhanit shkakton sëmundje të shumta jo të transmetueshme dhe kostoja e trajtimit të tyre mjekësor arrin në 3 miliardë franga zvicerane (3.37 miliardë dollarë) në vit. Reklamimi i duhanit luan një rol të rëndësishëm në vendimin për të filluar duhanin,” tha qeveria.

Qeveria gjithashtu bëri me dije se në vitin 2022, 6.9% e zviceranëve 11 deri në 15 vjeç kishin pirë cigare në 30 ditët e fundit, ndërsa 5.7% e të rinjve të moshës 15 deri në 24 vjeç kanë përdorur cigare elektronike të paktën një herë në muaj.

Në të ardhmen, nuk do të lejohet reklamimi i produkteve të duhanit apo cigareve elektronike në mediat e shkruara, dyqane apo evente që mund të vizitohen nga të miturit. Përveç kësaj, sponsorizimi i ngjarjeve në të cilat marrin pjesë persona nën 18 vjeç do të ndalohet.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *