Zbulimi i përgjimeve ‘Pegasus’/ Gazetaria investigative merr çmimin nga Parlamenti Evropian!

Dy ditë para përvjetorit të katërt të vrasjes me kontratë të gazetares malteze Daphne Caruana Galizia, një çmim i ri i emëruar për nder të saj dhe krijuar nga Parlamenti Evropian, i është dhënë një grupi gazetarësh të cilët zbuluan skandalin e vëzhgimit të paligjshëm të njohur si Projekti Pegasus.

Organizata kryesore pas projektit ishte OJQ-ja gazetareske me bazë në Paris, Tregime të Ndaluara, e themeluar menjëherë pas vrasjes së Caruana Galizia. ‘Pegasus‘, një projekt investigativ nga “Tregimet e Ndaluara”, ka fituar çmimin për gazetari Daphne Caruana Galizia të ndarë në Bruksel për herë të parë në ditën e sotme.

Duke pranuar çmimin, Laurent Richard, themeluese e “Tregimeve të Ndaluara”, tha se ky çmim është shumë i rëndësishëm dhe se ndjehet e vlerësuar për punën që projekti ka bërë.

“Edhe nëse vret korrierin, nuk mund të vrasësh kurrë mesazhin. Kjo është arsyeja pse ne jemi këtu sot”, tha ajo. “Tregimet e Ndaluara” është një platformë që siguron që gazetarët nën kërcënim mund të tregojnë informacionin e tyre përmes kanaleve të sigurta të komunikimit.”

Fituesi u zgjodh nga një juri e pavarur e përbërë nga përfaqësues të shtypit dhe të shoqërisë civile nga të 27 shtetet anëtare evropiane.

Në fjalën e tij hyrëse, Presidenti i Parlamentit David Sassoli, një gazetar për shumë vite para se të hynte në politikë, tha: “Vdekja e Daphne Caruana Galizia ka sjellë një ringjallje të gazetarisë investigative nga kolegët e angazhuar për të vazhduar punën e saj. Shembujt e fundit, siç janë Pandora Papers, kanë demonstruar fuqinë unike të gazetarisë që është e guximshme dhe e patundur, veçanërisht kur kryhet në kontekstin e një konsorciumi ndërkombëtar”.

Daphne Caruana Galizia ishte një shkrimtare, blogere dhe aktiviste kundër korrupsionit, e cila raportonte për ngjarjet politike në Maltë. Në veçanti, ajo u përqendrua në gazetarinë investigative, raportimi mbi korrupsion qeveritar, akuzat për pastrim parash dhe krim të organizuar.

Ajo u vra në një shpërthim me bombë në makinë më 16 tetor 2017.

Çmimi ‘Daphne Caruana Galizia’ do të ndahet nga Parlamenti Evropian çdo vit. Me vlerë 20 mijë euro, ky çmim thuhet se do të dallojë punën e jashtëzakonshme të gazetarisë bazuar në parimet dhe vlerat e Bashkimit Evropian.

Një juri e pavarur e përbërë nga përfaqësues të shtypit dhe shoqërisë civile nga 27 shtetet anëtare evropiane dhe përfaqësues të shoqatave kryesore Evropian të Gazetarisë kanë zgjedhur fituesin.

Data e ceremonisë së ndarjes së çmimeve do të jetë çdo vit rreth 16 tetorit, si një kujtesë simbolike e datës kur u vra Daphne Caruana Galizia.

/Burimi: Times of Malta/ Përshtati: Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *