‘Qytetarët, i mbuluan nga xhepi shpenzimet e larta…’/ Raporti i fundit i KLSH-së zbardh keqmenaxhimin e pandemisë nga qeveria

Kontrolli i Lartë i Shtetit ta publikuar në një raport të fundit, anën e “errët” të menaxhimit të pandemisë Covid-19 nga qeveria shqiptare. Sipas raportit “Efektiviteti i menaxhimit të situatës pandemike Covid-19”, thuhet se “kriza e COVID-19 është një nga sfidat më të mëdha në historinë e Bashkimit Evropian dhe padiskutim edhe vendit tonë, në aspektin e shëndetit, shoqërisë dhe ekonomisë”.

Megjithatë, dokumenti i nënshkruar nga Kryekontrollori, Arben Shehu, vë theksin në problematikat e shumta të sistemit shëndetësor dhe ekonomik shqiptar, të cilat janë munduar të mbulohen nëpërmjet një politike agresive propagandistike e mediatike prej qeverisë shqiptare në 18 muaj e fundit.

Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, “…menaxhimi i COVID-19 në vendin tonë nxorri në pah problematikat e shumta të sistemit shëndetësor”.

(Foto: KLSH ka hartuar raportin “Efektiviteti i menaxhimit të situatës pandemike Covid-19”)

Për KLSH-në, problemet më kryesore ishin kapacitete spitalore rajonale të pamjaftueshme, funksionimin joeficient të qendrave shëndetësore të njësive të vendore të kujdesit shëndetësor, kapacitete profesionale të specialistëve të sëmundjeve infektive në kujdesin shëndetësor parësor shumë të kufizuar, fonde financiare të  pamjaftueshme, mangësi në stokun e materialeve të mbrojtjes personale (MMP-ve), pamjaftueshmëri në trajnimet e stafit mjekësor, pasiguri në vendin e punës, e të tjerë.

(Foto: KLSH ka konstatuar problematika të shumta në menaxhimin e pandemisë Covid-19)

Raporti prej më shumë se 70 faqesh ka bërë një radiografi, ndoshta më të qartën deri më tani, mbi situatën e pandemisë së shkaktuar nga SARS-COV-2 në Shqipëri.

Përhapja e virusit

Kontrolli i Lartë i Shtetit është treguar veçanërisht i rreptë në konstatimet e tij mbi mënyrën se si është kryer gjurmimi i personave të prekur nga Covid-19.

“Politikat e ndjekura nga Ministria e Shëndetësisë dhe institucionet shëndetësore nuk kanë justifikuar qëllimin e ekzistencës të tyre, për të rritur cilësinë e jetës së qytetarëve, “por përkundrazi kanë ndikuar në shfaqjen e mjaft problemeve psikologjike, morale, shpirtërore dhe social ekonomike, të cilat tashmë i kemi ndeshur dhe jetuar dhe në familjet tona, në çdo sekondë të kësaj pandemie”,- thuhet në raport.

(Foto: KLSH është kritike për sistemin e gjurmimit të përhapjes së virusit)

Sipas audituesve, vonesat në kohë, lidhur me sistemin e lajmërimit mbi situatën shëndetësore jo të zakonshme të qytetarëve, numri i vogël i grupeve të terrenit dhe mbingarkesa e tyre, kanë ndikuar në shëndetin e pacientëve dhe bënë që procedurat e testimit në disa raste të mos kryheshin brenda afateve kohore të përcaktuara.

Kjo situatë ndikoi, ndër të tjera, edhe në përkeqësimin e situatës së trupës mjekësore.

“Kontaktet në rritje me personat e infektuar si dhe ekspozimi ndaj virusit, përbënin një risk të lartë të infektimit të mjekëve në këto grupe, gjë e cila u shoqërua dhe me humbje jete të stafit mjekësor”,- thuhet në raport.

Po ashtu, rritja e numrit të kërkesave për testim, mosfunksionimi i spitaleve dhe laboratorëve rajonalë, u shoqëruan me rritje të kohës së pritjes së qytetarëve nga kryerja e tamponit deri në marrjen e përgjigjes nga laboratori i virologjisë.

“Si pasojë, u rrit, si numri i pacientëve që trajtoheshin me antibiotikë pa u konfirmuar të infektuar me COVID-19, ashtu edhe i atyre që filluan trajtimin vonë në pritje të rezultateve të testit”,- thekson Kontrolli i Lartë i Shtetit, në një prej gjetjeve më të rëndësishme të tij.

“Shpenzimet nga xhepi”

Shumë qytetarë kanë pranuar se shpenzimet për kurimin e tyre apo familjarëve të tyre të prekur nga Covid-19 janë përballuar nga buxhetet familjare, të cilat rëndom kanë arritur në disa milionë lekë të vjetra.

Ky shqetësim është konstatuar edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili ngre dyshimet për skemën e sigurimeve shëndetësore.

“Shpenzimet nga xhepi për shëndetësinë ishin të larta si për personat e siguruar, ashtu dhe për personat e pasiguruar, gjë e cila ngre pikëpyetje dhe mbi efikasitetin e skemës aktuale të sigurimeve”,- thuhet në auditimin e KLSH-së.

(Foto: KLSH konstaton shpenzimet e larta të kryera nga qytetarët për kurimin nga Covid-19)

Raporti thekson se “Mungesa e fondeve për shëndetësinë, mbulimi jo i plotë i shërbimeve shëndetësore, si dhe mungesa e një urdhri administrativ nga MSHMS për ofrimin falas/ rimbursim të vizitave dhe mjekimeve në institucionet jopublike për COVID-19, tregojnë një efektivitet jo të lartë të politikave shëndetësore në menaxhimin e situatës dhe një perceptim negativë të qytetarëve për sistemin shëndetësor”.

Kontrolli i Lartë i Shtetit, konstaton si mangësi faktin që Ministria e Shëndetësisë nxori Udhëzimin për rimbursimin e pacientëve të prekur nga Covid-19 rreth 9 muaj pas shfaqjes së pandemisë.

Por, edhe ky Udhëzim nuk solli efekte pozitive në financat e familjeve të personave të sëmurë.

Nga kontrolli në disa qendra shëndetësore, grupi i auditimit konstatoi se: “rimbursim nuk është kryer në masën 100%, pacientët nuk kanë qenë në dijeni të këtij informacioni, duke mos harruar dhe faktin që çmimet e barnave në Shqipëri shpesh janë më të larta se në vendet e tjera të BE-së”.

Testimet

Mungesa e testimeve, sidomos në fazën e parë të përhapjes së pandemisë, ishte një prej pikave më të kritikueshme ndaj qeverisë në përballimin e situatës së shkaktuar nga ‘Covid-19”.

Në kohë pandemie, sistemi ynë shëndetësor, nuk mund të bazohej vetëm në kapacitetet e veta dhe për këtë, kuptohej, do dilte e nevoja e bashkëpunimit me institucionet jopublike, gjë e cila është dhe një detyrim ligjor.

Në Korrik 2020, Ministri i Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, nxori urdhërin për testimin molekular (testimin e shpejtë) edhe në laboratorët jo-publikë.

Por, siç konstaton Kontrolli i Lartë i Shtetit, urdhëri i Ministres nuk citon asnjë nen ligjor mbi të cilin bazohet.

Kjo mungesë nuk është thjesht një aspekt procedurial.

Vonesat në kohë të lajmërimit të pacientëve të rezultuar pozitv nga Instituti i Shëndetit Publik për shkak të mbingarkesës, si edhe mosfunksionimi i laboratorëve rajonalë, sollën rritjen e numrit të pacientëve drejt institucioneve shëndetësore jopublike.

“Njohja e të drejtës institucioneve shëndetësore jopublike për kryerjen e testit RT-PCR për SARS- COVID-2 në kohë pandemie, përveç pakënaqësisë dhe kostos së lartë që shkaktoi te qytetarët, rezultat një menaxhimi të ulët, nga ana tjetër tregoi dhe një sistem shëndetësor të dobët, mungesë kapacitetesh spitalore rajonale publike dhe financiare”,- thuhet në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit.

(Foto: KLSH kritikon mënyrën e ndjekur nga Manastirliu për përfshirjen e laboratorëve privatë në testet e shpejta “Covid-19”)

Nga ana tjetër, KLSH konstaton se Drejtoria e Përgjithshme e Akredimit (DPA), struktura përgjegjëse për certifikimin e laboratorëve, është përjashtuar nga e drejta e saj ligjore.

“Marrja e kompetencave nga Komiteti i Ekspertëve dhe Ministria e Shëndetësisë, ka sjellë përjashtim të padrejtë të DPA-së duke cenuar vërtetësinë e të dhënave laboratorike për Covid-19”,- thekson Kontrolli i Lartë i Shtetit.

“Përjashtimi i DPA-së ka sjellë pasoja të mungesës së vërtetësisë së analizave, pasi nuk ka marrë pjesë në akreditimin e aparaturave laboratorike të përdorura për këtë qëllim”,- mbyll konstatimin e tij Kontrolli i Lartë i Shtetit mbi vendimin e Manastirliut për përfshirjen e laboratorëve privatë në testimet e shpejta anti-Covid.

/Priza.al/

 

 

 

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *