VIDEO/ Kapet ‘furnitori’ i rrezikshëm i kokainës për metropolin Tiranë-Durrës. Kush është 39-vjeçari dhe zonat ku shiste mall…  

Tregu i kokainës në metropolin shqiptar Tiranë-Durrës ka pësuar sot një “goditje”, kjo si pasojë e kapjes së një prej “furnitorëve” kryesor të mallit nga ana e uniformave blu.

Operacioni policor i koduar “Stacioni”, ka mundur që të vërë në pranga një shtetas 39-vjeçar, i cili shpërndante lëndë narkotike kokainë në qytetin e Tiranës dhe Durrësit.

Burime zyrtare nga policia, bënë të ditur se pas hekurave përfundoi shtetasi Gjovalin Gjoka, banues në Shën Vlash të Durrësit, i dënuar më parë për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Ky shtetas, pasi siguronte lëndën narkotike në sasi prej 200-500 gramë, në zonën e Shijakut, e ndante në porcione nga 10 gramë deri në 100 gramë, të cilat më pas i shiste me shumicë në zonën e “Bulevardit të Ri”, në ish-Stacionin e Trenit dhe në zonën e “Zogut të Zi“, në qytetin e Tiranës, po ashtu në Durrës dhe në Shijak, kundrejt vlerës 8000 lekë të rinj për gramë.

Klientët që blinin lëndën narkotike i priste në stacione autobusësh, për të mos rënë në sy. 39-vjeçari e kryente këtë aktivitet kriminal dy herë në javë.

Në vijim të operacionit, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 400 gramë kokainë, një sasi dozash me kokainë, 1 aparat celular dhe 1 automjet me të cilin lëvizte ky shtetas.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *