U hetua në disa shtete të Ballkanit për pastrim fondesh ruse dhe u dëbua/ ‘IuteCredit’ bën namin me kredi dhe reklama në Shqipëri    

Mediat investigative të rajonit por edhe projekte ndërkombëtare të gazetarisë investigative siç janë “Insajderi.com” apo “BIRN”, kanë shkruar kohët e fundit për rritjen e rrezikuar të pastrimit të parave në Shqipëri.

Shumë media kanë shkuar edhe me tej duke dhënë fakte konkrete mbi hulumtime, se në Shqipëri ndër të tjera po pastrohen edhe para nga organizata kriminale dhe mafia ruse, në sektorë si ndërtimi, shit-blerja e pronave dhe më pak në sektorë bankarë apo të mikrokredive.

Por vitet e fundit në Shqipëri ka pasur një shpërthim të sektorit të mikrofinancave, ku shumë institucione private të hapura rishtazi në dhënien e mikrokredive janë licencuar nga Banka e Shqipërisë, në një kohë që ato po konkurrojnë denjësisht me bankat private të nivelit të dytë.

Disa nga këto institucione mikrofinancimi, e kanë shtuar ndjeshëm aktivitetin në 5-6 vitet e fundit, duke u shtrirë në të gjithë vendin dhe duke shtuar edhe me shpejtësi portofolin e kreditimit.

Përveç “Fondit Besa” që ka një kohë më të gjatë operimi në tregun shqiptar në sektorin e mikrokredive, tani edhe shumë institucione të tjera janë shtuar, por bashkë me to edhe problemet që kanë sjellë për shumë klientë.

Jo vetëm “Fondi Besa” por tashmë edhe “NOA sh.a.” dhe “IuteCredit” janë disa institucione IFJB-ë të cilat në vitet e fundit bashkë me rritjen e aktivitetit kanë rritur edhe problemet, si për klientët e tyre, ashtu edhe për shtetin.

Sot “Priza.al” po analizon aktivitetin e “IuteCredit”, një IFJB e cila vitet e fundit është përfolur shumë jashtë vendit për lidhje dhe pastrim të parave me burime të dyshimta financimi, ku në qendër të hetimeve ndërkombëtare kanë qenë fondet e qeverisë ruse me destinacion Ballkanin Perëndimor dhe ato të mafies ruse.

Edhe pse në Shqipëri “IuteCredit” nuk është marrë nën hetim apo të paktën jo deri tani zyrtarisht, në vende si Kosova dhe Maqedonia e Veriut, ky institucion mikrofinanciar është hetuar dhe më pas larguar nga vendi.

Aktualisht përfaqësuesit dhe aksionerët e këtij IFJB-je, i kanë hedhur në gjyq arbitrazhi qeveritë e këtyre shteteve, por raportet dhe të dhënat për ta kanë dalë edhe nga seli diplomatike Perëndimore, që kanë ngritur alarmin për pastrimin dhe injektimin e parave të qeverisë Ruse në këto shtete nëpërmjet këtyre institucioneve.

Historia e “IuteCredit” në Kosovë

Institucionet financiare “Monego” dhe “IuteCredit” janë hetuar në Kosovë për lidhje dhe qarkullim parash nga oligarkë dhe politikanë të rëndësishëm rus dhe aktiviteti i tyre për një kohë të gjatë ka qenë nën lupën e agjencive të inteligjencës dhe atyre kundër krimeve financiare.

Këto dy IFJB janë mbyllur në Kosovë me vendim të qeverisë, për shkak të rrezikut për sigurinë kombëtare, edhe për faktin se që të dyja kishin një kompani të përbashkët mëmë, atë “Mintos”, e njohur për lidhje dhe për pastrimin apo qarkullimin e parave të politikanëve dhe oligarkëve rusë.

Duke iu referuar edhe të dhënave të publikuara rreth një vit më parë nga portali investigativ “Insajderi.com”, mbi aktivitetin e këtyre IFJB-ve, është zbuluar se miliona euro të dyshimta kanë hyrë në tregun e Kosovës nga ato.

Sipas mediave kosovare, “me këto para janë hapur institucione financiare të lidhura direkt me njerëz të fuqishëm të Rusisë, të cilët janë në listën e sanksioneve dhe kontrolleve nga ana e Qeverisë Amerikane”.

Sipas mediave kosovare dhe atyre të rajonit, drejtuesi dhe themeluesi i platformës “Mintos”, është një person i lidhur me shërbimin e inteligjencës ruse “FSB”. Kjo veprimtari në Kosovë alarmoi si Shtetet e Bashkuara dhe AKI-në (Agjencinë Kosovare të Inteligjencës). Ndërkohë, Prokuroria e Kosovës kreu hetime, nga ku të dyshuar dhe të përfshirë ishin edhe zyrtarë të BQK-së.

Nga hetimet intensive të autoriteteve kosovare rreth një vit më parë, mediat arritën të zbardhin faktin se, financimet e këtyre IFJB-ve, derivonin direkt nga programe dhe projekte të qeverisë ruse por jo vetëm…

Në lojë ishin edhe paratë e mafies ruse, të cilat po derdheshin me shumicë edhe për ta shtrirë aktivitetin edhe në vende të tjera. Në objektiv ishin vendet e Ballkanit Perëndimor, ku përveç Kosovës ishin edhe Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Shqipëria.

A kanë hyrë financimet ruse nëpërmjet “IuteCredit” në Shqipëri?

Një detaj i përdorur dhe theksuar nga mediat e Kosovës, ishte qëllimi që këto skema financimi, synonin shtrirjen edhe në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë në Shqipëri si, ndërtimi dhe turizmi.

Po ashtu shqetësues është edhe fakti se këto institucione IFJB, tashmë me aktivitet të gjerë në  Shqipëri prej disa vitesh, kanë zgjeruar tepër portofolin e kreditimit, por bashkë me të edhe problemet e shumta me klientët që denoncojnë abuzime pa fund.

Por po ashtu si edhe në Kosovë ky zyrtarët të lartë të Bankës Qendrore u morën nën hetim dhe u arrestuan, edhe në Shqipëri, institucione si “IuteCredit”, “NOA” apo dhe “Fondi Besa”, shfaqin të njëjtën formë agresive dhe problematikë me klientët e tyre, por në asnjë moment nuk janë kontrolluar apo penalizuar nga Banka e Shqipërisë.

Ajo që është më e çuditshme në gjithë aktivitetin e këtyre IFJB-ve, është fakti se ashtu si në Kosovë edhe këtu në Shqipëri, disa nga këto institucione bashkëpunojnë ngushtësisht me njëra-tjetrën pavarësisht rivalitetit dhe konkurrencës që duhet të kishin në treg, si dhe kanë lidhje për transaksionet e parave me po të njëjtat banka private, ku në këtë rast janë të dukshme dhe konfirmuara tashmë lidhjet e tyre me BKT-në.

Në Kosovë “Monego” e mohoi kategorikisht lidhjen me “IuteCredit”, por nga hetimet e institucioneve dhe investigimet e mediave, transaksionet zbuluan se prapa të dyjave, qëndronte “Mintos”, me pronar Martins Valters, i cili po konsiderohet si njëri prej personave që përbën rrezik të madh për Kosovën për shkak të lidhjeve të tij me shërbimet sekrete ruse dhe serbe.

Ai, ka futur dhe qarkulluar për pastrim miliona euro në tregun e Kosovës, nëpërmjet dy institucioneve financiare për kredi të shpejta, “Monego” dhe “IuteCredit”.

Ndërkohë, i çuditshëm por jo fare pa lidhje është fakti se edhe në Shqipëri, IFJB-të si “IuteCredit”, “Fondi Besa” apo “NOA” kanë aksionerë me origjinë nga Rusia, apo edhe vende të Lindjes, të cilët i kanë ndihmuar këto institucione të thithin shuma të mëdha kreditimi nga banka lindore të hetuara nga qeveria e SHBA-ve për lidhje me oligarkë apo politikanë rusë.

Jo më larg se dje, “Priza.al” publikoi në një shkrim mbi “Fondin Besa” edhe një kredi të madhe që ky IFJB ka marrë nga “Banka e Detit të Zi” në vitet e fundit, për ta dhënë në formë mikrokredie, me çmim dy fish më të shtrenjtë në interesa te klientët në Shqipëri.

Në ditët në vijim “Priza.al” do të vijojë me bërjen transparente të fakteve mbi këto IFJB dhe lidhjet e tyre me njëra-tjetrën, apo dyshimet për implikim të mafies ruse dhe politikës ruse në to me anë financimesh.

Vijon…

/Priza.al/  

Ky artikull është ekskluziv i “Priza.al”, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Priza.al” dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *