Tirana kandidate për organizimin e Botërorit të Peshëngritjes 2024

Tirana është kandidate për të qenë vendi organizator i Kampionatit Botëror të Peshëngritjes në vitin 2024. Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj priti sot Sekretarin e Përgjithshëm të Federatës Botërore të Peshëngritjes, Antonio Urso. Veliaj vlerësoi angazhimin e Federatës Botërore të Peshëngritjes, e cila pas kampionatit të të rinjve, që do të zhvillohet në Durrës, po shqyrton edhe mundësinë e zhvillimit të kampionatit të të rriturve vitin e ardhshëm në Tiranë.

“Një kandidaturë e Shqipërisë për të qenë mikpritëse e Kampionatit Botëror të Peshëngritjes në vitin 2024, do të ishte diçka që do të mbështetet padyshim nga unë, por jam i sigurt Kryeministri, Komiteti Olimpik, Ministria e Arsimit dhe gjithë komuniteti. Unë besoj fort se shansi na është dhënë në të gjitha sportet, por kemi treguar se jemi më të mirë në disa sporte, siç ka qenë peshëngritja dhe atletika.” – tha Veliaj.

Kryebashkiaku e cilësoi privilegj të madh mundësinë për këtë organizim.

Sakaq, Sekretari i Pëtgjithshëm Urso u shpreh: “Erdhëm këtu për të bërë një vizitë teknike për kampionatin e ardhshëm të të rinjve, i cili do të zhvillohet në muajin mars në Durrës. Përgjatë diskutimeve që kemi pasur këto ditë, i drejtuam një ftesë kreut të Federatës Shqiptare, që të kandidojë Shqipërinë në 2024, për kampionatet e ardhshme botërore për të rritur që do jetë një ngjarje e jashtëzakonshme, menjëherë pas Lojërave Olimpike të Parisit, ndaj shpresojmë të jemi sërish këtu në 2024.”

Veliaj e vuri theksin edhe në faktin se në gjithë këto vite, por sidomos gjatë 2023-shit, ku Tirana është dhe Qyteti Europian i Sportit, fokusi te sporti është maksimal, me synimin kryesor te angazhimi i sa më shumë të rinjve në një jetë të shëndetshme dhe aktivitet fizik.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *