Tenderi për paratë/ BSH gati të hedh në qarkullim kartëmonedhën e re 10 mijë lekëshe. Ja sa para kash ka në qarkullim popullata  

Qarkullimi i madh i parasë kash në Shqipëri, jashtë sektorit bankar, por dhe fenomeni i pastrimit të parave, si dhe rritja e kartëmonedhave të falsifikuara, janë disa nga problemet që ekonomia e vendit po përballet në vitet e fundit.

Institucionet financiare në vend, si ato publike dhe ato private, po orvaten për të bërë sa më shumë që të munden kanalizimin dhe formalizimin e ekonomisë, por kjo duket se në Shqipëri është një “betejë e humbur”.

Duke qenë se 2021 është një vit elektoral, është e kuptueshme se paraja në qarkullim është më e madhe si në rrugë formale, ashtu dhe informale. Por nga ana tjetër edhe sasia e parasë shqiptare, Lekut, që dëmtohet si dhe ajo që preket nga falsifikimi, janë rritur në tre vitet e fundit, kjo referuar edhe të dhënave zyrtare.

Për të eliminuar sidomos këto dy fenomenet e mësipërme, si dhe për të rritur sigurinë e kartëmonedhave tona, prej disa vitesh Banka e Shqipërisë po punon për të rinovuar fondin e të parasë, pra Lekut.

Për këtë BSH-ja ka zhvilluar vitet e fundit disa tenderë që edhe pse janë mbajtur sekret, kanë kapur shifra të mëdha në euro, për të përgatitur prerjet e reja të parasë shqiptare që do të jenë më të sigurta.

Deri tani në qarkullim janë hedhur në sasi të konsiderueshme pre 1 viti kartëmonedhat 200 lekë dhe ajo 5000 lekëshe. Por tenderët kanë vijuar edhe për përgatitjen e kartëmonedhave të tjera që i përkasin serisë së Lekut.

Albania unveils new Family Banknotes - Launch of New Banknote - YouTube

Gati prerja më e madhe

BSH-ja do të hedhë në qarkullim brenda gjysmës së parë të këtij viti, çka nënkupton muajin maj ose qershor, kartëmonedhën e re të prerjes 10.000 lekëshe. Në raportimin vjetor për Kuvendin e Shqipërisë, banka qendrore bën të ditur se, po vazhdon procesin e rinovimit dhe përmirësimit të cilësisë së kartëmonedhave.

Në këtë proces, risia kryesore është padyshim hedhja për herë të parë në qarkullim e prerjes 10.000 Lekë. Kjo është prerja më e madhe e parasë e përdorur ndonjëherë për monedhën shqiptare.

Banka e Shqipërisë e pati shpallur vendimin për të hedhur në qarkullim një prerje të tillë vitin e kaluar, ndërsa në informacionin e fundit zyrtar, bën të ditur se kjo kartëmonedhë është prodhuar dhe pritet ardhja e saj në Shqipëri, së bashku edhe me serinë e re të prerjes 1000 Lekëshe. Deri tani, BSH nuk i ka bërë ende publikë elementët vizualë që do të jenë pjesë e kësaj prerjeje.

Paralelisht, banka qendrore ka përfunduar procedurat e tenderimit dhe BSH-ja është në fazën e nënshkrimit të kontratave me kompanitë fituese, për prodhimin e kartëmonedhave të prerjeve 500 lekë dhe 2000 lekë, të cilat mendohen të hidhen në qarkullim në fund të vitit 2021.

Si do të jetë kartëmonedha e re dhe më e madhja deri tani në Shqipëri?

Paraja në qarkullim

Në fund të vitit 2020, numri i kartëmonedhave shqiptare në qarkullim ishte rreth 156 milionë copë (për secilën prerje), për një vlerë totale afërsisht 350 miliardë lekë. Në krahasim me vitin 2019, numri i kartëmonedhave në qarkullim është rritur me rreth 10.3%, ndërsa vlera e kartëmonedhave është rritur me pothuajse 15%.

Struktura e parasë në qarkullim kryesohet nga kartëmonedhat me vlerë nominale 5000 Lekë dhe 2000 Lekë, që përbëjnë secila rreth 26% të totalit, të ndjekura nga prerja 1000 Lekë, me rreth 24% të numrit të përgjithshëm të tyre.

Vitin e kaluar BSH-ja nisi përmirësimin e serive të kartëmonedhave, me qëllim forcimin e elementeve të sigurisë dhe dizajnit, praktikë e zakonshme për bankat qendrore, që përgjithësisht zbatohet çdo 15 deri në 20 vjet.

Të gjitha prerjet e serisë aktuale të kartëmonedhave dhe monedhave shqiptare, përveç asaj 2000 Lekë, janë miratuar në vitin 1995 dhe janë hedhur në qarkullim në vitin 1996. Ndërkohë, në vitin 2008, serisë i’u shtua kartëmonedha 2000 Lekë.

BSH-ja argumenton se, në këto 20 vite kanë ndodhur ndryshime të vazhdueshme në teknologji, si për sa i përket elementeve të sigurisë që mund të dallohen nga publiku i gjerë pa përdorimin e makinerive të posaçme, ashtu edhe për sa i përket atyre që njihen nga makineritë e përpunimit dhe numërimit të kartëmonedhave.

/Burimi: BSH/Priza.al/

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *