Skandali/ Si u mbulua për disa muaj nga prokurori vjedhja e të dhënave personale nga ‘Fondi Besa’… edhe pse kishte hetim policor!  

Vjedhja e të dhënave personale që ditët e fundit është një prej zhvillimeve më të bujshme dhe është bërë tashmë pjesë e një hetimi nga Prokuroria e Tiranës, për “Priza.al” nuk është një fakt i ri dhe i panjohur.

Që vitin e kaluar “Priza.al” e ka denoncuar këtë fenomen tashmë të bërë publik për të gjithë, si një praktikë që rëndom kryhej nga oficerët e kredive dhe zyrtarë të tjerë në disa prej institucioneve të mikrofinancave, ku më e spikatur kjo praktikë ishte në “Fondi Besa”.

Pikërisht në këtë të fundit kjo praktikë përdorej sidomos për klientët problematikë me pagesat e interesave të kredive, por edhe me klientë “të majmë” të cilët kishin lënë si kolaterale prona me vlerë të caktuar.

Për këta të fundit, duket se oficerët e kredive dhe drejtorët e degëve, duke pasur si orjentim zhvatjen e pronave, u drejtoheshin regjistrave të të dhënave personale dhe sajonin në mënyrë të fshehtë dokumente origjinale sikur të ishin sjellë nga vetë klientët, duke bërë kështu fillimisht bllokimin, e më pas tjetërsimin, deri në zhvatjen e pronës.

Kjo gjë për “Priza.al” u servir gjatë një dëshmie ekskluzive nga çifti i juristëve nga Tirana, Fatjona Male dhe Edmond Kasmi, të cilët vunë në dispozicionin tonë prova dhe fakte që tregonin se si ata nga klientë ishin kthyer në viktima të një mashtrimi të strukturuar nga punonjësit e “Fondit Besa”, të cilët pasi u kishin marrë të dhënat personale, kishin nisur që t’ua dublonin si dhe t’i përdornin për t’u tjetërsuar dhe zhvatur pronat e patundshme.

Kjo gjë është e dëshmuar sot nëpërmjet dokumentesh të shumta (me foto) që tregojnë se nga zyrtarë të “Fondit Besa”, jo vetëm që ishin vjedhur të dhëna personale, por ato përdoreshin lehtësisht pasi ata kishin edhe akses të lirë pranë “e-Albania-s”.

Kjo gjë provohet edhe nga një hetim policor i sektorit të Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit, pas akuzës së ngritur nga juristja Fatjona Male, që më herët kishte qenë klientë e “Fondit Besa”, nga ku kishte aplikuar për një kredi konsumatorë.

Ishte pikërisht oficerja e kredisë së “Fondit Besa”, Flutura Çuka, ajo që ishte futur dhe kishte hapur profilin e Fatjona Males, duke nxjerrë prej aty të dhëna personale dhe marrë madje edhe certifikatë.

Por një tjetër burim i pakundërshtueshëm në lidhje me skema të caktuara mashtrimi apo manipulimi, siç janë “vjedhja e të dhënave personale”, apo “tjetërsimi i adresave apo dokumenteve të klientëve”, tashmë me anë provash hetimore nga Policia e Shtetit, “Priza.al” e posedon gjithashtu.

Si “Fondi Besa” posedonte prej disa vitesh të dhënat personale nga “e-Albania”

Portali publik i shërbimeve “e-Albania” i hapur si një “risi inovative dhe teknologjike” e qeverisë “Rama” dhe i reklamuar si një portal i cili do të ofronte lehtësira dhe komoditet për të marrë dokumente elektronike në një kohë rekord, u kthye shumë shpejt në një fole vjedhjeje nga ata që u duheshin të dhënat personale.

Por po ashtu ky portal ka edhe përgjegjësinë për të mbrojtur të dhënat personale të qytetarëve nga keqpërdorimi apo grabitja e identitetit.

Megjithatë, duket se “Fondi Besa” jo vetëm që nuk do t’ja dijë për ligje, pasi prej vitesh vepron në shkelje të hapur me disa ligje, por ky institucion që ka mikluar edhe Bankën e Shqipërisë, duket se nuk pyet as për qeverinë më.

E themi këtë pasi, është pikërisht “Fondi Besa” i cili me anë të blerjes së të dhënave apo edhe nëpërmjet hakerimeve, arrin të futet edhe deri brenda portalit qeveritar dhe të nxjerrë prej aty, të gjitha dokumentet që i duhen për t’u shitur klientëve të tij të paqenën si të qenë.

(Foto: Certifikata e juristes Fatjona Male, marrë në vitin 2018 nga oficerja e ‘Fondit Besa’, Flutura Çuka, nga ‘e-Albania’, pa dijeninë e klientes)

Këtë veprim ka bërë edhe oficerja e kredisë së “Fondit Besa”, Flutura Çuka, e cila është futur në portalin shtetëror “e-Albania.al” dy vite më parë, duke aplikuar si të ishte vetë klientja e saj Fatjona Male, dhe te llogaria e saj ka marrë dokumente personale pa dijeninë dhe miratimin e klientes, madje duke i ndryshuar dhe kodet llogarisë së saj në profilin shtetëror të “e-Albania”-s.

(Foto: Oficerja e kredisë së ‘Fondit Besa’, Flutura Çuka)

Këtë gjë e ka dëshmuar për “Priza.al” vet bashkëjetuesi i Fatjonës, juristi Edmond Kasmi, i cili bashkë me partneren e tij pasi janë interesuar pranë portalit por dhe në burime të tjera private, kanë mësuar se oficerja e kredisë Flutura Çuka kishte arritur që të nxirrte certifikatë personale në emër të klientes Fatjona Male, me qëllim ngatërrimin e kësaj të fundit dhe vënies përballë faktit të kryer se ajo nuk kishte shlyer kredinë e marrë pranë “Fondit Besa”.

Nga sa ka mësuar “Priza.al”, edhe nëpërmjet burimeve konfidenciale brenda “Fondit Besa”: “kjo procedurë në këtë institucion ndiqet për të gjithë klientët kur ata ose fillojnë të kenë probleme me kredinë, ose kur si garanci është ndonjë pronë me vlerë, që ja vlen të përvetësohet. Por po ashtu, kjo procedurë zbatohet edhe kur oficerët e kredive apo shefat e tyre bllokohen për arsye të ndryshme me bilancin e portofolit të kredive dhe duhet që patjetër ndonjë klienti të vendosin t’i ‘bëjnë gropën’ ose duke i marrë pronën ose duke i faturuar të tjera detyrime për të paguar”.

Dokumentet e hetimit policor

Nga klientë të dëmtuar prej “Fondit Besa”, del qartë se punonjësit e këtij institucioni kanë qenë të përgatitur thuajse të gjithë me të njëjtat metoda.

Jo vetëm prej çiftit të juristëve nga Tirana, por edhe prej të tjerë klientësh dëshmitë e të cilëve i kemi botuar më herët, del qartë implikimi i punonjësve të Fondit me trafikimin e të dhënave personale si në sportele bankash, me noterë të caktuar dhe po ashtu edhe në faqet publike ku vihen në dispozicion të dhëna personale, siç është rasti i “e-Albania”.

Juristes Fatjona Male, pikërisht nga oficerja e kredisë së “Fondit Besa”, Flutura Çuka, i ishin vjedhur të dhënat personale që në momentin e aplikimit për kredi, pa dijeninë e saj, dhe kishte nisur procedura e tjetërsimit të të gjithë dosjes së kredisë.

Mënyrën e tjetërsimit të dokumenteve për klientët që merrnin kredi, me qëllim ngarkimin e tyre me këste, kamata dhe komisione pa fund, për të dyfishuar të paktën shumën e kredisë, për “Priza.al” e kanë konfirmuar më herët edhe punonjës të vet “Fondit Besa” në dëshmitë e tyre ekskluzive dhënë për ne.

Kjo procedurë ka prekur edhe klienten Fatjona Male, e cila pas marrjes së kredisë prej 60 mijë eurosh në vitin 2018 pranë “Fondit Besa”, u fut në një skemë mashtrimi pa fund dhe tjetërsimi të dhënash, prej të cilës ende nuk ka mundur të dalë, edhe pse çështja tashmë është në dorë të gjykatave.

Por vërtetësinë e hapjes së procedurave të rreme dhe vjedhjes së të dhënave personale nga punonjësit e “Fondit Besa”, që në vetvete përbën një vepër penale, e konfirmon hetimi i sektorit të Krimit Kibernetik në Drejtorinë e Policisë së Tiranës (dokumentet).

(Foto: Dokumentet e dosjes policore ku konfirmohet këqyrja e telefonit të oficeres së kredisë Flutura Çuka dhe verifikimi se ajo ka përdorur adresën e klientes Fatjona Male në e-Albania që nga viti 2018)

 

Oficerja e kredisë Çuka, vidhte të dhënat personale dhe e përfytyronte veten si ‘007’

Tingëllon si e pabesueshme, por mund të marrë edhe doza humori, sjellja prej “hajduteje delirante” (e detyruar nga rrethanat), e oficeres së kredisë së “Fondit Besa”, Flutura Çuka, e cila në mënyrë tinzare dhe pa asnjë lloj autorizimi kishte vjedhur të dhënat e klientes së saj, Fatjona Male.

(Foto: Juristja Fatjona Male)

Këtë gjë vet punonjësja e “Fondit Besa”, e ka pranuar me gojën e saj në raportin dhënë për oficerin e policisë së shtetit, kur është marrë në pyetje për adresën e vjedhur në “e-Albania”, në emër të klientes.

Por ajo që është më e çuditshme, por edhe më komike në gjithë këtë skandal, është fakti se si oficeres së kredisë Flutura Çuka, i dukej vetja si një “agjente sekrete” ose një “James Bond-i” version femër, kur bënte gjithë allishverishet me të dhënat personale të klientes Male.

Këtë e tregon adresa e email-it që ajo kishte hapur “[email protected]”, për të bërë gjithë veprimet në portalin “e-Albania”. Por padashur “007-ës” së “Fondit Besa” na i kishte shpëtuar një pakujdesi në aplikim ku në plotësimin e të dhënave në portalin “e-Albania”, Flutura Çuka, kishte vendosur numrin e saj tëë celularit, konkretisht “0676470494”.

Mjaftojë kaq që oficerët e Policisë së Shtetit në sektorin e Krimit Kibernetik, të gjenin të gjitha veprimet dhe aplikacionet se sa herë dhe kur punonjësja e “Fondit Besa”, Flutura Çuka, kishte bërë veprime të paautorizuara në emër të klientes së saj Fatjona Male.

Për këtë të fundit të njëjtat evidentime i ka dhënë edhe AKSHI në materialet që ka përgatitur për Policinë e Shtetit dhe në zbardhjen e të dhënave që ka bërë kur vet juristja Fatjona Male është paraqitur personalisht për të rimarrë në posedim adresën e saj që përdorej pa leje nga Flutura Çuka.

Rastet përsëriten pa fund brenda “Fondit Besa”

Oficerja e kredisë së “Fondit Besa”, Flutura Çuka, nuk është një rast i vetëm i izoluar dhe fatkeq. Si ajo janë thuajse të gjithë oficerët e kredive, përgjegjësit e zyrave, drejtorët e degëve dhe deri tek drejtorë të lartë në institucionin e mikrofinancës së Bajram Muçës.

Edhe pse disa kohë më parë në një mbledhje vet presidenti i “Fondacionit Besa”, i nderuari Muça, kërkoi nga vartësit e tij “zbatim rigoroz të ligjit”, duket se është e pamundur që të shmangësh “procedurat standarde” mbi të cilat duket se është ngritur dhe funksionon vetë “Fondi” në marrëdhënien me të tretë.

Fakti që emrat e shumë drejtorëve, apo oficerëve të kredive, emrat e sekserëve, apo noterëve, si dhe procedurat standarde të mashtrimit, tjetërsimit, apo aplikimit, janë të njëjta për shumë klientë (dëshmitë e të cilëve janë publikuar në “Priza.al”), tregon se kemi të bëjmë me një organizatë apo skemë të mirëstrukturuar abuzive dhe deri kriminale.

Kjo, pasi mashtrimi në përmasa dhe në shuma të mëdha parash, apo edhe dyshimi për veprimtari të pastrimit të parave, si dhe forma thuajse e njëjtë e zhvatjes dhe rëndimit të klientëve, tregojnë qartë dhe në mënyrë të rikonfirmuar për atë që Prokuroria dhe Gjykata kanë frikë t’i vënë emrin deri tani, por që përbën aktivitet të pastër kriminal.

U desh dëshmia e dy juristëve të rinj nga Tirana, me fakte dhe dokumente, që po duan t’i shkojnë deri në fund këtij mashtrimi, që edhe një herë “Priza.al” të zbardhë atë që në fillim kemi denoncuar për “Fondin Besa”.

Por deri tani “Fondi Besa” me anë të noterëve, apo edhe prokurorëve si Ylli Bashaj, apo edhe gjykatës të caktuar, ka arritur t’i shmanget mirë përballjes me shtetin dhe ligjin.

Në ditët në vijim do të sjellim fakte dhe prova të reja rreth këtij mashtrimi, si dhe të personave të tjerë që janë implikuar aty.

Vijon….

/Priza.al/

Ky artikull është ekskluziv i “Priza.al”, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Priza.al” dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *