SHBA kërkon shtyrjen e zbatimit të vendimeve të Qeverisë për 30 ditë

 

Bllokada në veri nëpërmjet fotografive

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i ka kërkuar të dielën Qeverisë së Kosovës që të shtyjë për 30 ditë zbatimin e vendimeve për targat dhe dokumentet serbe.

Ai i ka bërë këto deklarata pasi serbët lokalë në veri të Kosovës kanë bllokuar me kamionë, dhe me mjete tjera, rrugët që çojnë drejt dy pikëkalimeve kufitare që lidhin Kosovën dhe Serbinë – Jarinjë dhe Bërnjak.

Bllokadat vijnë një ditë para se të hyjnë në fuqi dy vendime të Qeverisë së Kosovës që kanë të bëjnë me targat dhe dokumentet serbe.

Megjithatë, Hovenier ka thënë se “sipas pikëpamjes së Shteteve të Bashkuara të gjitha vendimet e Qeverisë janë në përputhje me marrëveshjet e Brukselit dhe Qeveria amerikane nuk ka pasur shqetësim për to”.

“Jam këtu që në emër të Qeverisë amerikane të kërkoj shtyrjen e zbatimit të këtyre dy vendimeve për 30 ditë. Ne mendojmë se një shtyrje e tillë do të ishte e rëndësishme, sepse duket se ka dezinformim dhe keqkuptime për këto vendime. Ne shpresojmë se do të punojmë me këtë Qeveri dhe kolegët nga Bashkimi Evropian që të sigurojmë se këto vendime kuptohen më mirë dhe në këtë mënyrë të ulim tensionet.

Hovenier ka thënë se për asnjë moment nuk ka kërkuar që marrëveshjet të rishqyrtohen.

“Dua të përmend se jemi të shqetësuar që disa individë kanë vendosur të tregojnë pakënaqësitë për këto vendime duke krijuar barrikada apo duke kufizuar lirinë e lëvizjes. Ne nuk inkurajojmë diçka të tillë. Rruga e duhur është përmes dialogut civil”, ka thënë mes tjerash ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq dhe drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, janë përgjegjësit kryesorë për situatën në veri të Kosovës.

Petkoviq, në anën tjetër, ka akuzuar Kurtin për krizën.

“Fajtori i vetëm për situatën aktuale në Kosovë dhe Metohi është Alibin Kurti, i cili me lëvizjet e tij të papërgjegjshme po shkakton krizë të re në territorin e Kosovës dhe Metohisë”, ka thënë Petkoviq në një deklaratë me shkrim.

Qeveria e Kosovës ka thënë se më 1 gusht do të nisë lëshimi i të ashtuquajturave dokumente për hyrje-dalje për të gjithë shtetasit e Serbisë që hyjnë në Kosovë.

Ky dokument do të lëshohet në të gjitha pikëkalimet tokësore dhe ato ajrore, si dhe do të jetë i vlefshëm për 90 ditë, ashtu sikurse dokumenti që autoritetet serbe lëshojnë për shtetasit e Kosovës kur të hyjnë në Serbi.

Po ashtu të hënën pritet të hyjë në fuqi edhe vendimi për riregjistrimin e makinave ma targa me akronime të qyteteve të Kosovës që lëshohen nga Serbia. Vlerësohet se 10.000 makina me targa si KM (Mitrovica e Kosovës), PZ (Prizren) UR (Ferizaj) e të ngjashme, qarkullojnë në komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Sipas vendimit të marrë më 29 qershor nga Qeveria e Kosovës, afati për riregjistrimin e makinave do të zgjasë deri më 30 shtator.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *