Vuçiç: I kemi lutur ta shtyjnë vendimin deri në një marrëveshje në Bruksel

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se ndoshta lufta më e vështirë politike është përpara, në javët dhe muajt e ardhshëm.

Ai i ka bërë këto deklarata në kohën kur Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur për shtyrjen e zbatimit të vendimeve për targat dhe dokumentet serbe për një muaj, duke thënë se dënon ashpër bllokimin e rrugës në veri të Kosovës.

“Kryeministri Kurti së bashku me presidenten Osmani dhe zëvendëskryeministrat Bislimi e Gërvalla kanë zhvilluar kontakte e takime me faktorët ndërkombëtarë amerikanë dhe evropianë. Me këtë rast, Qeveria e Kosovës jep zotimin që të shtyhet zbatimi i dy vendimeve të datës 29 qershor 2022, deri me datën 1 shtator 2022, nga momenti në ditën e hënë, 1 gusht 2022, kur do të hiqen të gjitha barrikadat dhe të vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës”, është thënë në njoftimin e Qeverisë.

Të dielën, serbët lokalë në veri të Kosovës kanë bllokuar me kamionë dhe me mjete tjera, rrugët që çojnë drejt dy pikëkalimeve kufitare, të cilat lidhin Kosovën dhe Serbinë – Jarinjë dhe Bërnjak.

Megjithatë, Vuçiç ka falënderuar serbët në Kosovë për, siç ka thënë, vetëpërmbajtjen e tyre.

Presidenti serb ka falënderuar edhe kryediplomatin e Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe përfaqësuesit e Ambasadës amerikane.

Ai ka falëndëruar edhe Ministrinë e Jashtme të Rusisë për reagimin.

“Po punojmë për qetësim. Gjithçka që mundemi, si mundemi. Sado e vështirë të jetë, nuk do të ketë dorëzim dhe Serbia do të fitojë”, ka thënë Vuçiq në një intervistë për TV Pink.

Ai ka deklaruar se shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Serbisë, Milan Mojsiloviq, është takuar me komandantin e misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR) dhe se kanë shkëmbyer informacione, pasi, siç ka thënë ai, gjatë mbrëmjes ka pasur shumë dezinformata.

Vuçiç ka bërë të ditur se, në mesnatë, komandanti i KFOR-it do të takohet me përfaqësuesit e serbëve nga veriu i Kosovës.

“I kemi lutur që të bëjnë gjithçka, nëse jo ta anulojnë (vendimin për zbatimin), atëherë ta shtyjnë zbatimin deri në arritjen e marrëveshjes në Bruksel”, ka thënë Vuçiç.

Presidenti i Serbisë, po ashtu, ka shtuar se pret që situata të shtensionohet gjatë ditës së hënë.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *