Analizë/ Reciprociteti, kurthi që e çon Vuçiç në njohjen e Kosovës

 

Nga Klara Dervishi

 

Në fillim, deklarata e Kancelarit gjerman, Olaf Scholz, në Kosovë dhe Serbi, vetëm pak ditë më parë dhe më pas edhe rezoluta e PE-së (Parlamentit Evropian), për njohjen reciproke Serbi-Kosovë, duket se i kanë lënë presidentit serb Vuçiç vetëm një alternativë: Njohjen e Kosovës, si kusht për integrimin në BE.
Analistë të ndryshëm të çështjeve ndërkombëtare ngritën pyetjet pse iu la ky artikulim Kancelarit gjerman?

Pse pak ditë para raportit për çështjet e integrimit dhe pse në këtë situatë lufte, kur SHBA dhe BE kërkojnë sa më shumë aleatë, përfshirë edhe në Ballkan, kundrejt agresionit rus?

A është e sigurt BE se Vuçiç do ta pranojë këtë kusht apo BE kërkon, thjesht, të ulë reputacionin e presidentit serb, nëse ai nuk e pranon dhe, për rrjedhojë, vendi nuk merr ftesën si vend kandidat?

Pse Vuçiç u shqetësua në konferencën për shtyp me Kancelarin Olaf Scholz dhe pse gënjeu ai, kur tha se këtë kërkesë e kishte artikuluar vetëm SHBA? Çfarë pritet të ndodhë dhe si mund të reagojë Vuçiç pas kësaj lëvizje taktike të BE-së? Priza.al ka pyetur dy analistë për këtë çështje dhe, sipas tyre, presidenti serb, Vuçiç, nuk ka alternativë tjetër, përveçse atë të njohjes së Kosovës.

Arsim Sinani, analist dhe profesor, Kosovë

U artikulua për herë të parë nga Scholz, Kancelari gjerman. Pse tani?

Serbia lipset të kuptojë se e ka humbur betejën në Kosovë, ka kryer gjenocid dhe veprimet e saj janë jonjerëzore.
Ishte thënë vetëm nga SHBA-ja më parë. Fakti që BE e kërkon tani, ka lidhje me situatën e luftës e për t’i vendosur kushte të tjera Serbisë apo lobimi amerikan në BE po jep frytet e veta?
Ideja është për ta tërhequr Serbinë në kah të Perëndimit dhe ajo lipset të zgjedhë çfarë dëshiron me Rusinë apo Perëndimin. Loja me dy qëndrime apo asnjanëse ka marrë fund.
A pritet të ketë rezultat nga Serbia, pra që ta pranojë?
Varet çfarë dëshiron Serbia. Nëse BE dhe Perëndimi do ta formalizojnë njohjen e Kosovës, që është një fakt real, ndryshe do të “riciklohet” dhe izolohet nga bota e qytetëruar.
Nëse kjo do të ndikojë negativisht për Vuçiç për t’i rënë reputacioni, duke qenë se pa këtë, nuk ka integrim në BE?
Vuçic është lojtar i dalë nga shkolla tradicionale serbe dhe nuk e ka problem reputacionin, si atëherë kur i shërbente Sheshelit e Millosheviçit, as sot kur i shërben Putinit, fshehurazi.
Sanksionet që Serbia nuk i ka pranuar, a janë rrezik në Ballkan?

Normal, pasi kjo tregon se çfarë ajo do dhe do ta shfrytëzojë situatën për përfitime dhe pazare.

Lulzim Veliu, analist, Berlin

  • 1. BE miratoi një rezolutë për Serbinë dhe, me një aneks të veçantë, u kërkua nga Serbia njohje e ndërsjellë me Kosovën, pra tani Serbia e ka të qartë se, pa njohjen e Kosovës, nuk do të pranohet në BE.
  • 2. Pozicioni i Gjermanisë kundrejt Kosovës nuk ka ndryshuar asnjëherë, edhe ish-Kancelarja Merkel ka kërkuar vazhdimin e dialogut, që duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë mes Serbisë dhe Kosovës, mirëpo këtë herë ishte më e rëndë për Serbinë dhe Vuçiçin, pasi ai foli në emër të BE-së dhe gjithë ai viktimizim i Vuçiçit para mediave ishte më shumë për konsum të brendshëm politik.
  • 3. Unë mendoj se është ndikimi i të gjithave nga pak. Për një kohë të gjatë, BE sikur e la pas dore gjithë Ballkanin Perëndimor, për sa kohë Shqipërisë dhe Maqedonisë nuk iu miratohet hapja e negociatave, edhe pse kanë përmbushur të gjitha kushtet, ndërsa Kosova është izoluar dhe ka mbetur i vetmi vend pa liberalizim vizash, tani pas agresionit rus në Ukrainë, edhe BE e ka parë se Ballkani perëndimor mund të jetë vatër krize, duke pasur për bazë ndikimin rus në Serbi. Është edhe lobimi amerikan gjithsesi, pra vetë pozicionimi i Presidentit Beiden, se gjithë konflikti shqiptaro-serb duhet të mbyllet gjatë këtij mandati
  • 4. Serbia ka ende shumë detyrime për të kryer para se të pranohet në BE, pra hapja e negociatave nuk do të thotë se u pranua në BE ose Kosova është i vetmi kusht, mendoj se Serbia po mundohet të përfitojë në kohë, shkaku edhe i presionit të brendshëm, derisa të ketë plotësuar të gjitha kushtet për t’u pranuar në BE, atëherë ajo do ta pranojë edhe Kosovën, pasi rrugë tjetër nuk ka.
  • 5. Një gjë e tillë nuk besoj se do të ndodhë, sepse këtu nuk bëhet fjalë vetëm për reputacionin e Serbisë, por edhe për izolimin e saj kundrejt BE-së dhe vendeve të rajonit.
  • 6. Mosvendosja e sanksioneve të Serbisë kundrejt Rusisë janë problem për Serbinë, sepse ka edhe disa afate që Serbia duhet t’iu përgjigjet, në të kundërtën presioni do të vazhdojë të rritet, deri në vendosjen e sanksioneve edhe kundër Serbisë nga SHBA-ja dhe BE-ja.

* Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Priza.al sipas ligjit Nr. 35/2016 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi pa autorizimin e Priza.al në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016*

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *