Qeveria dëmshpërblen familjarët e viktimave të Gërdecit!

Qeveria ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Strasburgut për të dëmshpërblyer familjet e viktimave të Gërdecit. Vendimi është marrë në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave.

Në nëntor të 2023-shit Gjykata e Strasburgut ka vendosur dëmshpërblim financiar për 17 persona, të plagosur dhe familjarë të viktimave në shumës prej 170 mijë eurosh.

Dëmshpërblehen me 12 mijë euro: Zamira Durdaj dhe Feruzan Durdaj.

Dëmshpërblehen me 10 mijë euro: Aishe Selami, Pashk Kaçi, Mirela Hazizaj, Miselda Zguri, Medi Gola, Rabie Gërdeci, Shaban Brahushi, Sabrie Picari, Dylbere Prini, Adelina Cani, Meltina Haka, Bege Aliu, Esmeralda Sefaj, Roxhens Durdaj, Alketa Hazizaj.

VENDIMI I QEVERISË

1. Ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 7.11.2023, për çështjen “Durdaj dhe të tjerë kundër Shqipërisë”, për kërkesën nr.63543/09 (Durdaj), nr.46707/13 (Selami), nr.46714/13 (Durdaj dhe Hazizaj), nr.12720/14 (Zamira Durdaj dhe Feruzan Durdaj), përfundimtar në datën 7.2.2024, sipas shumave të përcaktuara në shtojcën 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Vlerat e përcaktuara si detyrim në shtojcën 1, bashkëlidhur këtij vendimi, të konvertohen në lekë, në bazë të kursit të këmbimit të bankës, ku depozitohet shuma, në datën e kryerjes së pagesës.

3. Vlerat e përcaktuara si detyrim në shtojcën 1, bashkëlidhur këtij vendimi, të depozitohen në një nga bankat e nivelit të dytë, në emër të kërkuesve, sipas shtojcës 1, bashkëlidhur këtij vendimi, në vlerën që shteti shqiptar detyrohet, sipas vendimit përfundimtar të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 7.11.2023, “Durdaj dhe të tjerë kundër Shqipërisë”, kërkesa nr.63543/09, për secilën kërkesë.

4. Pagimi i shumave të depozituara, sipas përcaktimeve në pikën 3, të këtij vendimi, në favor të të gjithë kërkuesve nr.63543/09 (Durdaj), nr.46707/13 (Selami), nr.46714/13 (Durdaj dhe Hazizaj), nr.12720/14 (Zamira Durdaj dhe Feruzan Durdaj), të bëhet nga Ministria e Financave, pas paraqitjes së dokumentacionit të nevojshëm ligjor për kryerjen e pagesave nga buxheti i shtetit, brenda afatit 3-mujor nga dita kur vendimi i gjykatës është bërë përfundimtar.

5. Në rast mospagimi brenda afati 3-mujor, të përcaktuar në pikën 4, të këtij vendimi, për shumat e përcaktuara në shtojcën 1, bashkëlidhur këtij vendimi, të paguhen interesa të thjeshtë të barabartë me kursin margjinal të huas së Bankës Qendrore Evropiane, gjatë periudhës së mospagimit, plus 3%.

6. Efektet financiare të parashikuara për ekzekutimin e këtij vendimi përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për vitin 2024.

7. Ngarkohet Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.”, thuhet në vendim.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *