Përse nuk e mbajti fjalën Presidenti i Turqisë Rexhep Taip Erdogan?! (Vëzhgim)

Edhe këtë vit, në përfundim të muajit të Ramazanit, besimtarët muslimane e falën Namazin, në sheshin Skënderbej, ndërkohë që presidenti turk Rexhep Taip Erdogan, kur ishte për herën e fundit në Tiranë (17 janar), me rastin e inagurimit të një lagje të re në qytetin e Laçit, të financuar nga qeveria turke, si ndihmë për banorët e dëmtuar nga tërmeti, premtoi që kjo ngjarje (Namazi) do të shoqërohej edhe me përurimin e “Kompleksit të Namasgjasë”, premtim të cilin ai nuk e mbajti. Ja si u shpreh ai 5 muaj më parë:

“Pritja që m’u bë mua dhe delegacionit tim në Shqipëri, që në momentin kur shkelëm në tokën deri në largim, është shenjë e lidhjes shpirtërore që nuk këputet mes nesh dhe vëllezërve tanë në Ballkan. Pamë nga afër edhe punimet në xhaminë madhështore në Tiranë që po ndërtojmë ne. Puna vijon ende. Me ndihmën e Zotit, punimet do të përfundojnë shpejt dhe deri në fund të muajit të Ramazanit do ta hapim për besimtarët. Do të jem sërish në Tiranë për ceremoninë e hapjes”.

Kanë kaluar plot 7 vjet nga ai 13 maj i vitit 2015, kur u hodhën zyrtarisht themelet e ndërtimit të “Kompleksit të Namazgjasë” me pjesëmarrjen e Presidentit të kohës Bujar Nishani, Km. Edi Rama dhe Presidentit të Republikës së Turqisë Rexhep Tajip Erdogan. U deklarua se ky Kompleks do të jetë qendra më e madhe islame në Ballkan, e cila do të përfshijë xhaminë, një sallë konferencash, sallë mbledhjeje, një sallë ekspozitash, muzeun e parë islam në Ballkan, bibliotekën, zyra, parking, si dhe hapësira të tjera për publikun, gjithesej 20.000 m2, kurse xhamia do të ketë një kapacitet prej 4.500 vetash, që mund të falen në të njëjtën kohë.

Çfarë të ketë ndodhur vallë që presidenti turk kësaj here nuk e mbajti fjalën? Mediat tona nuk guxojnë të pyesin por kuptohet që ka një qejfmbetje. Ose Edi Rama e ka të vështirë të pranojë kërkesat e Erdoganit për ndëshkimin e gylenistëve që punojnë në Shqipëri ose dikush tjetër po e pengon inagurimin e Kopleksit të Namasgjasë. Në të gjitha versionet “dora e padukshme” është nga jashtë. Shpesh detajet, në se dimë t’i lexojmë, flasin më shumë se deklaratat patetike vëllazërore.

Gjithsesi këto janë punët e politikës, që e kanë shoqëruar nga hera shtetin e brishtë shqiptar.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *