Mutacioni Omicron/ Anthony Fauci për herë të parë jep një lajm ‘të mirë’ për botën…  

Indikacionet e para sugjerojnë se varianti “Omicron”, mund të shkaktojë simptoma më të lehta se varianti dominues “Delta”, thanë zyrtarët shëndetësorë në Shtetet e Bashkuara.

Shefi i këshilltarëve mjekësorë i Shtëpisë së Bardhë, Anthony Fauci, tha se, shkencëtarëve u duhen më shumë informacione para se të përcaktojnë ashpërsinë e variantit “Omicron”.

“Deri tani, nuk duket se ka një shkallë të lartë të ashpërsisë”,- tha Fauci për CNN.

“Por, ne duhet të jemi të kujdesshëm para se të bëjmë përcaktime nëse është më pak i rëndë, ose vërtetë nuk shkakton ndonjë sëmundje të rëndë, krahasuar me Deltën”,- tha Fauci.

Raportimet nga Afrika e Jugut, ku “Omicroni” u identifikua për herë të parë, dhe që atëherë po përhapet me shpejtësi edhe në shtete të tjera, sugjerojnë se ky variant, mund të shkaktojë simptoma më të lehta krahasuar me variantet paraprake.

“Omicroni” besohet se është më ngjitës sesa variantet tjera, përfshirë variantin “Delta”, por shkencëtarët ende po punojnë për të kuptuar se sa efektiv është ky variant për të shmangur mbrojtjen nga vaksinat.

Varianti i ri i koronavirusit është identifikuar në dhjetëra shtete, por “Delta” është varianti kryesor që ka shkaktuar rritjen e rasteve në Evropë dhe në Amerikën e Veriut.

Edhe nëse vërtetohet se “Omicroni” është më pak i rrezikshëm se “Delta”, ky variant do të vazhdojë të jetë problematik, tha për CBS, Maria Van Kerkhove, epidemiologe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

/Burimi: REL/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *