Më shumë kandidatë se PS në zgjedhjet e 25 prillit! Merret vendimi përfundimtar për listën e PD-së

Koalicioni i PD-AN do të shkojë në zgjedhje me 153 kandidatë dhe jo 222 siç pretendonte! Vendimi është marrë ditën e sotme nga Kolegji Zgjedhor, i cili ka rrëzuar Partinë Demokratike dhe i ka dhënë të drejtë kryekomisionerit Ilirjan Celibashi.

Përfaqësuesi i PS-së, në Kolegjin Zgjedhor, Eridian Salianji  tha se lista e PD-së me më shumë kandidatë dëmtonte garën e barabartë, e ndërsa tha se kjo ndikonte negativisht edhe në fletën e votimit.

“PD bëri korrigjimet përkatëse në lidhje me plotësimin e dokumentacionit ligjor, por paraqiti listë me 222 kandidatë. KQZ, bazuar në Kodin Zgjedhor vendosi t’i miratojë listën, por jo me 222, por me 153 kandidatë. Vendimi u ankimua në KAS, me argumentin se lista duhej pranuar e plotë. KAS duke lejuar që një koalicion të garojë me më shumë kandidatë se tjetri ka shkelur parimet e Kodit Zgjedhor. Numri i lartë sjell problematika në garë, por edhe në procesin zgjedhor”, tha Salianji.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i PD-së, Ivi Kaso këmbëngul që demokratët kanë respektuar ligjin dhe se në asnjë rresht të tij nuk specifikohet se sa do të jetë numri maksimal, por vetëm ai minimal.

“Koalicioni i PD-së paraqiti listat referuar legjislacionit. Kemi respektuar të gjitha aspektet procedurale. Paraqitëm listë me 222 kandidatura, në përputhje me numrin minimal të parashikuar në ligj, si edhe të plotpjesëtueshëm me tre. Numrin e kandidaturave të paraqitura prej nesh nuk e shohim si problematike për fletën e votimit. Limiti i sipërm i kandidaturave është çështje vetëpërmbajtjeje dhe vetëpërgjegjshmërie”, tha Kaso.

Koalicioni PD-AN dorëzoi në KQZ një listë kandidatët me 222 emra. Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi gjatë regjistrimit të kësaj liste “i shkurtoi”, duke i lënë 153 emra. Një gjë e tillë u ankimua në CAS, që i dha të drejtë PD-së, por më pas ishte Kolegji Zgjedhor ai që dha fjalën e fundit, duke lënë në fuqi vendimin Celibashit.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *