‘Makthi’ i pacientëve/ Si i ka rrëshqitur ‘Spitali Amerikan’ gjykatave… por njëra e detyroi të dëmshpërblejë me 500 mln lekë pacienten e dëmtuar    

“Spitali Amerikan” mund të thuhet me plot gojë se ka vendosur sot “hegjemoninë” në tregun mjekësor jo publik në vend. Në disa raste sipas akuzave që janë bërë prej konkurrentëve, “Spitali Amerikan” me anë të konkurrencës së pandershme, apo mbështetjes politike, ka detyruar klinika apo spitale të huaja ose të largohen nga vendi, ose të shesin aktivitetin e tyre.

Nuk janë të pakta rastet kur “Spitalit Amerikan” i janë bërë favorizime të mëdha si në marrjen me “qira” të ambienteve publike, ashtu dhe në dhënien e shumë shërbimeve që duhet t’i kryente vet shteti.

Nga ana tjetër edhe pse ka një reklamë mjaftë të madhe thuajse në të gjitha mediat, për shërbimet moderne që ofron, apo metodat e reja të ndërhyrjeve kirurgjikale, “Spitali Amerikan” ka probleme pa fund me shumë prej pacientëve të tij.

Në jo pak raste “Spitali Amerikan” dhe mjekë të caktuar që punojnë në spitalet e tij, janë akuzuar nga pacientë të ndryshëm për moskorrektësi në lidhje me trajtimin shëndetësor, apo për mos kryerjen me cilësi të punës së duhur.

Por duket se “Spitali Amerikan” u ka bërë “narkozën” edhe gjykatave në vend, ku në jo pak raste ka arritur që të mbyllë në favor të tij paditë e ngritura nga pacientë të ndryshëm, që gjithmonë kanë pretenduar se janë dëmtuar gjatë shtrimit të pavionet e këtij spitali. I tillë është edhe rasti i sotëm që “Priza.al” sjell, edhe pse i referohet pak kohëve më parë.

Si e humbi një çështje “Spitali Amerikan”   

Frika nga Vetting-u apo dhe SPAK-u, tani ka bërë shumë gjykata dhe gjyqtarë që të bëjnë më shumë kujdes kur japin vendimet në favor të njërës apo tjetrës palë.

Aq e madhe është kjo frikë, sidomos kur mendon edhe që je në syrin e ndërkombëtarëve që mbajnë shënim për çdo gjë, sa që disa gjyqtarëve nuk i intereson më as zarfi që vjen nga “Spitali Amerikan”.

Kështu, Gjykata e Tiranës detyroi subjektin “Spitali Amerikan” të paguajë shpërblim në shumën prej 50 milionë lekësh (të rinj) në favor të shtetases E.Z., dhe familjarëve të saj, për shkaktim dëmi.

Në një vendim të marrë pak javë më parë, më saktë në funt ë muajit janar, trupa gjykuese e kryeqytetit, konstatoi se e reja E.Z. ka pësuar dëmtime të rënda në gjymtyrët e sipërm gjatë trajtimit shëndetësor në spitalin privat “Spitali Amerikan”.

Për këtë kjo gjykatë, në dallim nga shumë raste të më hershme ku “Spitali Amerikan” fitonte pa e vrarë mendjen, edhe kur pacientët kishin pësuar dëmtime të parikuperueshme, apo kur akuzuesit kishin humbur të afërm të tyre në këtë spital, dha një vendim kundër këtij subjekti.

 

Çështja gjyqësore e nisur që në vitin 2017

Pas një morie seancash, ku janë përfshirë edhe ekspertë ortopedë dhe përfaqësues të Institutit të Mjekësisë Ligjore, gjykata arriti në konkluzionin se shërbimi shëndetësor në Spitalin Amerikan, i ka shkaktuar paditëses E.Z. dëme të konsiderueshme.

Në vendimin e datës 11 janar 2021, gjykata vendosi që Spitali Amerikan, në pronësi të biznesmenit Klodjan Allajbeu, duhet të paguajë shtetasen E.Z. me një shumë prej 6.4 milionë lekë të reja për dëmtimin fizik.

Po ashtu, referuar vendimit të gjykatës, “Spitali Amerikan” detyrohet të paguajë edhe 60 mijë euro në favor të të dëmtuarës E.Z., si shpërblim për dëmin moral dhe ekzistencial.

Në proces gjyqësor kanë ndërhyrë si “palë” edhe familjarë të të dëmtuarës E.Z. Këta të fundit kanë kërkuar gjithashtu, shpërblim për dëmin moral dhe ekzistencial që u është shkaktuar prej veprimeve të “Spitalit Amerikan”, ndaj familjares së tyre.

Gjykata, pasi analizoi provat, si edhe bazuar në konkluzionet e ekspertëve, ka konkluduar se kërkesa e familjarëve është e drejtë dhe duhet pranuar.

Pas këtij konstatimi, gjykata vendosi detyrimin e Spitalit Amerikan të dëmshpërblejë edhe familjarët e të dëmtuarës E.Z., me një total prej 350 milionë lekësh (të vjetra).

Mediat kishin raportuar edhe më herët për një tjetër proces gjyqësor, në përfundim të të cilit “Spitali Amerikan” është detyruar të dëmshpërblejë një pacient për problemet shëndetësore të shkaktuara, pas një ndërhyrjeje kirurgjikale në këtë institucion privat shëndetësor.

/Priza.al/

 

 

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *