Librazhd/ Bashkia shtron vetëm kthesat, jo rrugën. Banorët: Jemi socialistë, por…

Bashkia e Librazhdit vendos të rehabilitojë rrugën e fshatit Vehçan. Rezultati? Mbresëlënës. Rruga në vend që të zgjerohej ka pësuar ca transformime shumë interesante, me pasoja direkte tek drejtuesit e automjeteve. A do reagojnë banoret e Vehçanit me votë? Disa javë para nisjes së fushatës elektorale, Bashkia e Librazhdit vendosi të reabilitojë rrugën e fshatit Vehçan.

Por, ajo që ndodhi ishte vetëm shtrimi i kthesave me beton, madje duke i ngushtuar dhe jo duke i zgjeruar. Banorët që kanë disa dekada që dëgjojnë premtime, me të qeshur thonë se vetëm Sllobodan Millosheviç nuk u ka premtuar gjë. Ata kanë dokumentuar vetë dëmet e para të shtrimit të një kthese dhe kanë filmuar me telefonat e tyre celularë situata të ndryshme gati komike që ka shkaktuar kjo rrugë. Në disa raste kanë asistuar edhe shoferë të automjeteve të gjendur në vështirësi.

Për të kuptuar rëndësinë e këtij “investimi strategjik” nga bashkia e Librazhdit, në prag të fushatës elektorale, “Piranja”: Lediona Xheladinaj shkoi ta shohë nga afër situatën.

Kështu ‘Piranjat’ udhëtuan drejt fshatit dhe gjatë rrugës bisduan me një banor të Vehçanit, i cili i ka shoqëruar. Banori i zhgënjyer, ironizoi këtë investim të rrallë duke u shprehur: “Me sa shohim gjithë ky investim goxha madhor do jetë i kryetarit të bashkisë, jo i bashkisë në shtet, po i kryetarit të bashkisë personalisht. Shteti do të investonte më pak, ky ka investuar më shumë”, thotë bashkëudhëtari i ‘Piranjat’.

Ai shtoi se para punimeve gjerësia e kthesave të rrugës ishte 5 metra, tani ka katandisur në 2.80. Kjo ishte pjesa komike e historisë. Banori bëhet serioz kur thotë se SPAK duhet të marrë në hetim, bashkinë e Librazhdit.

Kur e pyetet nëse është ankuar tek kryetari i bashkisë ai përgjigjet: “Nuk e kam takuar dhe as nuk i shkoj në zyrë deri sa të jetë ai kryetar bashkie. E kam cilësuar njeri të padrejtë dhe që nuk zgjidh asnjë hall, shumë të paaftë. Para se të ishte kryetar bashkie ishte njeri që të rrokte në qafë, sot të shkel me këmbë. U bë pasanik!”

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *