Laboratori i heroinës në Has/ Apeli dënon me 126 vjet grupin e `Avdylajve`

Gjykata e Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dhënë vendimin për 17 të arrestuarit e grupit Avdylaj.  Kujtojmë se gjatë operacionit masiv të tetor 2018 “Vol-Vo 4”, u arrestuan vëllezërit Avdyli në Shijak së bashku me 20 persona të tjerë, pasi u zbulua laboratori i drogës në Has. Vëllezërit Avdyli akuzohen për vrasje, prostitucion, trafik droge dhe disa vepra penale.

Tabloidi gjerman Bild publikoi 6 audio-përgjime që implikojnë zyrtarë të lartë të PS, përfshi vetë Vangjush Dakon, në manipulim të zgjedhjeve si dhe Arben Ndoka, si i përfshirë në një skemë tjetërsimi pronash. Por Gjykata e Lezhës ka pushuar çështjen ndaj ish-deputetit të Partisë Socialiste, Arben Ndoka. Personi në qendër të çdo përgjimi është kreu i bandës së Avdylajve të Shijakut, Astrit Avdyli.

Ata janë pjesë e një prej fraksioneve të ‘Dosjes 339’. Por mbas 3 vitesh Gjykata e Apelit ka dhënë për 17 pjesëtarët  126.8 vite burg në total.

Dënimi:

  1. Gjevi Ndoka 8 vjet 8 muaj
  2. Altin Avdyli 6 vjet 8 muaj
  3. Esat Mehmeti 10
  4. Petrit Suljemani 8 vjet 8 muaj
  5. Sajmir Sulejmani 8
  6. Hajri Seferi 10 vjet 8 muaj
  7. Orges Jahoelezi 6 vjet 8 muaj
  8. Shkëlqim Avdyli 4 vjet 8 muaj
  9. Mario Zeqiri 4 vjet 8 muaj
  10. Elton Shehaj 4 vjet 8 muaj
  11. Ardit Gjyriqi 4 vjet 8 muaj
  12. Admir Hoxha 12 vjet
  13. Hekuran Hoxha 10 vjet 8 muaj
  14. Vehbi Berushi 8
  15. Anila Shuti 2 vjet – konvertim 25 muaj shërbim prove
  16. Xhavit Shyti 8 vite
  17. Flamur Çela 8 vite

Hetimi

Sipas dosjes së Prokurorisë, dy nga anëtarët e grupit të Shijakut, Sajmir Gjepali dhe shtetasi Hekuran Hoxha, i cili ka qenë i dënuar më parë në Turqi si i akuzuar për trafik heroine, ka pasur komunikime me biznesmenin nga Tirana për laboratorin e drogës në Has.

Prokuroria ka dokumentuar një takim mes Admir Hoxhës me dy shtetasit turq Nedjet Cesuroglu allias Lavdërim Limani dhe Iskender Sale në hotelin e tij në Rinas, si dhe me shtetasin nga Kosova, Xhemal Shala. Këta dy persona nga Turqia, sipas Prokurorisë kanë sjellë lëndën e parë për ta kthyer në heroinë. Admir Hoxha, nga vëzhgimet në terren rezulton se është personi që kishte përgatitur ambientin e kthyer në laborator për prodhimin e lëndës narkotike në bashkëpunim me persona ende të paidentifikuar.

Nga provat e mbledhura në laborator, krahas lëndës së parë ka rezultuar se ishte prodhuar 182.5 kg drogë. Prokuroria mbërrin në përfundim se, të dhënat e përftuara deri më tani tregojnë se lëndët dhe sendet materiale të sekuestruara shërbenin për prodhimin e lëndëve narkotike si ajo e heroinës.

Sipas Prokurorisë, Xhemal Shala, Admir Hoxha dhe dy shtetasit turq, në bashkëpunim mes tyre në formën e një grupi të strukturuar kriminal janë përfshirë në prodhimin, shitjen dhe trafikimin e lëndëve narkotike. Admir Hoxha dhe bashkëpunëtorët e tij turq dhe kosovarë vijojnë te jenë në kërkim nga Policia.

Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Biznesit, Admir Hoxha rezulton të jetë pronar i hotelit “Ador Resort”, në Rinas. Ky biznes rezulton të jetë regjistruar në vitin 2011, por më 2 tetor të këtij viti mban statusin “i pezulluar”. Sipas dosjes së Prokurorisë, këta persona janë mbajtur nën vëzhgim nga oficerët e Policisë Gjyqësore, që po merreshin me hetimin e çështjes.

Por si nis rruga kriminale e Avdylajve?

Në vitin 1996 vritet me armë zjarri Dritan Avdyli, kushëriri i parë i Astrit Avdylit kokës së bandës. Ai i kishte vendosur një gjobë biznesmenit Tefik Hyka, pronari i fabrikës së tullave në Vlorë.

Dritan Avdyli u telefonua nga një bashkëpunëtor shijakas i Tefik Hykës për të shkuar në zonën e “Katër Rrugëve të Shijakut” për të marrë paratë që i kishte kërkuar Tefikut, por në momentin që bashkë me shokun arrin në lokal goditet me një breshëri plumbash nga një vrasës me pagesë i ardhur nga Tirana, Durim Kusi.

Astrit Avdyli, djali i xhaxhit të Dritanit, i dënuar më parë për prostitucion në Itali merr hak duke vrarë në qendër të Shijakut personin që nxori në pritë Dritanin.

Ndërkohë që spiralja e hakmarrjes nuk u ndal me kaq, pasi vëllai i Astritit, Shkëlqimi vrau në Tiranë, Durim Kusin.

Ndërkohë që Jasmin Avdyli është dënuar më parë në Itali pasi u përfshi në vrasjen e një marshalli italian. Ai kishte disa vite që ishte liruar nga burgu dhe jetonte në Shijak.

Ndërsa Flamur Avdyli prej vitit 1996 ka emigruar në Gjermani ku dyshohet se është përfshirë në trafikun e heroinës së bashku me vëllezërit e tij.

Dalja para kohe nga burgu 

VOA dhe BIRN bënë një investigim rrënjësor të dosjes 339 në janar të këtij viti. Një nga pjesët e investigimit fokusohet tek një nga kapot e grupit Avdylaj, i cili u lirua nga burgu, ku ishte për vrasje para se të mbaronte dënimin. Astrit Avdyli u lirua 3 vite para se të mbaronte dënimin pasi u ekzaminua me “depresion dhe tentativa vetëvrasëse”. 

Përpara se të shfaqte interes për kryebashkiakun Dako dhe procesin zgjedhor në qarkun e Durrësit, Astrit Avdyli, 45-vjeçari nga Shijaku që akuzohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda si kreu i grupit të organizuar në trafikun e drogës, kishte probleme të tjera.

I dënuar me 16 vjet burg për një vrasje të ndodhur në vitin 1997, Avdyli ndërmori një betejë ligjore 10-vjeçare për lirim të parakohshëm nga burgu i Shënkollit-dhe në fund e fitoi.

Dokumentet gjyqësore tregojnë se Astrit Avdyli u lirua pas 13 vitesh burg, pasi siguroi më parë një raport mjekësor që e diagnostikonte atë me “depresion endogjen me tentativa vetëvrasëse”. Ai doli nga burgu më 2 mars 2016, pasi Gjykata e Lartë urdhëroi lirimin e tij me argumentin se “qëndrimi në burg i rrezikonte jetën”. 

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se vetëm pak kohë pas lirimit nga burgu, Avdyli u vendos nën hetim për përfshirje në trafikun e drogërave të forta. Për dy vjet e gjysëm, Prokuroria e Krimeve të Rënda kreu me qindra orë përgjime dhe ndërroi tre grupe prokurorësh, derisa në tetor 2018 ngriti akuza për 44 persona të akuzuar për trafik ndërkombëtar droge, korrupsion, ushtrim ndikimi të paligjshëm apo falsifikime masive me pronat.

“Veprimtaria kriminale ishte me qendër dhe pikë grumbullimi në qytetin e Shijakut, me referentë kryesorë vëllezërit Avdyli…strumbullarë të furnizimit me drogëra të forta, kryesisht heroinë dhe kokainë në të gjithë territorin kombëtar,” thuhet në kërkesën e prokurorëve Dritan Prençi dhe Vladimir Mara. Por ekskluziviteti i gjithëpranuar në trafikun e drogës nuk ishte i vetmi aktivitet i kryer nga Avdulajt. Dosja 339 zbuloi përfshirjen e grupit të Shijakut në procesin zgjedhor.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *