Kushtetuesja, rrëzon qeverinë… Doni të protestoni në Shqipëri? Thjesht bëjeni, nuk ka nevojë për leje në polici!  

Kush proteston apo organizon mitingje nuk do të ketë më detyrimin të marrë një leje nga institucionet ligjzbatuese, por thjesht duhet t’i njoftojë ato. Edhe pse kështu është e shprehur ligjërisht në Kushtetutë, sërish gjatë protestave të ndryshme në Shqipëri, sidomos gjatë viteve të fundit, Policia e Shtetit ka abuzuar në shkelje me ligjin, madje duke u bërë represive dhe e dhunshme.

Por duket se veprimet e Policisë së Shtetit nuk janë parë si të ligjshme nga drejtësia që ka vendosur t’i vërë kufi abuzimit me ligjin.

Vendimi është marrë sot nga Gjykata Kushtetuesja e cila ka pranuar kërkesën e Gjykatës Apelit Shkodër dhe ka shfuqizuar nenin 262 të Kodit Penal, për protestat.

Gjykata ka kërkuar që neni përkatës të korrigjohet brenda 6 muajsh. Kujtojmë që parashikohej dënim me gjobë ose burg deri në një vit, për organizatorët që shkelnin kushtet sa i takon lejes.

Ky ankim i gjykatës së Apelit Shkodër, është depozituar prej 28 janarit, ndërsa Gjykata Kushtetuese ka dhënë verdiktin dje në 4 maj.

Në përfundim të shqyrtimit Gjykata Kushtetuese

VENDOSI:

“Pranimin e kërkesës.

Shfuqizimin e shprehjes “pa marrë më parë lejen nga organi kompetent sipas dispozitave të veçanta” në paragrafin e parë të nenit 262 të Kodit Penal.

Detyrimin e Kuvendit të plotësojë normën ligjore nga data e shpalljes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese deri në hyrjen në fuqi të tij.

Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi 6 muaj pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.

Çfarë parashikohej për grumbullimet

Organizimi i grumbullimeve dhe i manifestimeve të personave në sheshe dhe vende të kalimit publik, pa marrë më parë lejen nga organi kompetent sipas dispozitave të veçanta apo kur nga organizatorët shkelen kushtet e parashtruara në kërkesën për dhënie të lejes, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.

Pjesëmarrja në një grumbullim apo manifestim të paligjshëm edhe pas paralajmërimit të bërë për shpërndarje, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre muaj. Po kjo vepër, e kryer më shumë se një herë ose kur ka sjellë pasoja të rënda, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet”.

/Priza.al/

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *