Kurti i vendosur: Nuk e dorëzoj Republikën Demokratike para një regjimi fashist

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur për tensionet e ngritura në veri. Në një intervistë për CNN, Kurti ka thënë se nuk mund ta dorëzojë republikën demokratike përpara një regjimi fashist. Kurti, i pyetur për reagimet e ndërkombëtarëve dhe ndëshkimet nga SHBA, që lidhen edhe me përjashtimin e Kosovës nga Defender Europe 2023, ka thënë se fillimisht ndërkombëtarët kanë njohur rezultatin e zgjedhjeve. Ai ka thënë se meqenëse e kanë njohur këtë rezultat, atëherë kryetarët janë ata që duhet të hyjnë në objektet e komunës.

“Të gjitha trupat ndërkombëtare e njohën rezultatin e zgjedhjeve. Posa të njohësh këtë rezultat, atëherë kryetarët duhet të shkojnë në objektet e komunave. Kush tjetër duhet të shkojë në këto objekte, nëse jo kryetarët? Nuk do ta dorëzoj republikën demokratike për shkak të një regjimi fashist” tha Kurti.

Ai ka thënë se bandat e dhunshme që sulmuan Policinë e Kosovës, KFOR-in dhe gazetarët, dirigjohen nga Serbia.

“Ne kemi shumë video dhe foto që shfaqin milicinë serbe duke qenë pjesë e bandave të dhunshme. Disa nga ta vijnë nga Kosova, por disa edhe nga Serbia. Serbia fqinje është autokraci pro-ruse. Ata kanë urdhëruar këtë të ashtuquajtur xhandarmëri, për të shkaktuar trazira në Kosovë. Kemi një komunitet serb në Kosovë, që është 5% e popullsisë. Ne duam të jetojmë në një shoqëri multikulturore, por s’duam të kemi një minoritet të privilegjuar, sepse Beogradi do kompenzim për bombardimin nga NATO-ja në kohën e Millshoeviç”, tha Kurti.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *