Krimi në ‘Don Bosko’, flet menaxheri i lokalit: Gruaja shtatzënë e viktimës ishte në tavolinë, ambulanca u vonua!

Nga vrasja që tronditi Tiranën pasditen e 4 janarit nuk ka ende asnjë autor të identifikuar, ndërsa pistë hetimi mendohet të jetë e kaluara e dajës dhe nipërve të tij, njëri prej të cilëve mbeti i vdekur nga breshëria e kallashnikovit. Objektiv i atentatit dyshohet se ka qenë Edmond Crroj, 41 vjeç, i akuzuar në Itali për trafik drogë dhe dy nipërit e tij, Blerim Çela, 28-vjeç dhe Erion Çela, 35-vjeçari.

Autorët i kanë ndjekur prej kohësh lëvizjet e dajës dhe kanë pritur rastin që ta gjejnë së bashku me dy nipërit për të kryer sulmin. Crroj rezulton me precedent të theksuar kriminal jashtë vendit, ku është akuzuar në Itali për trafik droge, i cili mbeti i plagosur në bark dhe këmbë. Po ashtu i plagosur mbeti edhe Blerim Çela, ku plumbat e kanë prekur në këmbën e djathtë dhe në fytyrë, ndërsa humbi jetën vëllai i tij Erion Çela.

Menaxheri i lokalit ku ndodhi atentati një ditë më parë në “Don Bosko” në Tiranë, ka thënë se sulmi me armë ka ndodhur në mënyrë të papritur. Ai tha se nuk ka pasur asnjë konflikt mes autorëve dhe viktimës e të plagosurve brenda ambienteve të lokalit. Menaxheri shprehet se viktima dhe të plagosurit po konsumonin kafe dhe ishin me gratë e tyre, ndërsa ato ishin larguar vetëm 5 minuta pasi në drejtim të tyre të qëllohej me breshëri kallashnikovi.

 “Unë kam qenë te lokali te lokali brenda, ka ardhur një makinë tip C-Class dhe kanë gjuajtur në drejtim të lokalit, në drejtim të tavolinës ku kanë qenë ulur personat dhe aty kanë qenë 4-5 persona. Më parë kanë qenë gratë e tyre, rreth 5 minuta më vonë kanë ikur gratë dhe kanë ardhur disa persona të tjerë që kanë gjuajtur në drejtim të atyre. Për pjesën e lokalit, nga stafi nuk është dëmtuar asnjë siç flitet që një 19-vjeçar është dëmtuar. Nga pjesa e stafit nuk është asnjë i dëmtuar. Erdhi ambulanca, ambulanca ka kaluar rreth 20 minuta, 30 minuta gati, që Ushtaraku është afër, ka ardhur pas gjysmë ore gati. Kurse trupi i pajetë ka ngelur atje për gati 1 orë, 1 orë e ca. Në lokal nuk ka ndodhur asnjë problem, edhe neve na ka ardhur papritur. Kanë qenë klientë të përhershëm, kanë këtë tabakinon këtu”, tha ai.

35-vjeçari ka ndërruar jetë në duart e gruas shtatzënë e cila lutej për ambulancën. Ajo ndodhej në supermarket në momentin kur ndodhi vrasja.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *