Kosovë/ Zbardhen detaje nga takimi i Osmanit me zyrtarë europiane

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim të dërguarit e posaçëm të Republikës Federale të Gjermanisë dhe Republikës së Austrisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin dhe Johannes Eigner, me të cilët ka biseduar dhe për situatën në veri të vendit.

Ajo ka deklaruar se incidentet në veri të Kosovës janë të orkestruara nga “struktura ilegale të mbështetura nga Beogradi”, të cilat kanë për qëllim frikësimin dhe kanosjen e popullatës lokale serbe.

“Kosova do të vazhdojë të jetë plotësisht e koordinuar me aleatët ndërkombëtarë, për të vazhduar përpjekjet për paqe, siguri dhe stabilitet të qëndrueshëm, ndërsa është e përkushtuar për zbatimin e rendit dhe ligjit në të gjithë territorin e republikës”, ka shtuar Osmani.

Sipas Presidencës kosovare, në takim palët kanë biseduar edhe dakordimin e arritur mes Kosovës dhe Serbisë për Marrëveshjen e normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, më 27 shkurt në Bruksel, si dhe për aneksin e zbatimit të Marrëveshjes, më 18 mars në Ohër.

Për të diskutuar rezultatet e këtyre takimeve dhe rrugën tutje, më 4 prill në Bruksel do të takohen kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq.

Në takimin e 4 prillit pritet të diskutohet edhe për çështje e targave, e cila muaj më parë krijoi tensione në veri.

Në shenjë pakënaqësie për vendimin e qeverisë s Kosovës, por edhe për shkak të arrestimit të një ish-polici serb të Kosovës, serbët lokalë në atë kohë ngritën barrikada në disa rrugë. Më pas, Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian kanë arritur marrëveshje për targat.

Kosova ka hequr dorë nga masat ndëshkuese, nëse nuk bëhet riregjistrimi i makinave, ndërsa Serbia ka thënë se nuk do të lëshojë më targa të reja për makinat që qarkullojnë në Kosovë.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *