“Kisha pagjumësi dhe rashë në depresion”/ Aktori i njohur rrëfen periudhën e errët të jetës së tij

Aktori i njohur me famë botërore, Zac Efron ka folur së fundmi gjatë intervistës të dhënë për revistën “Men’s Health” lidhur me jetën e tij personale. Zac theksoi se ai vijon një luftë të madhe me agorafobinë.

Por çfarë është agorafobia? Agorafobia është frika për të qenë në situata ku ikja mund të jetë e vështirë ose që ndihma nuk do të ishte e vlefshme nëse gjërat shkojnë keq. Shumë njerëz supozojnë se agorafobia është thjesht një frikë nga hapësirat e hapura, por në fakt është një situatë më komplekse.

Personat që vuajnë prej saj, kanë vështirësi të dalin nga shtëpia nëse nuk janë të shoqëruar, kanë bezdi të udhëtojnë vetëm në transportin publik, si: autobus apo aeroplanë dhe përpiqen të evitojnë vendet publike më të frekuentuara, si: restorante, tregje, koncerte, kinema e qendra tregtare.

Aktori i njohur ka rrëfyer se ai nuk del, sidomos kur mund të jetë i rrethuar nga grupe të mëdha njerëzish. “Unë thjesht nuk dal jashtë. Njerëzit në grupe të mëdha, më nxisin agorafobinë time”,- theksoi aktori gjatë intervistës. “Fillova të kisha pagjumësi dhe rashë në depresion shumë keq, për një kohë të gjatë. E pata një kohë shumë të vështirë për të ecur përpara”.- vijoi aktori.

Ai foli gjithashtu për thashethemet që qarkullojnë në internet, kur ai akuzohet për operacione plastike. Zac tregon se në nëntor të vitit 2013, u rrëzua dhe theu nofullën. Më pas ju kërkua që t’i nënshtrohej terapisë për t’u rikuperuar. “Nëse do t’i merrja për bazë të gjitha thashethemet e njerëzve, më besoni që nuk do ta bëja këtë punë”,- përfundoi Zac.


Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *