Investigimi/ Mosfunksionimi i Ambasadës Gjermane, sjell korrupsion! Si kompania ‘Minerva Grup’ u merr para për punësim shqiptarëve  

Janë me mijëra qytetarët shqiptarë që kanë aplikuar dhe po presin të shkojnë për punësim të rregullt në Gjermani, nisur edhe nga kërkesat e shumta që ky shtet ka për punëtorë.

Por muajt e fundit Ambasada Gjermane në Shqipëri, ka ndjekur një taktikë të “çuditshme” për shtetin dhe kombin gjerman. Ambasada pa shpjegim nuk i hap ose i hap fare pak aplikimet për punësim, dhe për lënie takimesh në zyrat e saj, duke bërë që shqiptarët të presin me muaj të tërë në dyert e saj.

Por kjo praktikë absurde e autoriteteve gjermane në ambasadën e Tiranës, kanë gjeneruar në shumë raste korrupsion të jashtëm dhe mashtrime nga shumë zyra punësimi apo agjenci që u premtojnë qytetarëve “zgjidhje” të problemit kundrejt pagesave të kripura.

Por dy qytetarë anonimë të mashtruar, kanë kërkuar ndihmën e emisionit “Stop” në “Tv Klan”, për aplikimet që kanë bërë te kompania “Minerva Grup” për punësim në Gjermani.

Ata kanë paguar këstin e parë prej 590 Euro dhe tani duhet të paguajnë këstin e dytë. Ata thonë se kanë frikë, pasi gjatë kësaj kohe ishin në proces gjyqësor, dhe gjykata i kishte dënuar me detyrim paraqitjeje 2 muaj.

“Jam një qytetar nga Pogradeci. Në internet pashë që ishte një Minerva Grup që ofronte kontratë pune dhe vizë në Gjermani. Shkova i takova, bëra dhe pagesën 590 Euro në Maj të 2019. Atje bëmë nuk ke shkuar një ditë në burg, për ne nuk ka problem.

Ata më morën për të bërë pagesën, aplikimi i dytë, dhe unë prandaj ju drejtova emisionit Stop sepse kam frikë, se unë e kam bërë pagesën 590 Euro për aplikimin e parë dhe sot do bëja dhe pagesën tjetër për aplikimin e dytë, edhe 590 Euro që i bie në total 1180 Euro”.

“Kam paguar këstin e parë në 2019, 590 Euro. Tani na morën për të bërë aplikimin e dytë, kemi shumë frikë ta bëjmë tani këtë pagesë”.

Nëpërmjet kameras së fshehtë, dy qytetarët i drejtohen kompanisë, ku punonjësja thotë se nuk është përgjegjësi e saj, nëse ambasada refuzon vizën. Në një rast të tillë, kthehen vetëm gjysmat e parave.

Qytetari- Kam pas një gjyq, edhe ajo vajza(punonjësja) mu m’ka thanë: ti nëqoftëse ke ba burg, nuk bahet ajo punë! Nuk kam ba burg! Jam me detyrim paraqitjeje!

Punonjësja 1 -E ke deklaruar?

Qytetari -Nuk e kam pas atëher, kur kam fut letrat.

Punonjësja 1– Po ca ke qenë në proces?

Qytetari- Po në proces, dhe ju më thatë ok, nuk ka problem!

Punonjësja 1- Në qoftë se Ambasada ty të refuzon për pjesën e burgut, ajo është përgjegjësi e jotja. Nuk e dinim dënimin, që ty do të jepte…

Qytetari – Ore, më thatë ju këtë, moj motër! Tani, mos më thuaj muhabete të kota! Ju më keni thënë që ej, nuk a ndonjë gjë e madhe!

Qytetarja – E keni thënë juve!

Qytetari – Më keni thanë ju o motra! Ju, jo neve! Nëqoftëse më refuzon, a do m’i ktheni lekët mu?

Punonjësja 1 – Gjysma e këstit të kthehet!

Qytetari – Pse gjysma, moj?

Punonjësja 1 – Gjysma. Sepse pjesa, që ju refuzua nga Ambasada, është përgjegjësi tënden, jo tonën!

Punonjësja 2 – Ndërkohë që ne kemi kërkuar prej fillimit, që klienti duhet të jetë i pastër penalisht, në mënyrë që cdo lloj arsyeje refuzim vize nga Ambasada për shkak të klientit, ne ta shmangim.

Qytetari – Po a the, moj motër ? A keni thanë nëqoftëse është për burg?

Punonjësja 2 – Unë po them, që nuk është problematikë kaq e madhe sa burgu.

Qytetari- Po unë nuk jam tu t’mashtru moj motër, nuk kam ba burg.

Punonjësja 2 – Po as unë nuk po të mashtroj!

Qytetarja- I thatë në telefon, që nuk është problematike.

Punonjësja 2 – Po pra, nuk është cështja aq serioze sac është pjesa e burgut. Ama ti duhet të kesh parasysh gjithmonë një 10% shans, që të refuzohet për këtë arsye. Në rast se klienti dëshiron që të shkëputet për arsye të tija personale, dhe nuk do të bësh këstin e dytë të pagesës, atëherë ti penalizohesh me këstin e parë, që ke kryer, sepse unë si kompani ta themi kam bërë shpenzime për ty, për sa kohë ti kontratën e ke këtu.

Pas qytetarëve, interesohet gazetarja e “Stop”, por përfaqësuesja e kompanisë thotë se në momentin që qytetari ka qenë në proces gjyqësor, ajo e nuk e dinte vendimin e gjykatës. Pas ndërhyrjes së “Stop” qytetarët marrin të plotë shumën e tyre që kishin paguar.

/Burimi: Tvklan.al/

 

 

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *