Hysni Kapo në 1973: Hiqni përforcuesit e televizioneve italiane, kanë shthurje!

Një qarkore e datës 12 mars 1973, flet për heqjen urgjente, në shumë qytete të Shqipërisë, të përforcuesve televizive përmes të cilëve shqiptarët shihnin kanalet italiane.

Qarkorja ishte shkruar nga Sekretari i Komitetit Qendror të PPSH-së, Hyni Kapo dhe u drejtohej Sekretarëve të Parë të rretheve Berat, Elbasan, Fier, Skrapar, Sarandë e Lushnje dhe zbulon kulmin e reagimit të ashpër të regjimit komunist pas festivalit të 11-të të këngës në RTSH.

Fillimi i viteve 70-të kishte njohur një liberalizim të dukshëm sidomos në arte e letërsi, erë e cila do të frynte deri në dhjetorin e 1972, kur do të mbahej edhe festivai i 11-të.

Pas kësaj, i gjithë vitit 1973 do të shndërrohej në një arenë të ashpër, me mbledhje e diskutime të hapura ku dënoheshin shfaqjet e huaja në muzikë, pikturë, teatër, kinematografi, letërsi, e shumë fusha të tjera të jetës.

Në këtë vazhdë, ishte shkruar edhe qarkorja e Hysni Kapos, e cila urdhëronte heqjen e menjëhershme të përforcuesve televizivë dhe bënte thirrje që në të gjithë këto qytete të nxitej edukimi komunist dhe të eleminohej çdo dritare komunikimi me Perëndimin, duke e quajtur tepër të rrezikshëm e të dëmshëm për popullin shqiptar.

Ja qarkorja e plotë e Hysni Kapos:

Me inisiativë lokale në rrethin tuaj, është ngritur prej kohësh një antenë përforcuese, (repetitor) për marrjen e pamjeve të televizionit italian. Ky ka qenë një veprim i parregullt dhe me pasoja të dëmshme.

Ne u kemi dhënë urdhër organeve të P.T.T. dhe Radio Televizionit që t’i kthejnë ato nga përforcues të të televizionit italian në përforcues që do të ndihmonin për një pamje më të mirë vetëm të televizionit tonë.

Ju porosisim juve personalisht, vini në dijeni edhe kryetarin e Komitetit ekzekutiv dhe kryetarine Degës së Punëve të Brendshme që këtë çështje ta shikoni me shumë kujdes, të zbatohet me rigorozitet ky urdhër dhe të mos lejohet më asnjëherë vendosje përforcuesish për të marrë ose parë televizionet e jashtme.

Komitetet e partisë së rretheve dhe organizatat bazë duhet të bëjnë një punë të dendur politike dhe propagandistike me masat për t’u shpjeguar atyre të këqijat që sjell televizioni i huaj, si një armë e fortë në duart e armiqve për të përhapur ideologjinë borgjeze, artin dhe kulturën e tyre, korrupsionin dhe përgjithësisht mënyrën e çthurur të jetës që është krejtësisht e huaj për shoqërinë tonë.

Kjo punë duhet të shërbejë për të ngjallur në tërë opinionin shoqëror një urrejtje të fuqishme për propagandën helmatuese që përhapin armiqtë me të gjitha mjetet e veçanërisht me televizion, për t’i bërë të gjithë njerëzit ta urrejnë këtë propagandë, njësoj si vetë armikun. Qytetarët tanë duhet të ushqehen vazhdimisht, çdo ditë e çdo orë me edukatën socialiste, me vijën e partisë sonë që do të mund ta marrin nëpërmjet gjithë atij materiali të pasur që i ve shteti ynë në dispozicion, nëpërmjet shtypit, librit, radios, televizionit tonë dhe gjithë aktiviteteve të tjera artistike e kulturale që organizojmë e duhet të organizojmë gjithnjë e më mirë ne vetë.

Jemi duke marrë masat e nevojshme për t’u parë mirë edhe në rrethin tuaj televizioni i Tiranës.

/Burimi Monitori/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *