Historia e pabesueshme e vlonjatit, nga vila në Miami tek lidhjet me mafien italiane

Nga shtëpia e tij të ofrohet një pamje piktoreske e lagunës së Nartës në jug të Shqipërisë. Por 72-vjeçari Jorgaq Subashi, thjesht mund ta shohë nga larg tokën e tij e cila i’u rikthye pas rënies së regjimit komunist. Pasi fitoi tokën, sot tre dekada më vonë atij nuk i lejohet ta përdorë tokën e tij apo të jetojë aty. Subashi bashkë me 34 bashkëfshatarë të tjerë ende nuk kanë marrë aktet e pronësisë.

“Ne e dimë që tokat na u morën nga kolektivizimi i bujqësisë gjatë regjimit komunist. Pas viteve ’90, shteti na i ktheu ato, por ne ende nuk mund t’i regjistrojmë”, deklaroi Jorgaq Subashi. Mjerimi në fshatra është diçka e zakonshme në Ballkan, e cila është një nga pjesët më të varfra të Evropës, ku përpjekjet për reformat e tokave janë penguar nga korrupsioni dhe janë rrëmbyer nga gangsterë si Artur Shehu, i cili së bashku me anëtarët e familjes së tij, akuzohen se kanë vjedhur gati 500 hektarë të pasurive të patundshme të Vlorës.

Emri i Shehut lidhet me botën e krimit të organizuar në Shqipëri dhe mafian italiane. Ai u largua nga vendlindja në vitin 1999 pas një sherri me armë në lokalin e tij në Vlorë. Shehu më pas kërkoi azil në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe e mori atë në vitin 2001. Në vitin 2019 ai mori ‘green card-in’, duke i’u hapur kështu rruga për të marrë shtetësinë amerikane. Pavarësisht se u largua me ngut nga Shqipëria, Shehu ka vijuar t’i drejtojë operacionet në Shqipëri, që nga vila e tij në bregdetin e Florida-s.

Shehu nuk është akuzuar zyrtarisht për ndonjë krim, por bashkëpunëtori i tij më i ngushtë, Pëllumb Petritaj, i cili mbikëqyr pronat e tij, është akuzuar për falsifikim dokumentesh për të marrë toka në emër të familjes Shehu. Aktivitetet e Shehut janë të njohura gjerësisht. Në një komision gjyqësor ai u cilësua si ‘lojtari kryesor’ në vjedhjen e tokave në Vlorë. Kur u pyetën pse nuk ishte ndërmarrë asnjë veprim kundër Shehut, pavarësisht provave të shumta që ekzistonin kundër tij, zyra e prokurorëve në Vlorë nuk pranoi të fliste lidhur me këtë çështje. Emri i Shehut është shfaqur së fundmi në dokumenta që tregojnë për biznese të tjera që shtrihen gjatë vijës bregdetare të detit Adriatik.

Në vitin 2019, ai krijoi firmën ‘Portonova’, e cila ndërtoi një numër të caktuar hotelesh . Duket se Shehu po paraqet një imazh të ri publik , një imazh që është shumë larg prejardhjes së tij të pretenduar kriminale në një qytet që dikur ishte i mbushur me gangsterë. Jeta në Vlorën e viteve ’90, ishte një përplasje e pastër. Hadër Cako, i cili drejtoi një investigim në këtë qytet, tha se Vlora në atë kohë ishte e gjitha nën pushtetin e bandave. Ekonomia shqiptare kaloi në kolaps pasi disa skema piramidale u shkatërruan në vitet 1996 dhe 1997 dhe vendi kaloi në konflikt civil, duke shkaktuar një ndërhyrje ushtarake të Kombeve të Bashkuara të udhëhequra nga Italia.

“Stacioni i policisë ishte pa dritare, pa dyer e pa qeli. Qyteti ishte nën kontrollin e bandave kriminale lokale. Ai ishte qyteti i vrasjeve brutale, përdhunimeve dhe vjedhjeve”, tha Cako për OCCRP.

true

Shehu në atë kohë ishte i njohur në mesin e policëve për veprimtari kriminale. “Ai kishte një hotel, dhe më vonë ndërtoi një kazino,” tha një ish-shef i policisë së Vlorës. Dragan Zagani, i cili drejtoi njësinë anti-narkotikë në qytetin e Vlorës në fund të viteve 1990, tha se Shehu bashkëpunonte me mafian italiane në rrjetin e narkotrafikimit. Ai deklaroi më tej, se përveç lëndëve narkotike, ata trafikonin dhe qënie njerëzore. Cataldo Motta, një ish-prokuror në qytetin jugor italian të Leçes tregoi se Artur Shehu ishte në dosjet e policisë italiane pasi dyshohej për trafik droge. Epoka e Shehut në Vlorë përfundoi pas përplasjes me armë në vitin 1999 në lokalin e tij, ku mbetën të vdekur dy persona, mes tyre dhe xhaxhai i Shehut, Luan Bedini. Policia dontë të merrte në pyetje Shehun në lidhje me ngjarjen e ndodhur, por ai u largua jashtë vendit.

Sipas dokumenteve të gjykatës amerikane, Shehu ka qenë banor në SHBA që prej vitit 2001, kur iu dha azili. Shërbimet e Shtetësisë dhe Imigracionit të SHBA-së, të cilat përzgjedhin kërkesat e azilit, thanë se nuk ishin në gjendje të zbulonin ndonjë informacion mbi çështjen. Në vitin 2005, ai u transferua në Miami, ku ndërtoi një vilë të stilit kolonial me pamje nga një fushë golfi, e kompletuar me kolona dhe kopsht të zbukuruar. Prona ka një vlerë prej 3 milion dollarësh. Shtëpia e Shehut është në një prej lagjeve të pasura e cila gjendet vetëm disa minuta larg detit. Para vilës, gjendeshin të parkuara dy makina të tipit Mercedes-Benz.

Megjthëse Shehu prej dy dekadash jeton në Miami si emigrant, hetuesit italianë të antimafias besojnë se ai vijon të zhvillojë bizneset e tij në Shqipëri dhe është në krye të gagsterëve italianë. Guglelmo Cataldi një tjetër prokuror në Leçe, tha se Shehu u hetua në vitin 2012 pasi besohej se ka investuar para në Shqipëri për Albino Prudentinon, një anëtar i vjetër i organizatës mafioze italiane Sacra Corona Unita. Një dokument gjyqësor italian i marrë nga OCCRP tregon që, në vitin 2009, Prudentino mori me qira një pjesë të një ndërtese luksoze në pronësi të Shehut në lagjen Uji i Ftohtë të Vlorës. Prudentino u shpall fajtor në vitin 2013 për pastrim parash të mafies përmes këtyre bizneseve dhe u dënua me tre vjet burg. Prokurorët thanë se Shehu mendohet të ketë fituar 1 milion euro nga kjo veprimtari, megjithëse ata nuk kishin prova të mjaftueshme për ta implikuar atë në këtë çështje.

Shehu nuk u akuzua në Itali, por çështja e tij i kaloi hetuesve shqiptarë. Çështjet e pronësisë së tokave në qytetin e Vlorës janë të komplikuara, sipas Elona Hodaj-t, një ish-drejtoreshë e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në qytet.

“Është një situatë që është krijuar në 25 vite. Ka gjykata që të njëjtën prona ia kanë dhënë dy individëve të ndryshëm”, tha ajo. Kur kryeministri Rama erdhi në pushtet në vitin 2013, ai u zotua të zgjidhte të gjitha problemet e pronësisë me tokat në Shqipëri dhe deklaroi se të gjitha pronat e vjedhura do t’iu ktheheshin pronarëve të tyre të ligjshëm.

Përpjekjet e qeverisë së tij deri më tani nuk kanë parë sukses. Qytetarët vijojnë të ngelin në labirint pa zgjidhje përsa i përket pronësisë së tokave, të cilat pronarët e tyre të ligjshëm nuk kanë mundësi t’i marrin ato. Përshtati:Priza.al/Burimi: OCCRP

https://www.occrp.org/en/investigations/from-a-miami-mansion-an-alleged-mobster-amasses-albanian-property

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *