Grushta, shpulla dhe sharje/ Meta rreh policët bashkiakë që gjeti në zyrat e FRD-së. Veliaj: Psiqik total

Kërkesa e Bashkisë Tiranë që ‘Fryma e Re Demokratike’ të lironte zyrat, nisur nga nevoja për rikonstruksionin e godinës nga amortizimi, nuk është pranuar nga drejtuesi i kësaj force. Sali Shehu ka kërkuar ndihmë nga presidenti Ilir Meta, e ndërsa ky i fundit është përplasur me policinë, e madje situata ka degraduar deri në sharje. Situata ka dalë jashtë kontrollit dhe sherri verbal ka kapërcyer në sharje, grushta dhe shpulla.

Presidenti Ilir Meta, nxorri jashtë policët ndërsa nuk munguan as fyerjet. Kreu i sapozgjedhur i FRD, Sali Shehu, ka reaguar teksa deklaroi sot për mediat se kjo është një tentativë e neveritshme, dhe se nuk do të lëvizë nga zyra. Ai deklaroi se do të ketë kallëzim penal ndaj Bashkisë. Nga ana tjetër, Kreu i Shtetit ka shkuar tek zyrat ku brenda ndodheshin efektivët e policisë bashkiake, ata të rendit dhe anëtarët e FRD-së.

Ilir Meta: Ça bëhet kështu more? Kështu e duan këta? Ore do t’ju çoj në burg me duart e mia. Përjashta, përjashta, përjashta, përjashta, s’dua asnjë fjalë.

Një i pranishëm: Përjashta, ka të drejtë.

Tjetri: Legen muti, mos më kap me dorë o bq.

Ilir Meta: Dilni more jashtë. Dilni jashtë se do vij unë jashtë.

Fjala e Metës:

“E konsideroj si një përpjekje për të realizuar një grusht shteti, sepse t’i sjellësh një partie zyrtare, opozitare menjëherë pasi nënshkruan një marrëveshje me PD dhe partitë e opozitës, për të marrë pjesë në zgjedhje, t’i sjellësh një shkresë të tillë që nuk ka as vulë, që nuk ka as emër titullari, që të mbajë nesër përgjegjësi nesër, që nuk ka as numër protokolli, të bërë me vrap e nxitim vetëm për të dhunuar fizikisht, por edhe psikologjikisht çdo forcë opozitare e cila synon të konkurrojë në kushte të barabarta në zgjedhje. Duke keqpërdorur bashkinë bandë, padyshim që është tepër irrituese, dhe është një paralajmërim për qytetarët shqiptarë për përpjekjet mafioze për të vënë dorë mbi votën e barabartë, mbi procesin zgjedhor me garanci dhe integritet. I bëj thirrje gjithë opozitës që të zgjohet dhe të mos lejojë asnjë prekje të rregullave të garës, sepse do të jetë vonë jo për popullin shqiptar në rast se do vijojë të tolerojë sjelljet e partisë bandë”, deklaroi presidenti.

Meta paralajmëroi kreun e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. “Jam këtu pas bisedës telefonike të bërë nga kryetari i FRD-së, z, Shehu për këtë situatë, po kaloja këtu rastësisht dhe ju e patë si dhunohet nga njerëz pas asnjë autorizimi, kryetari i FRD-së së Tiranës në kushtet kur këtu vjen Presidenti i Republikës. Po i paralajmëroj dhe njëherë të gjithë policët, bashkiakë dhe të Policisë së Shtetit, zbatoni ligjet!

Të mos përfundoni si policët e Mubarakut, nën këpucët e popullit shqiptar. Kaq. Dhe po i them kryepalaços së bashkisë bandë, ti e di shumë mirë se çfarë ke bërë pa firma dhe me firma. Prandaj mos iu bind më urdhrave të të çmendurit, sepse ai do nxjerrë kartelën e të sëmurit psikik më 25 prill apo ndoshta dhe më përpara”, tha Meta.

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

“Meta po kalon një fazë degjenerimi total, psiqik total, mendor, teksa është i alkolizur, ne si Bashki kemi një mundësi shumë të mirë rehabilitimi për të alkoolizuar dhe burrat e dhunshëm. Dhe do ishim shumë të lumtur që t’ia ofronin këtë shërbim”, tha Veliaj.

Duke iu referuar sjelljes së Metës, për Veliajn është qartazi një provokim. “Është një provokim, për sa kohë 30 parti të tjera respektuan rregullat, është një provokim i presidentit, por unë jam shumë i qetë për këtë histori. Ai është në një degradim, nëse do ishte burrë, do e kishte lënë Presidencën dhe do dilte në fushatë dhe reflekton frikën e tij më të madhe se i trembet faktit që nëse nuk do të kenë mandate, do të përfundojnë edhe ata në rrugë. Por ky është problemi i presidentit, që ka nevojë për mbështetje mjekësore, për ndihmë”, tha Veliaj.

 

TAGGED:
Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *