Gjermania zhgënjen shqiptarët! Ambasada në Tiranë ‘tallet’ me numrin e lartë të aplikantëve, hap vetëm pak sekonda portalin për ‘Takimet’

Nuk është vetëm “Lotaria Amerikane” ajo që çdo vit zhgënjen me mijëra shqiptarë. Duket se këtë “marifet” e ka kopjuar së fundi edhe një tjetër shtet të cilin shqiptarët e konsiderojnë si “shpëtim” apo si “Amerikën e Europës”.

Është fjala për Gjermaninë, e cila edhe pse ka kërkesa të mëdha për krah pune, duket se me shqiptarët ka vendosur të bëjë lojëra të cilat nuk i shkojnë aspak natyrës gjermane.

Muajt e fundit pas bllokimeve të pandemisë, Ambasada Gjermane në Tiranë nisi me procedurat e normalizuara të punës. Por numri i shqiptarëve që kërkojnë të emigrojnë në këtë vend është tepër i lartë, edhe pse këta të fundit po u përshtaten me maksimumin e korrektësisë rregullave të vendosura.

Por ajo që ka shkaktuar pakënaqësi të madhe është fakti i muajve të fundit, ku pavarësisht nga numri i madh i dëshirës për emigrim, ambasada në Tiranë ka hapur me “pikatore” portalin e saj ku të interesuarit aplikojnë për të caktuar takimet për viza pune në ambasadë.

Që nga muaji korrik kur u hap sërish programi i bllokuar i aplikimeve për viza pune, numri i atyre që arrijnë të caktojnë një takim në ambasadë, është tepër i kufizuar ose minimal.

Po ashtu, edhe koha kur portali elektronik i ambasadës është operativ dhe lejojnë mundësinë e aplikimeve, është shumë i kufizuar dhe kohët e fundit është bërë qesharak.

Vetëm sot kur pritej sipas njoftimit të vetë Ambasadës, hapja e panelit për caktimin e “Termine-ve”, dhe kur ora ishte vendosur për në 13:00, portali u hap vetëm pak sekonda duke mos u dhënë mundësinë aplikantëve që të caktonin takimet.

No description available.

“Priza.al” është sinjalizuar sot prej lexuesve të saj, që kanë shprehur në rrjetet tona sociale pakënaqësinë për këtë veprim, që siç e konsideronin ata “është i turpshëm”, ose “i qëllimtë”.

Nuk dihet se përse po e bën këtë lloj metode të re Ambasada Gjermane në Tiranë, por mungesa e transparencës dhe kjo lloj anomalie, ka bërë që shumë qytetarë shqiptarë të mbeten të pakënaqur dhe madje edhe të irrituar.

Kjo gjë u ka hapur rrugë edhe teorive spekulative dhe thashethemeve sikur “Ambasada Gjermane po kërkon të provokojë zemërimin e shqiptarëve”, apo sikur “kjo e gjitha stimulohet nga stafi shqiptar që punon brenda Ambasadës Gjermane, për t’u lënë hapësirë korrupsionit dhe marrjes së ryshfetit nëpërmjet agjencive të ndryshme”.

Gjithsesi, deri tani Ambasada Gjermane në Tiranë nuk ka dhënë asnjë sqarim për këtë lloj procedure të cunguar të lënies së takimeve, edhe pse do të ishte e udhës që për hir të korrektësisë që karakterizon gjermanët si popull, edhe publiku shqiptar të sqarohej për çdo veprim apo ndryshim.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *