Favorizoi ‘Fondin Besa’ për kreditë dhe interesat/ Ja përse është paditur në SPAK Guvernatori i BSH-së, Gent Sejko dhe vartësja e tij  

Prokuroria e Posaçme SPAK dhe ajo e Tiranës, nuk kanë në dorë vetëm paditë dhe hetimet mbi “Fondin Besa” dhe skemat mashtruese të këtij të fundit me kreditë fiktive, keqpërdorimin e të dhënave personale të klientëve dhe skemat e pastrimit të parave.

Këto organe të hetimit tashmë kanë në dorë dhe po hetojnë edhe për lidhjet që janë krijuar mbi një skemë të pastër favorizimesh dhe mashtrimi midis “Fondit Besa” dhe Bankës së Shqipërisë, ku kjo e fundit edhe pse një institucion i rëndësishëm shtetëror përsëri është përfshirë në ndikimet dhe tarafet e institucioneve private financiare.

“Priza.al” sjell sot ekskluzivisht padinë e ngritur në SPAK dhe në Prokurorinë e Tiranës, kundër Bankës së Shqipërisë dhe Departamentit të Mbikëqyrjes për sektorin e IFJB-ve në BSH-ë, nga juristi Edmond Kasmi.

Ky i fundit bashkë me bashkëjetuesen e tij, juristen dhe avokaten Fatjona Male, vendosën që të ndjekin rrugën e gjatë të përballjes me drejtësinë, për të demaskuar një mega-skandal që nis nga kredidhënia e “Fondit Besa”, vazhdon me mashtrime, përvetësim të dhënash personale, pronash etj., e deri tek ndikimi dhe lidhja me Bankën e Shqipërisë.

Pikërisht tek kjo e fundit do të ndalemi sot, pasi një ditë më parë shpjeguam me të dhëna se si Banka Qendrore, një institucion që paguhet me taksat e shqiptarëve, bëri qokën e radhës për Bajram Muçën dhe “Fondin Besa”, duke lënë në fuqi me rregullore një normë interesi tepër të lartë për mikrokreditë.

Por jo të gjithë njerëzit në këtë vend janë njësoj dhe jo të gjithë shqiptarët preferojnë të heshtin. Çifti Male-Kasmi që falë shkollimit të tyre kapën skemën e mashtrimit dhe të bashkëpunimit si një grup i strukturuar kriminal, pikërisht pas padive të ngritura për “Fondin Besa” vendosën të padisin dhe të çojnë në SPAK edhe BSH-në dhe Guvernatorin Sejko.

Kjo gjë ndodhi pas një morie letrash me ankesa në adresë të BSH-së dhe guvernatorit Sejko për “Fondin Besa” dhe skemat që ky i fundit ndiqte me kreditë. Por edhe pas letër-ankesave të saktësuara me të gjitha detajet, BSH-ja dhe Guvernatori Sejko u treguan indiferentë dhe pa dyshim mbajtën anën e më të “fortit”.

Kjo gjë solli dhe reagimin me anë të padive nga ana e çiftit të juristëve, që vendosën me këtë rast që t’i bënin shembull edhe institucionet shtetërore që shpesh “mbyllin njërin sy”, ndaj abuzimeve dhe subjekteve private që përfitojnë në kurriz të konsumatorit.

Si u përpiluar padia në SPAK dhe Prokurorinë e Tiranës kundër BSH-së  

Në muajin prill të vitit 2020, dhe më saktë në datën 11 prill, në adresë të Bankës së Shqipërisë, të adresuara për Departamentin e Mbikëqyrjes së Kredive, mbërritën dy letër-ankesa të drejtuara nga shtetasit Zenel Male dhe Edmond Kasmi.

Këta persona ishin që të dy të përfshirë në të njëjtën “mesele” për shkak të kredisë që kishte marrë pranë “Fondit Besa” vajza e Zenelit dhe njëkohësisht bashkëjetuesja e Edmondit, juristja Fatjona Male.

(Foto: Dy letër-ankesat e para për sektorin e Mbikëqyrjes së Kredive në BSH, drejtuar nga Zenel Male dhe Edmon Kasmi)

Por me gjithë sinjalizimin që i bënë institucionit më të lartë që duhet të kujdeset për mbikëqyrjen e sektorit bankar në vend, Banka Qendrore, u mjaftua vetëm me kthimin e përgjigjeve formale si për Zenel Malen ashtu dhe për juristin Edmond Kasmi, duke pretenduar se kredia që ata kishin marrë pranë “Fondit Besa” dhe ishin bërë garantë, ishte sipas të gjitha rregullave dhe se nuk vëreheshin probleme.

Por në asnjë rast BSH-ja nuk u mor me shqyrtimin e fakteve të dy ankesave, e madje as nuk guxoi të bëjë një kontroll mbi procedurat që deri në atë moment ndiqeshin për kreditë nga “Fondi Besa”.

Por si për hironi, BSH në kthimin e përgjigjes që i bënte dy shtetasve të sipërpërmendur, në fund u sugjeronte atyre se në se nuk do të qartësoheshin mbi përgjigjen mund t’u drejtoheshin organeve të drejtësisë.

 

(Foto: Dokumenti i kthimit të përgjigjes zyrtare ndaj shtetasve Zenel Male dhe Edmon Kasmi, nga institucioni i BSH-së)

Siç dëshmon për “Priza.al”, juristi Kasmi i’u drejtua edhe me një letër tjetër vet Guvernatorit të BSH-së, Gent Seiko, personalisht, duke i kërkuar edhe një herë rishikimin e këtij rasti dhe vënien në lëvizje të strukturave që vareshin prej tij, me qëllim evidentimin e shkeljeve dhe abuzimeve të shumta të kryera nga “Fondi Besa”.

Por edhe në këtë rast, ashtu si nga Departamenti i Mbikëqyrjes, po ashtu edhe nga vet zyra e Guvernatorit Sejko, juristit ju kthye edhe një herë pak a shumë e njëjta përgjigje.

(Foto: Dokumenti i kthimit të përgjigjes zyrtare ndaj shtetasve Zenel Male dhe Edmon Kasmi, nga zyra e Guvernatorit të BSH-së)

Pse juristi Kasmi vendosi të padisë në SPAK, BSH-në dhe Guvernatorin Sejko

Duke parë që BSH-ë u tregua e ftohtë dhe aspak bashkëpunuese, madje u tregoi viktimave të një subjekti që duhet mbikëqyrur prej saj, rrugën e organeve të drejtësisë, duket se kjo ishte edhe “shkëndija” që mësoi dy klientët e “Fondit Besa” se si të vepronin.

Ndaj pa humbur kohë juristi Edmond Kasmi, duke parë edhe indiferencën dhe duke kuptuar edhe anshmërinë e BSH-së ndaj “Fondit Besa” vendosi pikërisht grumbullimin e provave dhe ngritjen e një dosje-padie në Prokurorinë e Tiranës dhe në SPAK më pas.

Në këtë dosje renditeshin të gjitha faktet dhe provat jo më vetëm kundër “Fondit Besa” si një “organizatë mashtruese”, por edhe bashkëpunimi i kësaj të fundit me BSH-në, çka u morr për bazë dhe nisi të hetohet nga SPAK dhe Prokuroria.

Pas nisjes së hetimeve, duke qenë se SPAK-u zbuloi qe kishte mashtrime dhe vepra penale, por pa e futur fillimisht “Fondin Besa” në kontekstin e “grupit kriminal të strukturuar”, u tentua fillimisht nga prokurorët e SPAK që kjo çështje t’i përcillej Prokurorisë së Tiranës.

Ndërkohë juristi Kasmi i bën një kallëzim në SPAK edhe Guvernatorit të BSH-së, Gent Sejko, pasi ky i fundit është subjekt i posaçëm i nenit 75/a të Kodit të Procedurës Penale.

Po ashtu, juristi Kasmi ngriti dhe depozitoi kallëzim edhe në Prokurorinë e Tiranës për veprat e tjera. Në këtë të fundit aktualisht që flasim janë për hetim ende edhe veprat e mëparshme nisur nga paditë e vet juristit Kasmi kundër “Fondit Besa”.

Vijon…

/Priza.al/

Ky artikull është ekskluziv i “Priza.al”, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Priza.al” dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *