Ekskluzive/ Denoncimi: Ja si më vodhi ‘Fondi Besa’!  

Pas dëshmisë te ‘Priza.al’ për ngjarjen, SPAK nis hetimet ndaj ‘Fondit Besa’ dhe i jep statusin e ‘viktimës’ çiftit të avokatëve Fatjona Male-Edmond Kasmi

Qe prej verës së vitit të kaluar Prokuroria e Posaçme SPAK është vënë në dijeni të materialeve dhe provave të paraqitura nga një subjekt kallëzimi, në lidhje me një vepër penale të kryer ndaj subjektit nga Institucioni i miktofinancave “Fondi Besa”.

Mbi bazën e këtyre materialeve të paraqitura në Prokurorinë e Tiranës fillimisht, por edhe në SPAK më pas, si dhe mbi indiciet e botuara nga media “Priza.al”, mbi dëshmi të shumta por mbi atë që ishte edhe më e forta dhe më e sakta nga ana ligjore, ajo e çiftit të juristëve Fatjona Male-Edmond Kasmi, Prokuroria e Posaçme rinisi hetimet mbi “Fondin Besa”.

Nga sa ka mësuar “Priza.al” që nga muaji gusht 2021 e deri në dhjetor të po atij viti, në SPAK janë paraqitur me radhë palët që kanë dhënë dëshmitë dhe versionet e tyre të pyetur nga prokurorët e SPAK-ut.

Ky i fundit ka marrë për bazë edhe dëshmitë e publikuara më herët përgjatë vitit 2021 nga “Priza.al”, nga të cilat dilte fare qartë mënyra se si “Fondi Besa” nëpërmjet skemash të rafinuara mashtrimi dhe përvetësimi të të dhënave personale deri nga AKSHI dhe sistemi online “e-Albania”, kishte arritur të vilte interesa kredish të pa dokumentuara dhe të bllokonte pronat e çiftit Male-Kasmi.

Këta të fundit aktualisht kanë marrë statusin e “viktimës” të njohur nga Gjykata dhe SPAK dhe janë nën mbrojtjen e autoriteve, por nisur nga dëshmitë e tyre të hollësishme dhe të bazuara mbi fakte dhe dokumente, duket se prokurorët e SPAK-ut kanë krijuar bindjen në lidhje me veprimtarinë e “fondit Besa”, se kemi të bëjmë me një grup të mirëstrukturuar mashtrimi dhe zhvatjeje.

Për pasojë, edhe pse disa prokurorë nga SPAK dhe më herët nga Prokuroria e Tiranës ishin munduar që të ndryshonin provat apo të mbyllnin çështjet në favor të subjektit të paditur “Fondi Besa”, duket se për këtë të fundit nuk ka rrugë shpëtimi dhe procedurat po vijojnë shkallë pas shkalle.

I pyetur nga “Priza.al”, vet një prej viktimave avokati Edmond Kasmi, ka pranuar se procedurat ligjore po vijojnë dhe aktualisht “Gjykata e Lartë e Apelit i ka kërkuar prokurores së SPAK, Enkeleida Millonai, që në muajin gusht 2021 që te mos e pushojë çështjen, por të vijojë me shqyrtimin e provave dhe të marrë në pyetje palët në konflikt”.

 

(Foto: Prokurorja e SPAK, Enkelejda Millonai)

Ndërkohë “Priza.al” ka mësuar në lidhje me këtë çështje nga burime konfidenciale pranë SPAK-ut se, “Presidenti i ‘Fondit Besa’, Bajram Muaçaj, nuk ka pranuar që të paraqitet dhe të japë sqarime përgjatë muajve të shkuar pranë prokurorëve të SPAK-ut, por i ka adresuar përgjegjësinë oficerëve të kredive dhe drejtuesve të tjerë të Fondit, duke u lënë atyre mbi shpatulla gjithë peshën e këtij abuzimi kundrejt viktimave të kësaj çështjeje”.

Si ka vijuar “kalvari” i zhvatjes nga “Fondi Besa”, për çiftin Male-Kasmi    

Në morinë e denoncimeve dhe dëshmive që kanë nisur të vijnë nga e gjithë Shqipëria për skema të ndryshme mashtrimi, pastrimi parash, por dhe të tjera vepra penale të kryera nga “Fondi Besa” në dëm të qytetarëve, sot në “Priza.al” vjen ekskluzivisht edhe një tjetër.

Është fjala për një çift të rinjsh juristë nga Tirana, përkatësisht Fationa Male dhe Edmond Kasmi (poshtë në Foto).

Të dy të rinjtë, në vitin 2017 u paraqitën në zyrën e “Fondit Besa” në rrugën “Myslym Shyri” në Tiranë, për të aplikuar për një kredi, me qëllim investimi.

Dëshira e dy të rinjve ishte të hapnin një zyrë të përbashkët juridike dhe konsulence, duke nisur kështu një biznes që do të ishte për më tepër edhe familjar.

Aplikimin për këtë kredi e kishte bërë zj. Fationa Male, në një kohë që bashkëjetuesi i saj, Edmond Kasmi, ishte bërë dorëzanës ose garant i kësaj kredie së bashku me babanë e vajzës, Zenel Male, si dhe disa familjarë të tjerë.

Shuma e kredisë që u kërkua pranë “Fondit Besa” ishte rreth 60 mijë euro e emërtuar “kredi për investim”, dhe me gjithë përqindjet e larta, ajo u morr pikërisht aty sepse procedurat burokratike të miratimit ishin më të shpejta.

Por këtu nis edhe kthesa për dy të rinjtë, që në vend që të kishin një bashkëpunim korrekt me “Fondin Besa”, ranë pre e një skeme mashtruese me ngjashmëri të skemave mafioze.

Pasi të rinjtë paguan rregullisht në muaj e parë të vitit të parë rreth 8 – 9 këste të kësaj kredie super të shtrenjtë në përqindje interesi, patën një problem në një moment dhe vonuan pagesat, për arsye financiare. Për ta shlyer këtë, për të shmangur komisionet e larta dhe gjobat mbi vonesat, Edmondi vendos që të shesë zyrën e tij të avokatisë, që kishte si pronë në rrugën “Mine Peza” në Tiranë, e vlera e të cilës ishte jo e vogël nisur edhe nga çmimet e zonës.

Për këtë ai i kërkon “Fondit Besa” që ta marrë nën sekuestro duke e bllokuar këtë pronë si garanci për kredinë, në një kohë që me shitjen e saj paratë do të jepeshin menjëherë për të mbyllur kredinë prej 60 mijë eurosh që bashkëjetuesja e tij, Fationa, kishte marrë.

Sipas dëshmisë së Edmondit dhënë “Priza.al”, i gjithë dokumentacioni i kredisë, por edhe të gjitha procedurat e shitjes së pronës ishin bërë pranë noteres Natasha Xhaçka (poshtë në Foto), me zyrë në ish-bllok, e cila mbante për llogari të “Fondit Besa” dokumentet.

(Foto: Noterja Natasha Xhaçka)

Pas sekuestros dhe bllokimit mbi pronën që “Fondi Besa” vendosi mbi zyrën avokatore të Edmondit, vetë Fondi gjeti edhe një “blerëse” me emrin Estela Kapo, e cila u paraqit pranë noteres dhe nisi procedura e blerjes së kësaj prone e cila kishte një çmim nga vlerësimi prej 70-75 mijë euro.

Megjithatë, “Fondi Besa” dhe oficerja e kredisë së tij, Flutura Çuka (poshtë në Foto), këmbëngulin për shitjen e pronës në shumën 50 mijë euro te blerësja Estela Kapo, dhe kalimin e parave në favor të shlyerjes së kredisë së çiftit Male- Kasmi. Por këtu nisin dhe allishverishet e para, duke synuar që përsëri t’i nxirrnin të rinjtë me “këpucë të kuqe” nga kjo histori.

(Foto: Oficerja e kredisë së ‘Fondit Besa’, Flutura Çuka)

Loja e oficeres së kredisë së ‘Besës’, Flutura Çuka

Sipas dëshmisë së vet magjistratit Edmond Kasmi, oficerja e kredisë pasi bën shitjen e zyrës avokatore në rrugën “Mine Peza” në Tiranë, tek blerësja Estela Kapo, plotëson letrat tek noterja Xhaçka, dhe pastaj lejon që prona të nis të shfrytëzohet nga blerësi.

Por edhe pse u firmosën nga palët letrat për shitjen e zyrës, si dhe u vulosën nga noterja që punonte për interes të “Fondit Besa”, nga ky i fundit çiftit u shkojnë sërish letra, që u bënin me dije se me gjithë shumat e paguara nga 9 këstet dhe me ato që u shtuan nga shitja e pronës së vënë në garanci, përsëri kredia nuk ishte përmbyllur.

Po pse e gjitha kjo? Sepse në fakt oficerja e kredisë Flutura Çuka, në vijim të skemave që me sa duket zbatohen si protokoll në “Fondin Besa”, kishte gjetur një blerëse të sajuar dhe as në këtë rast nuk kishte arkëtuar prej saj të gjithë shumën e parave të shitjes së pronës. Nga sa mësojmë prej dëshmisë së vet Edmondit, nga plot 50 mijë euro që duhet të merreshin për shitjen e zyrës së tij avokatore, për shlyerje kredie, punonjësja e “Fondit Besa”, Çuka, kishte raportuar se kishte marrë vetëm 36.500 euro nga blerësja.

Ndërkohë ajo që ishte më skandal në gjithë këtë histori, ishte fakti se letrat si te noteri ashtu dhe në zyrat e Fondit ishin kopsitur sikur çifti kishte akoma edhe rreth 20 mijë euro nga kredia për të shlyer, si dhe të gjitha shkresat ishin lënë të hapura, por pa i vënë në dijeni kredimarrësit.

Për ta mbyllur të gjithë këtë kalvar, vet babai i Fationës, Zenel Male, shkon në zyrat e “Fondit Besa”, si njëri prej 4 garantëve, dhe paguan edhe 20 mijë euro të tjera, me qëllim që e gjithë kjo histori dhe kredi të përmbyllej dhe vajza e tij të vijonte e qetë aktivitetin e saj me bashkëjetuesin Edmondin.

Por as këtu nuk u mbyll asgjë dhe “Fondi Besa” edhe sot ka vijuar me manipulimet dhe zgjatjen e procedurave dhe komisioneve që rriten çdo ditë.

Vijon…

/Priza.al/

Ky artikull është ekskluziv i “Priza.al”, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Priza.al” dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *