‘Do t’u marrim serat, lopën, shtëpinë… nëse nuk paguani’!/ ‘Fondi Besa’ nis letrat me postë dhe përmbaruesit te dera, në fshatrat e Lushnjës dhe Fierit    

Marrje e një kredie konsumatore pranë një Institucioni Mikrofinance për investime në ferma, apo edhe aplikimi te AZHBR-ja, ka vënë me “shpatulla për muri” mijëra fermerë në fshatrat e Myzeqesë.

Ditët e fundit në fshatrat e qarkut të Fierit “Fondi Besa” ka nisur me postë letrat për sekuestrimin e qindra pronave të fermerëve në zona të ndryshme të Lushnjës, Fierit dhe Mallakastrës, në një kohë që në terren janë hedhur në veprim edhe grupe përmbaruesish të shoqëruara nga kompani policish private.

“Fondi Besa” duket se nuk mund të mbijetojë më pa mbledhur nga kredimarrësit kreditë e papaguara ose pa sekuestruar pronat e lëna garanci, por kjo gjë ka trembur mjaftë fermerët, që prej vitesh janë ngatërruar me skemën e mikrofinancimit nga e cila nuk kanë mundur që të dalin më me gjithë pagesat.

Shumë lexues dhe ndjekës të “Priza.al”, si në web, ashtu dhe në rrjetet sociale, nga zonat e qarkut të Fierit, kanë shkruar këto ditë në adresat tonë lidhur me faktin se sërish “mercenarët” e pajtuar nga “Fondi Besa” u kanë ardhur në derën e shtëpisë.

Shumë fermerë që tashmë janë të mbytur në borxhe, kanë vite që shlyejnë kreditë e “Fondit Besa”, por edhe pse këstet janë paguar, ato nuk pakësohen por interesat dhe principali vetëm avancojnë.

Një skemë të tillë “Fondi Besa” dhe disa IFJB të tjera, kanë vite që e ndjekin me klientët e tyre, por kjo skemë as që është hetuar apo kontrolluar nga institucionet shtetërore mbikëqyrëse si AMF-ja apo Banka e Shqipërisë.

Piramida e mikrofinancave/ Si është manipuluar me mbi 26 mijë kredi, dhe ku kanë shkuar mbi 63 milionë euro. Në krye 'Fondi Besa' - Priza.al

Aksioni i “Fondit Besa”

Nuk ka më pritje për fshatarët dhe fermerët që figurojnë si debitorë me kredi apo interesa të pashlyera pranë regjistrit të pafund të “Fondit Besa”. Ky i fundit ka hedhur në aksion këto ditë të gjithë stafet e tij në rrethe, sidomos në qarqet Fier, Berat dhe Vlorë, me qëllim sekuestrimin e pronave dhe pasurive të patundshme të lëna garanci nga kredimarrësit.

Nuk dihet se përse është ky ngut i foncacionit “Besa” pikërisht në këto momente për të mbledhur në mos para, prona dhe asete, por kjo gjë në zonat ku po shkojnë përmbaruesit po shoqërohet me jo pak konflikte si verbale ashtu dhe fizike.

Sipas shtetasit Trifon F. nga një fshat i Lushnjës, ekipi i “Fondit Besa” vetëm 5 ditë më parë i kishte çuar me anë të postës një letër ku i kërkohej shlyerja e kredisë bujqësore që kishte marrë para 5 vitesh prej 10 milionë lekësh të vjetra.

“Ma sollën letrën me postë në adresën e shtëpisë time në fshat, për kredinë 10 milionëshe që vitin e kaluar e likuidova të gjithën, duke paguar nga 10 plot 16 milionë e 300 mijë lekë të vjetra. Ata më thanë se e kisha shlyer dhe më dhanë edhe letrat, ndërsa 5 ditë më parë më erdhi një tjetër shkresë po nga ‘Fondi Besa’, që duhet të shlyej edhe 2 milionë lekë të tjera.

Ndërsa sot më erdhën në banesë që në 7 të mëngjesit 5 persona me një makinë të ‘Fondit Besa’ dhe më thanë se nëse nuk do të shlyhet deri në fund të këtij muaji shuma, do të më sekuestrojnë serën e domateve dhe tokën e saj. Ishte një oficer kredie dhe një përmbarues dhe tre të tjerë që ishin polici private, madje të armatosur”,- deklaroi sot për “Priza.al” Trifon F. nga një fshat i Lushnjës.

Si Trifoni edhe Jonuz L. nga fshati Kut i Mallakastrës ka denoncuar pranë adresës tonë faktin që “Fondi Besa” i ka çuar shkresën në shtëpi për sekuestrimin e banesës, pasi ai nuk ka larë një kredi prej 5 milionë lekësh të vjetëra të marrë në vitin 2018, për të cilën ky fermer as që ka qenë në dijeni.

Të tilla kredi ka me mijëra në qarqet e Fierit, Beratit, Vlorës dhe të tjera, ku për një pjesë fermerët pranojnë se i kanë marrë por i kanë shlyer përgjatë viteve, ndërsa një pjesë akoma më e madhe ngrenë supet, pasi janë përfshirë në kredi për të cilat nuk janë aspak në dijeni.

Molepsja e financimeve të AZHBR-së me kreditë e “Fondit Besa”

Ajo që është akoma më absurde në gjithë historinë e mikrokredive që ngjason me një skemë të madhe piramidale që ka përfshirë banorët e shumë zonave rurale, është edhe ngatërrimi i Agjencisë shtetërore të Zhvillimit të Zonave Rurale, ose siç njihet ndryshe si AZHBR-ja.

Kjo e fundi gjatë 5-6 viteve të fundit ka pasur të ngritura skema mikrofinancimi për fermerët shqiptarë, duke u financuar atyre projekte të ndryshme zhvillimi me fonde pjesërisht të qeverisë shqiptare dhe pjesërisht të BE-së, siç kanë qenë projektet “IPARD”.

Marketing – Fondi BESA SH.A.

Deri këtu çdo gjë është në rregull. Por sapo një fermer paraqitej pranë AZHBR-së me letrat dhe aplikonte për një financim duke pasur edhe një preventiv në dorë, punonjësit e Agjencisë që bënin miratimin e financimit i udhëzonin që për të pasur të plotë financimin një pjesë të parave duhet ta merrnin në formë mikrokredie pranë IFJB-ve.

Shumë fermerë që kanë aplikuar pranë kësaj skeme, duke mos qenë të mirëinformuar kanë menduar se financimi që të ishte i plotë ndahej midis AZHBR-së dhe IFJB-ve siç ishte edhe “Fondi Besa”, që gjatë kësaj kohe paralel me fushatën e Agjencisë shtetërore zhvillonte fshatrave një fushatë për mikrokreditim për fermerët.

Marketing – Fondi BESA SH.A.

“Priza.al” ka mësuar se për plotësimin e shumës së investimit që u nevojitej fermerëve, atyre u’a sugjeronin vetë punonjësit e AZHBR-së (me gjasë kundrejt ndonjë pagese), që një pjesë të financimit ta tërhiqnin pranë “Fondit Besa”.

Kjo për faktin se gjithmonë në investimet e ndryshme sipas projekteve që financoheshin nga AZHBR-ja, një pjesë të financimit e jepte agjencia, por pjesën tjetër atë më të madhe duhet ta kishte vetë fermeri.

Por jo të gjithë fermerët që aplikonin për ndërtim serash, stallash apo ekonomish të tjera bujqësore, i kishin paratë e nevojshme. Ndaj kjo ka bërë që si mundësi tjetër e shpejtë, për të mos e humbur afatin e projektit të dhënë nga AZHBR-ja, fermerët orjentoheshin me shpejtësi që të kërkonin pjesën tjetër të financimit si formë “mikrokredie” të “Fondi Besa” kryesisht.

Programi i Mbështetjes së Agrobiznesit Shqiptar

Nuk janë të pakta rastet e të tilla “kooperimeve” mes zyrtarëve të AZHBR-së dhe “Fondit Besa”, dhe po ashtu as fermerët që janë kredhur në këto skema, nga të cilat shumë pak kanë arritur të shkëputen ose t’ja dalin.

Në ditët në vijim “Priza.al” do të sjellë me dokumente një seri të re shkrimesh denoncuese dhe investigative të këtij fenomeni, ku sërish si protagonist është “Fondi Besa”.

Vijon…………..

/Priza.al/

Ky artikull është ekskluziv i “Priza.al”, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Priza.al” dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *