Dibër/ Lejuan ndërtime pa leje, nën hetim kryeinspektori dhe 3 vartësit e tij

Në kuadër të operacionit të shpallur ditën e djeshme nga Kryeministri Edi Rama, për të prishur ndërtimet pa leje, duket se goditja e parë ka filluar në zonën e Dibrës.

Ditën e sotme policia e zonës ka proceduar penalisht 4 punonjës të Inspektoriatit Vendor të Mbrojtjes së Territorit, pasi kanë lejuar qytetarët që të kryenin ndërtime pa leje. Zyrtarët e arrestuar janë shtetasit me iniciale E.Xh., 37 vjeç, me detyrë Kryeinspektor, J.O., 32 vjeç; F.R., 33 vjeç; SH.I., 51 vjeç, të tre me detyrë Inspektor pranë Inspektoriatit Vendor të Mbrojtjes së Territorit, Bashkia Dibër.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar kanë proceduar penalisht zyrtarët pasi dyshohet se ato kanë shpërdoruar detyrën dhe nuk kanë kryer inspektimet e nevojshme për mbrojtjen e territorit nga ndërtimet e kundërligjshme.

Çfarë tha Rama një ditë më parë?

Kreu i qeverisë kujtoi Kodin Penal, duke thënë se nga inxhinieri tek punëtori i thjeshtë të gjithë janë pjesë e zinxhirit të fajësisë.

“Është një punë që po zhvillohet me ministrinë e Brendshme, edhe për një arsye tjetër. Operacioni fillon të hënën e ardhshme dhe unë dua që t’ia përcjell këtë mesazh atyre që e dinë vetë që janë në kushtet e shkeljes së rëndë e ligjit. Të lexojnë kodin penal, të marrin masa tani, sepse nga e hëna do të jetë vonë për t’ju shmangur përballje deri në fund me ligjin. Të lexojnë kodin penal se çfarë i pret në momentin kur konstatohet flagranca dhe në momentin kur duhet të ballafaqohen. Të fillojnë ti prishin vetë, kjo është për t’ju lehtësuar atë që pason.

Unë dua ta bëj të qartë për të gjithë, nga inxhinieri deri tek punëtori më i fundit, me kodin e ri penal janë pjesë e zinxhirit të fajësisë. Nuk mund të thuash që unë jam punëtor dhe më morën nuk di ca bëj, sepse është njësoj të thuash që unë jam punëtor, më morën për të transportuar miell, por kishte kokainë.

E treta është që kjo është pasuria më e madhe që zoti i ka dhënë këtij vendi. Ne nuk mund të lëmë që për arsye të situatave të komplikuara, të bubërrojë përsëri nën vështrimin e disa personave, edhe të policisë të fillojë aktiviteti i paligjshëm. Është e pamundur. SHCBA do ti shkojë deri në fund, por edhe policia duhet të jetë e informuar se njësoj si lufta kundër krimit, edhe kjo ka një përgjegjësi“, u shpreh Rama.

 

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *