26-vjetori i masakrës së Srebrenicës/ Rama përkujton me një foto homazh: Gjenocid! Albin Kurti: Ndëshkimi i kriminelëve themeli i paqes

Bosnja e Hercegovina por edhe e gjithë Europa shënojnë sot 26-vjetorin e masakrës së Srebrenicës. Kjo masakër cilësohet si më e rënda në Europë që pas Luftës së Dytë Botërore.  Në korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës vranë mbi 8 mijë persona në enklavën e Srebrenicës, që ishte caktuar si “vend i sigurt” nga Kombet e Bashkuara.

Kryeministri ka zgjedhur të postojë një foto homazh në nder të kësaj dite të rëndë për historinë e Ballkanit.

Në korrik të vitit 1995 Radovan Karaxhiç, udhëheqësi i atëhershëm i serbëve, lëshoi një urdhër të ri për të pushtuar Srebrenicën. Pasi trupat rrethuan Enklavën dhe sulmuan paqeruajtësit holandezë duke i marrë 30 prej tyre, bombarduan Srebrenicën një ditë më vonë. Forcat holandeze kërcënuan serbët se do të kishte goditje ajrore të NATO-s, nëse nuk tërhiqeshin deri në mëngjes.

Të nesërmen avionët e NATO-s bombarduan tanket serbe jashtë Srebrenicës. Serbët kërcënuan se do vazhdonin bombardimet dhe do vrisnin ushtarët hollandezë të marrë peng.  Goditjet ajrore u ndalën dhe në mbrëmjen e 11 korrikut, komandanti i serbëve të Bosnjës, gjenerali Ratko Mlladiq hyri në Srebrenicë.

Kombet e Bashkuara vunë re se shumica e refugjatëve që mbërrinin nga Srebrenica ishin gra, fëmijë dhe të moshuar dhe filluan të shqetësohen për fatin e burrave.

Rreth 15 mijë ushtarë dhe civilë myslimanë të Bosnjës u larguan natën nga Srebrenica duke u përpjekur të arrinin në territor të kontrolluar nga myslimanët. Shumë vdiqën nga bombardimet dhe goditjet e snajperëve.

Më pas vijoi rënia e Srebrenicës, rreth 8 mijë burra dhe djem mendohet u vranë nga serbët e Bosnjës dhe u varrosën në varre masive.

Akoma vazhdojnë zbulimet e varreve masive edhe pas 2 dekadave. Identifikimi i viktimave është i vësthirë pasi trupat ishin copëtuar nga eskavatorët që i hidhnin në varre.

Ndërkohë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë një postimi në rrjete sociale lidhur me 26 vjetorin e kësak masakre.

Sot është 26 vjetori i gjenocidit në Srebrenicë, ushtruar nga forcat serbe e të Serbisë mbi viktimat boshnjake. Institucione të ndryshme ndërkombëtare, ndër të cilat edhe Parlamenti Evropian, e kanë shpallur 11 korrikun datë të përkujtimit të masakrës më mizore që ka njohur Evropa pas Luftës II Botërore. Disa ditë më parë Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë me të cilën dënohet gjenocidi në Srebrenicë dhe ftohet Qeveria e Kosovës të nderojë viktimat dhe kujtimin e kësaj date.

Në atë rezolutë pika nr. 5 shkruan se Kuvendi i Kosovës:

“Fton të gjitha shtetet e rajonit, që të bëjnë përpjekje shtesë për t`i nxjerrë para drejtësisë të gjithë ata që janë përgjegjës për planifikimin dhe kryerjen e gjenocidit në Srebrenicë.”

Ndërsa pika nr. 6 vë në pah se kjo rezolutë: “Shfaq gatishmërinë e Republikës së Kosovës dhe u bën apel shteteve të rajonit për përmirësimin e marrëdhënieve të ndërsjella dhe të bashkëjetesës ndërmjet popujve, me qëllim të përmirësimit ekonomik dhe integrimit euro-atlantik të shteteve të Ballkanit Perëndimor.”

Ne duam paqe, bashkëpunim, dhe barazi mes kombeve në Ballkan. Por themeli i asaj paqeje është ndëshkimi i kriminelëve. Është e pamendueshme se si, edhe në shekullin XXI, ka politikanë në rajonin tonë, që thonë se ata që kërkojnë ndëshkimin e fajtorëve për gjenocid qenkan kundër dialogut e kundër fqinjësisë së mirë. Përkundrazi, e vetmja fqinjësi e mirë zhvillohet duke dënuar krimet e vendosur drejtësi, dhe i vetmi dialog i mirë ndodh kur palët nuk tremben nga distancimi prej krimeve.

I përjetshëm qoftë kujtimi i viktimave të gjenocidit në Srebrenicë, kurrë më mos pastë Ballkani, e as bota, pushtete e shtete me ambicie gjenocidale”, shkruan Kurti.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *