VIDEO/ Bosët e Inceneratorit Zoto dhe Mërtiri, nuk paguajnë taksat. ERRE vendos t’u heq licencën e kompanisë  

Bosët e skemës së Inceneratorëve të Plehrave, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri sfidojnë shtetin, duke mos i paguar as taksat. Enti Rregullator i Energjisë i ka hequr licencën një prej kompanive të dyshes Zoto-Mërtiri, pasi nuk paguanin as detyrimet ndaj shtetit. Kjo situatë ka qenë e përsëritur, por duket se kjo ka qenë një skemë e mirëmenduar, që dyshja e inceneratorëve, ka ngritur duke sfiduar shtetin.

Enti Rregullator i Energjisë ka nisur pak javë më parë procedurat për heqjen e licencës së tregtimit të gazit të kompanisë ‘C.G.C’, për shkak të mospagimit të atyre që quhen ‘pagesa të rregullimit’, një prej tarifave kryesore për vijimin e aktivitetit tregtar në fushën e hidrokarbureve.

Kjo është hera e dytë brenda një viti kalendarik që Enti i Energjisë, i njohur edhe si ERRE, nis procedurat penalizuese për kompaninë në pronësi të Klodian Zotos dhe me administrator Mirel Mërtirin.

Në dhjetor 2020, ERRE njoftimi vendimin për fillimin e procedurës për heqjen e licencës nr.369, e cila i është dhënë shoqërisë ‘C.G.C’ shpk., në maj të vitit 2017.

Shkak për nisjen e kësaj procedure ishte fakti që shoqëria ‘C.G.C’, në pronësi të ‘Integrated Technology Service’ të Klodian Zotos, nuk kishte kryer pagesat, pavarësisht se ishte njoftuar zyrtarisht nga Enti Rregullator i Energjisë.

Rreth një muaj më pas, në janar 2021, ERRE vendosi të përfundojë procedurën për heqjen e licencës, pasi ‘CGC’ shpk., i kishte paguar detyrimet.

Por, kjo situatë u përsërit sërish dhe, në shtator 2021, ERRE konstaton sërish se ‘CGC’ e Zotos dhe Mërtirit sërish nuk kanë paguar detyrimet vjetore.

Enti i Energjisë, në vendimin për nisjen e procedurës së heqjes së licencës së tregtimit të gazit, i cili mban datën 10 shtator 2021, thotë se kompania e Zotos është njoftuar për detyrimet e papaguara.

‘Në përfundim të afateve të përcaktuara në këtë njoftim, rezultoi se subjekti ‘C.G.C’ sh.p.k., nuk ka përcjellë në ERE as shpjegime dhe as dokumentacion për sa kërkuar’, thuhet në vendimin e Entit Rregullator të Energjisë.

Tashmë, ‘CGC’ sh.p.k, ka 30 ditë afat për t’u përgjigjur, lidhur me procedurat për heqjen e licencës. Shoqëria ‘CGC’ përfshin brenda saj të gjithë emrat që konsiderohen si pjesë e ‘klanit të inceneratorëve’.

Shoqëria ‘CGC’ është regjistruar në vitin 2013, në pronësi të Stela Gugallja, pronare e kompanisë ‘Albtek Energy’, e cila ka fituar kontratën publike për inceneratorin e Elbasanit.

Administrator i parë i saj ishte Loran Dusha, i cili tashmë është administrator në kompaninë ‘Integrated Technology Waste Treatment -Fier’, që ka fituar kontratën koncensionare të landfillit dhe inceneratorit të Fierit.

Në vitin 2017, administrator i kompanisë emërohet Mirel Mërtiri. Në vitin 2018, kompania blihet nga Ilir Dedja, një personazh jo shumë i njohur publikisht, por që emri i tij rezultoi si i përfshirë në një skandal 60 milionë dollarësh në Zimbabvenë e largët.

Nëpërmjet dy transaksioneve të kryera në vitin 2019 dhe 2021, Ilir Dedja, i shet të gjithë aksionet e kompanisë ‘CGC’ sh.p.k., tek “Integrated Technology Service” e Klodian Zotos.

/Burimi: SyriTv/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *