Ups! Jeni pickuar nga grerëza? Mësoni trajtimet natyrale dhe mënyrat si t’i mbani larg  

Jo të gjitha insektet janë të vogla dhe të parrezikshme. Një pjesë e tyre për t’u mbrojtur nga grabitqarët kanë të zhvilluar në trupat e tyre, substanca kimike, gërshërë, sharrëza, thumba dhe shumë organe të tjera që i mbrojnë.

Por si më të “rrezikshme” apo edhe më të njohura janë kryesisht grerëzat dhe bletët, prej pickimit të të cilave njerëzit të mëdhenj dhe të vegjël shpesh janë në panik.

Por këto insekte fluturake, e sidomos grerëzat dhe gërthacët e mëdhenj, përbëjnë një rrezik jete serioz për njerëzit që janë alergjikë ndaj pickimit të këtyre insekteve.

Përse thumbojnë grerëzat?

Grerëzat i thumbojnë njerëzit në momentin që ndihen të kërcënuara. Ndryshe nga bletët, grerëzat mund të sulmojnë viktimën e tyre më shumë se një herë. Shanset për pickim janë tepër të larta, nëse njeriu qëndron pranë folesë së tyre apo përpiqet t’i largojë ato me forcë.

Thumbi i grerëzave është i mbushur me helm, që shkakton jo vetëm dhimbje, por edhe reagime alergjike me pasojë jetën. Nëse personi ka alergji ndaj pickimit, ai mund të përballet me një shok anafilaktik, që është një gjendje kërcënuese për jetën. Trajtimi i vetëm në këtë rast është një injeksion adrenaline ose ultrakorteni.

Si duhet trajtuar pickimi i grerëzës

Gjëja e parë që duhet të bëni pas një pickimi, është që të hiqni thumbin nga lëkura duke përdorur thonjtë, piskatore vetullash, ose cepin e një karte plastike.

Ekspertët thonë se, përdorimi i monedhave apo unazave të floririt pa hequr thumbin, shkakton përhapjen e helmit.

Pas heqjes së thumbit, lajeni zonën me ujë dhe sapun dhe vendosni një kompresë të ftohtë me akull, të cilën duhet ta mbani për 10 minuta. Krruarja e fortë e zonës së ënjtur mund të rrisë rrezikun e një infeksioni.

Si të shmangni pickimin nga grerëza

Ekspertët rekomandojnë shmangien e parfumeve të rënda që tërheqin insektet. Shmangni rrobat me ngjyra të ndezura dhe mbi të gjitha, qëndroni të qetë nëse një grerëz ju afrohet.

Lëvizjet nën panik do t’ju bëjnë shënjestër më tërheqëse për grerëzat. Vetëm në këtë rast, duhanpirësit kanë një përfitim, pasi grerëzat largohen nëse i afron cigaren e ndezur, ose ndaj tyre lëshohet shtëllunga e tymit të cigares.

Si të shmangni afrimin e grerëzave në shtëpi

Pastroni sa më shpesh koshat e plehrave, duke qenë se grerëzat tërhiqen pas sheqerit dhe karbohidrateve. Kur gatuani mbyllni dyert e kuzhinës dhe mbajeni gjithmonë shtëpinë të pastër. Shmangni mobiljet shumëngjyrëshe, në kopështin tuaj sepse tërheqin grerëzat.

Masat parandaluese kundër grerëzave

Vaji esencial i nenexhikut pengon hyrjen e grerëzave në shtëpinë tuaj. Mjafton të spërkatni disa zona të shtëpisë me vaj nenexhiku dhe grerëzat do të qëndrojnë larg.

Në shtëpi ju mund të ngrini edhe kurthe kundër grerëzave. Një prej tyre është sherbeti të cilin mund ta hidhni në një shishe plastike të ndarë në dysh. Pjesën e grykës mund ta vendosni kokëposhtë në pjesën tjetër të shishes, duke formuar një hinkë të mirëfilltë.

/Burimi: AgroWeb/

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *