Travel of Path: Shqipëria vendi më i mirë europian për nomadët amerikanë në 2023

Ka disa muaj që Shqipëria lakohet në artikuj të ndryshëm të huaj për lehtësitë e të punuarit si nomadë dixhitale. Gjithashtu, qeveria shqiptare i ka dhënë vëmendje pikërisht kësaj kategorie që po shtohet edhe në vendin tonë, nëpërmjet një drafti të përfshirë në Axhendën Dixhitale 2022-2026.

Së fundmi një artikull e liston vendin tonë si më të mirin në Europë për nomadët amerikanë. Sipas Travel of Path, Shqipëria po i rritet popullariteti si qendra kryesore nomade dixhitale në kontinent për vitin 2023: punonjësit e largët nga SHBA po vërshojnë drejt këtij vendi.

Evropa është destinacioni i preferuar për nomadët amerikanë që kërkojnë një cilësi më të mirë jetese dhe kulturë, veçanërisht vendet perëndimore si Spanja dhe Italia, por tani që po përballen me kriza energjetike dhe çmime në rritje, vëmendja ka filluar dalëngadalë të zhvendoset nga Perëndimi në Lindje.

Për fat të mirë si për nomadët dixhitale ashtu edhe për udhëtarët me buxhet, Shqipëria nuk ka pasur shumë probleme ekonomike dhe ka mbajtur qëndrim të vendosur kundër burokracive të panevojshme të vizave:

Shqipëria po rritet me popullaritet

Nga të gjitha vendet europiane që ofrojnë leje afatgjata, ajo që po kryeson në këtë garë është Shqipëria, një shtet ballkanik i padëgjuar më parë, që ishte jashtë kufijve për turistët deri në fillim të viteve nëntëdhjetë. Tridhjetë vjet që nga demokratizimi, vendi ka evoluar shumë që nga dekada e parë postkomuniste. Ajo mund të mos jetë aq e zhvilluar sa disa nga fqinjët e saj më të afërt, përkatësisht Kroacia apo Greqia, por po ecën në një rrugë mbresëlënëse drejt rimëkëmbjes që shumë në elitën europiane mund ta ëndërronin.

Sipas të dhënave të publikuara si nga Instat ashtu edhe nga Eurostat, gjatë vitit 2022 në Shqipëri kishte pothuajse 3.6 milionë qëndrime, një rritje prej 22.8 për qind nga viti 2021, në kontrast të plotë me Bashkimin Europian, i cili ka regjistruar një rritje mesatare prej 5.6 për qind.

Në thelb, Shqipëria pati rritjen më të lartë të qëndrimeve në të gjithë kontinentin vitin e kaluar, e ndjekur nga Serbia (21.3%). Në total, 7.1 milionë të huaj vizituan Shqipërinë në vitin 2022, duke tejkaluar me 17% vitin rekord të 2019-ës.

Vendi shtrihet në të njëjtën vijë bregdetare të Adriatikut të ndarë nga Kroacia, Mali i Zi dhe Greqia Perëndimore, përballë me Italinë dhe krenohet me të njëjtin mot dhe natyrë mesdhetare, dhe pavarësisht se është i rrethuar nga të gjitha anët nga destinacionet turistike të njohura botërore – që janë shumë të shtrenjta – është jashtëzakonisht e lirë.

Për të jetuar në mënyrë komode si një nomad dixhital në Tiranë, me njëfarë niveli luksi, amerikanëve u duheshin mesatarisht 2452 dollarë në muaj. Kjo përfshin marrjen me qira të një apartamenti të mobiluar plotësisht me vendndodhje qendrore, ngrënien e shpeshtë në restorante të nivelit të mesëm, mallra ushqimore dhe udhëtime të fundjavës në vijën bregdetare të mbushur me resorte./Monitor

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *