Testi i poligrafit teston Kushtetuesen dhe minon përzgjedhjen në BKH

Që në mesin e shkurtit të këtij viti Komiteti Shqiptar i Helsinkit bashkë me grupe të caktuara edhe nga shoqëria civile dolën në një deklaratë të përbashkët kundër testit të poligrafit që u përdor veçanarisht në përzgjedhjen e kereut të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Gjithashtu në reagimin e tyre ishte edhe një pretendim për rrëzimin e përgjimeve në të cilën vihen qytetarët duke i quajtur  shkelje e të drejtave të njeriut! Sipas të dhënave KShH ka kërkuar më herët që mos të kalohet ky ligj, por kërkesa nuk është marrë në konsideratë e për pasojë u përdor si kriter për një sërë aktesh në reformën në sektorët e Policisë dhe të përzgjedhjes së BKH. Por aktorët që kanë ngritur zërin kundër këtij testi kanë hartuar një kërkesë tjetër po kësaj radhe për në Gjykatën Kushtetuese. Ata kërkojnë shfuzimin e disa neneve që lidhen me shkeljen e privatësisë, ndërsa ende nuk dihet se çfarë mund të ndodhë nëse GJK (Gjykata Kushtetuese) vendos t`i shfuqizojë nenet që ka kërkuar KShH!

Kërkesa 

Mban muajin shkurt, kohë kur edhe u reagua publikisht kundër një sërë nenesh që shkelin të drejtat e njeriut. I drejtohet Gjykatës Kushtetuese dhe ka si objekt “shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të nenit 34, pika 2, shkronja “gj”; nenit 38, pika 2, shkronja “e” të ligjit nr.95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar” dhe nenit 38, pika 2, të ligjit nr.12/2018 “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës së Shqipërisë dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme”. Këto nene u emërtuan si “testi i poligrafit” për kandidatet dhe drejtuesin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, si një ndër kushtet e përzgjedhjes së tyre në Byro. Madje në sajë të tij pati edhe skualifikime, por që nuk u ngrit zëri nga personat që u bënë “viktima’. Kërkesa që është depozituar disa javë më parë në Gjykatë argumenton se ky test shkel të drejtat e njeriut dhe privatësinë, dy të drejta të saksionuara në Kushtetutë. Siç bëhet e ditur nga kërkesa që KShH ka vënë në dispozicion të mediave, veç të tjerash kërkohet edhe shfuqizimi i nenit 131 në ligjin për Policinë e Shtetit! Në këtë ligj njihet e drejta e tyre të mbledhin informacione duke gjurmuar dhe përgjuar në disa mënyra, si ambientale, visive, zanore, por edhe me vëzhgim të drejtëpërdrejt të personit të dyshuar kudo që të jetë!

 Tri nenet e “kallëzuara” në Kushtetuese

Neni 34/2/gj

të japë pëlqimin për t’iu nënshtruar testit të poligrafit. Informacioni në raportin e përgatitur nga specialisti i poligrafit mbahet në konsideratë gjatë procesit të përzgjedhjes.

Neni 38/2/e

  1. e) të ketë dhënë pëlqimin për t’iu nënshtruar testit të poligrafit rreth integritetit të kandidatit. Informacioni në raportin e përgatitur nga specialisti i poligrafit merret në konsideratë gjatë procesit të emërimit dhe atij të riemërimit!

Neni 38/ 2

(ligji për vetingun në polici)

  1. Punonjësi i nënshtrohet një testi psikologjik të personalitetit, si dhe, me vendim të trupës së vlerësimit përkatëse dhe me pëlqimin e tij, testeve të tjera, edhe me ndihmën e mjeteve teknologjike të posaçme, me qëllim vlerësimin e besueshmërisë së punonjësit dhe deklarimeve personale. Refuzimi i kryerjes së testeve vlerësohet së bashku me rrethanat e tjera.

Ndërhyrja në jetën private!

Duke iu referuar kërkesës që ka mbërritur në Kushtetuese, ekspertët kanë vënë theksin në faktin që: “Mbrojtja e jetës private dhe familjare, në Kushtetutë, bëhet përmes disa dispozitave, veçanërisht nga neni 35 (mbrojtja e të dhënave personale), neni 36 (liria dhe fshehtësia e korrespondencës), neni 37 (paprekshmëria e banesës), neni 53 (mbrojtja e martesës dhe familjes)”.

Në kërkesë argumentohet se “qëllimi i hartuesve të Kushtetutës ka qenë pikërisht garantimi i asaj hapësire të nevojshme brenda së cilës, individi, do të mund të zhvillonte në mënyrë të pavarur personalitetin e tij. Në këtë kuadër, sigurisht që është e drejtë e individit të vendosë vetë për mënyrën dhe masën e paraqitjes së tij si person para të tjerëve dhe publikut në tërësi. GJK, ndër të tjera, ka vlerësuar se nocioni i jetës private nuk ka karakter shterues. Ai ka ardhur duke u zgjeruar vazhdimisht jo vetëm përmes jurisprudencës së GJEDNJ, por edhe nga zhvillimet e diferencuara ligjore dhe jurisprudenciale të vetë shteteve pale në KEDNJ. Megjithatë, në përgjithësi, pranohet se e drejta për respektimin e jetës private në thelbin e saj duhet t’i sigurojë individit një hapësirë, brenda së cilës, ai do të mund të zhvillonte dhe plotësonte në mënyrë të pavarur personalitetin e tij. Këtu, përfshihet edhe zhvillimi apo ruajtja në një masë të caktuar e marrëdhënieve me njerëzit e tjerë. (shih vendimin e GJK nr.16/2004)” thuhet në kërkesën për shqyrtim!

Po çfarë rrezikohet nëse Gjykata Kushtetuese i shfuqizon këto nene? A do të rihapen edhe njëherë dosjet e të gjithë atyre që u skualifikuan nga gara për Byronë e Hetimit? Po eleminimi dhe skualifikimi i punonjësve të policisë a do të rishihet?

Në fakt duke iu referuar mekanizmit me anë të të cilit edhe u vendos të kalohej ky projektligj në Kuvend, gjasat për ndërhyrje janë të pakta.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *