Studimi: Më pak se 6 orë gjumë gjatë natës ul efektin e vaksinave

Një studim i ri ka zbuluar se gjumi më pak se 6 orë natën ul efektin e vaksinave në imunitet, veçanërisht te meshkujt e rinj. Sipas “Guardian”, ekspertët kanë kombinuar dhe rianalizuar rezultatet e 7 studimeve që përfshinin gjetjet e personave që ishin vaksinuar kundër gripit dhe hepatitit A dhe B.

Në këtë kontekst, u krahasuan përgjigjet e antitrupave të atyre që flinin nga 7 deri në 9 orë dhe atyre që flinin më pak se 6 orë.

Provat tregojnë se gjumi më pak se 6 orë natën zvogëlon efektin e vaksinave në imunitetin e meshkujve. Nga ana tjetër, u përcaktua se efekti i gjumit të pamjaftueshëm në vaksinë ishte më ndryshe tek gratë për shkak të niveleve të ndryshme të hormoneve.

Autorja e studimit nga Instituti Kombëtar i Shëndetit dhe Mjekësisë në Francë, dr. Karine Spiegel tha: “Ne e dimë nga studimet e imunologjisë se hormonet seksuale ndikojnë në sistemin imunitar. Imuniteti i grave ndikohet nga cikli menstrual, menopauza dhe pilulat e kontrollit të lindjes. Megjithatë, studimet që shikuam nuk kishin asnjë të dhënë për hormonet seksuale”.

Gjithashtu, u konstatua se efekti negativ i gjumit më pak se 6 orë në imunitet u pa më shumë në grupmoshën 18-60 vjeç sesa tek ata më të vjetër se 60-vjeç.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *