SPAK kërkon 2 vite e 6 muaj burg, GJKKO vendos sot për Belerin!

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar merr sot vendimin për Fredi Belerin, i cili ndodhet në burg nën akuzën e blerjes së votave. Ndërkohë media greke e Sali Berisha, sulmuan gjyqtaren Irena Gjoka, që pritet të shpallë sot vendimin. Sipas medias greke gjyqtarja Gjoka, ka qenë dikur në Greqi me letra të parregullta dhe se është dëbuar nga vendi për falsifikim dokumentesh. Të njëjtat akuza i bëri ditë më parë nga ballkoni i shtëpisë ku po mbahet në arrest, ish-kryeministri Sali Berisha i cili tha se gjyqtarja madje ka ndërruar mbiemrin nga Spata në Gjoka.  Prokuroria e Posaçme kërkon dënimin me 2 vite e 6 muaj burg për kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës.

Fredi Beleri dhe Pandeli Kokaveshi në seancën që u mbajt më 28 shkurt kërkuan pafajësi ose minimumin e dënimit që parashikon vepra penale. Mbrojtja e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës lexoi për më shumë se 3 orë konkluzionet e saj, ku avokati Geni Gjyzari përmblodhi të gjitha pretendimet e tij në 54 faqe. Fokusi ishte kryesisht tek provat ku kërkoi pavlefshmëri dhe papërdorshmëri të të gjitha përgjimeve e vëzhgimeve që janë bërë nga Prokuroria e Vlorës, Policia dhe më pas SPAK. Kalimi i çështjes në gjyq sipas tij, për Fredi Belerin e Pandeli Kokaveshin është i pavlefshëm sepse është bazuar në prova që nuk janë marrë konform ligjit.

Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Himarës Fredi Beleri u arrestua më 12 maj në lokalin e tij, teksa ofronte para për të vlerë 8 vota në shifrën e 40 mijë lekëve. Arrestimi erdhi pas denoncimit në prokurori nga një person, i cili kishte treguar se i ishin ofruar para në këmbim të votave.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *